...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Amerika dënon politikën e re ruse në lindje të Ukrainës

Sipas rregullores së re, banorët e Ukrainës lindore mund të marrin pasaporta ruse brenda tre muajve

Voa

26/04/2019 - 08:53

Shtetet e Bashkuara dënuan dekretin e Presidentit rus Vladimir Putin që ua bën më të lehtë ukrainasve në lindje të vendit, të marrin shtetësinë ruse. Sipas rregullores së re, banorët e Ukrainës lindore mund të marrin pasaporta ruse brenda tre muajve. Deri tani, atyre u kërkohej të kishin jetuar në Rusi për pesë vjet përpara se të aplikonin dhe t'i nënshtroheshin testeve të shtetësisë.

Dekreti i presidentit Putin vjen tri ditë pasi Ukraina zgjodhi presidentin e ri, Volodimir Zelenskiy.

"Ne nuk kemi asnjë dëshirë të krijojmë probleme për administratën e re ukrainase. Por për njerëzit që jetojnë në territoret e tyre në republikat e Doneskut dhe Luhanskut, për të përballuar situatën ku u është privuar çdo e drejtë qytetare, kufiri nga pikëpamja e të drejtave të njeriut tashmë është tejkaluar. Ata nuk mund të zhvendosen normalisht, nuk mund t'i realizojnë nevojat dhe të drejtat e tyre elementare. Kjo është një çështje thjesht humanitare", tha presidenti Putin.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Ukrainës janë përkeqësuar në pesë vitet e fundit për shkak të mbështetjes së Kremlinit për separatistët e armatosur rusishtfolës në Ukrainën lindore dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha të mërkurën vonë se vendimi i Putinit "krijon një pengesë serioze" për zbatimin e marrëveshjeve të Minskut - nënshkruar nga Rusia – të cilat synonin t’i jepnin fund luftimeve në Ukrainën lindore dhe të rikthenin kontrollin e plotë të Ukrainës mbi rajonin.

Ministri i jashtëm ukrainas Pavlo Klimkin tha se dekreti i Putinit është "vazhdim i agresionit dhe ndërhyrjes në punët e brendshme të Ukrainës".

Zelenskiy, një aktor popullor i satirës, ka thënë se është gati për një dialog serioz me Rusinë për të zbatuar marrëveshjet e Minskut.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA