Për pyjet: qeveria bën thuajse gjysmën e punës
14/12/2016 - 14:00
Sepse që të ndalohet masakrimi i pyjeve, qeveria duhet të bëjë edhe disa punë të tjera: të furnizojë popullatën me gaz dhe për këtë duhet të ndërtohen impiante publike; ligjin e moratoriumit ta administrojnë ekologjistë të pavarur dhe jo militantë partish; dhe të ngrejë struktura shkencore për rigjallërimin e tyre dhe kujdesjen:
Zbatimi i moratoriumit 10-vjeçar të pyjeve ka çuar drejt rritjes abuzive të çmimeve për blerjen e lëndës drusore për ngrohje.
Për të shmangur këtë problematikë, dikasteri i mjedisit, ka kërkuar nga të gjitha bashkitë në vend që të marrin masat për shmangien e këtyre abuzimeve të konstatuara në pika të ndryshme të shitjes së lëndës drusore.
Në shkresën që ministri i Mjedisit, Lefter Koka, u ka dërguar kryebashkiakëve, saktësohet se duke nisur nga një janari i 2017-ës, shitja e lëndës drusore për popullatën do të jetë tërësisht kompetencë e bashkive dhe jo e subjekteve tregtare.
Për të zbatuar ligjin, por, edhe për të shmangur këtë abuzim të firmave private me çmimin e druve, Ministria e Mjedisit, nëpërmjet një udhëzimi dërguar 61 bashkive në vend, u kërkon atyre të ngrenë ndërmarrje publike bashkiake për prodhimin e druve dhe tregtimin e tyre, teksa në mungesë të tyre, mund të kontraktojnë kompani private vetëm për prerjen e druve dhe jo shitjen e tyre.
“Është e rëndësisë së veçantë, të kërkoj vëmendjen tuaj se bazuar në dispozitat kalimtare ligjore të parashikuar vendimin e Këshillit të Ministrave, nga data 1 janar 2017, Bashkia do të jetë i vetmi subjekt përgjegjës për shitjen e lëndës drusore me qëllim furnizimin e popullatës me lëndën drusore për ngrohje.
Sikurse parashikohet në vendim, përgjegjësia për furnizimin e popullatës me dru zjarri për ngrohje është kompetencë vetëm e Bashkisë që ju drejtoni.
Në këto kushte, është bashkia ajo që identifikon nevojat, përcakton ngastrat dhe zonat pyjore të prodhimit, kërkon pranë Ministrisë së Mjedisit lejen për sigurimin e tyre, si dhe në fund realizon shitjen e druve të ngrohjes për popullatën që ka nevojë për to”, sqarohet në shkresën e përcjellë drejt bashkive.
Dikasteri i mjedisit u jep të drejtën njësive vendore për prodhimin e lëndës drusore nëpërmjet dy alternativave. Konkretisht, duke prodhuar drutë e zjarrit përmes procesit të shfrytëzimit me një operator privat, tenderimin e këtij shërbimi, në pamundësi të ngritjes së ndërmarrjes publike bashkiake për këtë qëllim.
Sipas kësaj alternative, Bashkia pasi ka miratuar vendet e caktuara për prodhimin e lëndës drusore, mund të tenderojë shërbimin e prerjes dhe të transportit të afërt të lëndës drusore.
Transporti i largët, deri në sheshin e paracaktuar për shitje do jetë përgjegjësi vetëm, e bashkive dhe jo e firmave private, sikundër ka ndodhur deri ë sot. Ndërsa alternativa e dytë ka të bëjë me ngritjen e Ndërmarrjes Publike Bashkiake për prodhimin e druve të zjarrit përmes procesit të shfrytëzimit.
Edhe për këtë mundësi, bashkia është përgjegjësja e vetme për shfrytëzimin, transportin dhe shitjen e sasisë së nevojshme të druve tek popullata.
“Kështu, shitja e materialit drusor, me qëllim të vetëm dhe të patjetërsueshëm ngrohjen e popullatës, sipas këtij kuadrit ligjor në të dyja rastet e sipërpërmendura duhet të kryhet vetëm nga Bashkia.
Ligji ju detyron, që çdo e ardhur që realizohet nga ky poçes, duhet të alokohet në masën 100 për qind për shtimin e fondit pyjor dhe zonave të degraduara në këtë fond me qëllim rigjenerimin dhe shëndetësimin e ekonomisë pyjore, për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm të këtij fondi”, saktësohet në shkresën që ministri Lefter Koka, u ka përcjellë të gjitha bashkive të vendit. Dita
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 33 reads



