...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Shkatërrimi i shërbimit spitalor nga klasa politike dhe mungesa e aftësisë hetimore nga epidemiologët

Nëse hetojnë dhe mbikqyrin, epidemia mund të frenohet brenda një muaji

Ylli Përmeti

01/09/2020 - 17:25

Në vitin 1992 Shqipëria kishte 160 spitale dhe 14,000 shtretër (4 shtretër për 1000 banorë). Në vitin 1999 u bënë 50 spitale dhe shtretrit u bënë 9,600! Në vitin 2018 numri i spitaleve shkoi 55, sepse u shtuan spitalet private. Në fjalë të tjera, 42 janë spitale shtetërore dhe 13 spitale private (Instat). Numri i shtretërve shkoi në 3 për 1,000 banorë. Sektori i shëndetësisë punësonte 28,721 punonjës në vitin 1995 (European observatory on Health Care Systems) ndërsa në vitin 2018 punësonte 4,289 (Opendata).

Në Shqipëri paga mesatare e mjekëve është 450 euro, afërsisht sa gjysma e mesatares rajonale, ndërsa ka 1.2 mjekë për 1000 banorë—nivelin më të ulët në Evropë dhe ka 3.6 infermiere për po aq banorë kur Norvegjia, vendi me numrin më të lartë botëror, ka 4.82 mjekë dhe 17.81 infermierë për 1000 banorë! Por edhe ata që kemi nuk janë të gjithë të specializuar. Një raport i “Bankës Botërore-2017” citon se “35% e punonjësve në sektorin shëndetësor janë personel jomjekësor”! Në vend të tyre, spitalet janë mbushur me njerëz që nuk kanë lidhje me sektorin. Si duket janë mbushur me militantë. Për pasojë, vendi ynë zë vendin e parë në rajon për përqindjen e lartë të njerëzve ‘partiak’ të punësuar në spitale. Vetë ministria e shëndetësisë drejtohet nga ministre partiake: militante e partisë në pushtet.

Partitë, rrjedhimisht, nuk kanë shkatërruar vetëm infrastrukturën e shërbimit spitalor por edhe aftësinë mjekësore. Kjo është arsyeja se pse nuk ka punë kërkimore nga mjekët tanë. Përgjithësisht zbatojnë dijen e mjekëve të huaj, kryesisht amerikanë. Si të tillë, ata janë pasivë në dije. Dhe kjo është arsyeja se pse epidemiologët nuk kanë realizuar ndonjë studim lidhur me epidemitë dhe nuk kanë fituar dije për frenimin dhe kontrollin e tyre.

Dëftues është rrëfimi i një mjekjeje, kur i shkruan Silva Binos, shefes së Departamentit të Epidemilogjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive, se nuk ishte hetuar “zinxhiri i infektimit” as në rastin e infektimit të saj. Në fakt, ajo citon se “zinxhiri i hetimit nuk u krye as në rastin tim”! Ngatërrimi i “hetimit të zinxhirit” me “zinxhirin e hetimit” tregon ose pështjellim ose pakuptimësi të mënyrës se si realizohen hetimet në gjendje epidemie. Sidoqoftë, fakt është se mjekët tanë nuk kanë mësuar të hetojnë meqënse nuk kemi parë të publikohet as ndonjë hetim as edhe përmirësim të gjendjes. Kjo është arsyeja kryesore se pse epidemia u përkeqësua pas karantinës dhe jo, siç argumentojnë mjekët, sepse njerëzit janë të shkujdesur lidhur me masat. Kjo e fundit nuk përjashtohet nga shkaqet por nuk është shkaku kryesor: sepse kryesori lidhet me shtetin dhe shërbimin e tij spitalor, për të cilin mjekët nuk kanë zhvilluar asnjë betejë për përmirësimin e tij.        

Kështu, deri më 9 qershor në total u rregjistruan 35 vdekje dhe 1263 raste. Situata u përmbys në tre muajt që pasuan, me një shtim progresiv të viktimave, të të infektuarve si dhe të të shtruarve në spitale. Numri i vdekjeve thuajse u nëntëfishua duke shkuar mbi 320, ndërsa rastet e reja u rritën mbi 8 herë, duke kapur shifrën e mbi 10600 të infektuarve.

Gjatë muajve të parë të epidemisë (deri në fillim të gushtit) mungoi dhe vullnetarizmi i mjekëve shqiptarë të punësuar jashtë vendit për të frenuar përhapjen e infeksionit. Si pasojë, ndërhyri Banka Botërore me një ndihmë financiare për të mobilizuar 300 vetë për tre muaj duke mbuluar pagën mujore dhe duke shtuar dhe 32 ambulanca. Bashkë me këtë objektiv do të realizohet dhe trajinimi i 80 specialistëve për laboratorët. Kështu numri i tyre do të jetë 100 ndërsa do të rritet numri i shtretërve për kujdes intensiv: nga 18 në 58. Pas kësaj nisme ministrja argumentoi se rriti ekipet e terrenit të epidemiologëve: nga 54 në 70 bashkë me 12 njësi lëvizëse.

Gjykuar nga numri mesatar i të infektuarve që raportohen çdo ditë —rreth 140— dhe nga njerëzit e angazhuar në terren —70 ekipe, hamendësisht nga tre katër vetë ekipi dhe 300 vullnetarët e angazhaur nga BB— raporti mes të infektuarve çdo ditë dhe njerëzve dhe epidemiologëve në terren është i mjaftueshëm vetëm nëse dinë të hetojnë zinxhirin e përhapjes dhe zbatojnë ligjin mbi njerëzit e infektuar: i mbikqyrin ata dhe nuk i lënë të infektojnë të tjerët. Nëse hetojnë dhe mbikqyrin, epidemia mund të frenohet brenda një muaji. Ndryshe, virusin do ta kemi nëpër këmbë për shumë vjet.  

Lexo, për më shumë: 

Koronavirusi (Covid: 2019) dhe pandemitë botërore: shkaqet dhe rreziqet për Shqipërinë

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA