...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Vuçiçi, Rama, Zaevi përparojnë ‘federatën’ ballkanike dhe kapitalin perëndimor ndërsa Shqipëria shkombëtarizohet

Ne duam të shohim sa më shpejt të jetë e mundur se katër liritë e BE-së – lëvizja e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit – zbatohen në të gjithë rajonin

SHJ

29/06/2021 - 18:36

Nisma e "Minishengenit”, në rajonin e Ballkanit dhe jetësimi sa më parë i  kësaj nisme ishte tema kryesore e një takimi virtual që zhvilluan të martën me (29.06) kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç. Të tre udhëheqësit shprehën dëshirën që "liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit të fillojë të zbatohet sa më shpejt në të gjithë rajonin”.

Në një komunikatë të përbashkët për media, që u lëshua nga presidenca serbe thuhet se "të tria vendet do të vazhdojnë përpjekjet për të gjetur mënyra të reja, mundësi politike dhe instrumente financiare, në mënyrë që të rrisin kontributin e tyre në Evropë dhe të forcojnë lidhjet me Bashkimin Evropian”, duke integruar kështu gradualisht rajonin me tregun unik evropian.

Kosova nuk ka pranuar të jetë pjesë e nismës së "Minishengenit Ballkanik”, dhe për këtë arsye asnjë nga kryeministrat e Kosovës, as ky i fundit, Albin Kurti, nuk ka pranuar që të jetë pjesë e takimit. Ideja e hapjes së tregut ballkanik apo siç njihet "Minishengeni Ballkanik”, është një nismë e përbashkët e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev [...].

Ndonëse Kosova vazhdon të refuzojë të jetë pjesë e "Minishengenit Ballkanik”, në marrëveshjen për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruar me 4 shtator 2020, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, njëra nga pikat parasheh edhe bashkëpunimin e Kosovës në kuadër të Mini-Shengenit. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar nga ish-kryeministri Avdullah Hoti. Ndërsa, para se të fitonte zgjedhjet dhe të bëhej kryeministër, Albin Kurti, në mënyrë kategorike kundërshtonte idenë e "Minishengenit ballkanik”, dhe preferonte afrim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

"Parimet gjithëpërfshirës dhe të reciprocitetit duhet të udhëheqin nismat rajonale. Rruga nga Beogradi për në Tiranë kalon përmes Prishtinës. Ne jemi dhe gjithmonë do të jemi një popull dhe askush nuk mund të qëndrojë mes nesh. Ne na duhet më shumë bashkëpunim e jo konfrontim”, kishte thënë Albin Kurti.

Në nëntor të vitit 2020, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova, Shqipëria Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovina, nënshkruan në Sofje të Bullgarisë deklaratën mbi Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Thirrje BE dhe SHBA që të mbështesin zhvillimin e projekteve në Ballkan

E duke folur për "Agjendën e Gjelbër”, në takimin e sotëm virtual, Rama, Vuçiç dhe Zaev i bënë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara që të mbështesin "zhvillimin e projekteve në vendet e rajonit, përmes së cilave do të mund të investohej sa më shpejt të jetë e mundur në mbrojtjen dhe rritjen e përdorimit të gjerë të burimeve të rinovueshme, si pjesë e zbatimit të Planit Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor".

Në Samitin e Sofjes u fol edhe për lëvizjen e lirë në rajonin e Ballkanit. Për këtë Qeveria e Kosovës më 21 maj të këtij viti miratoi nismën për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, që do të lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor, por edhe të qytetarëve të vendeve tjera që hyjnë në këtë rajon.

"Nisma ka të bëjë me lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe palëve të treta. Me këtë marrëveshje rregullohen kushtet e hyrjes, lëvizjes dhe qëndrimit të qytetarëve të palëve të treta në territorin e vendeve në marrëveshje. Qytetarët e palëve të treta janë të gjithë personat që nuk janë shtetas të palëve nënshkruese, pra të këtyre vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thuhej në njoftimin e qeverisë së Kosovës.

Këto marrëveshje janë rezultat i zotimeve të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofjes, që u mbajt në nëntor të vitit 2020, në kuadër të Procesit të Berlinit. Pas takimit të sotëm virtual ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, të tre liderët ranë dakord për një takim tjetër më 29 korrik, që do të mbahet në Shkup. Në të do të shqyrtohet ecuria e zbatimit të iniciativave dhe projekteve ekzistuese dhe do të nënshkruhen marrëveshje shtesë për zbatimin e angazhimeve që dalin nga Procesi i Berlinit. Dw

Deklarata e përbashkët

Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë ZoranZaev, Kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut

29 qershor 2021

Një Ballkan Perëndimor Europian

Ne u takuam sot për të diskutuar hapat e mëtejshëm përpara në bashkëpunimin tonë rajonal, si një instrument me rëndësi jetike për vendet tona, për Ballkanin Perëndimor, për Europën dhe perspektivën europiane në tërësi.

Vendet tona janë dhe do të jenë gjithmonë pjesë e Europës. Ballkani Perëndimor ka nevojë për BashkimnEuropian, po aq sa Bashkimi Europian ka nevojë për të.

Dështimi i përsëritur i BE-së për të përmbushur premtimet e saj dhe paaftësia për të ecur përpara me hapjen e konferencave të para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është kundër vullnetit europian të vendeve tona dhe poaq, kundër interesave të vetëBE-së.

Historia dhe e ardhmja jonë janë europiane dhe ne jetojmë në një rajon të rrethuar nga kufijtë e Bashkimit Europian. Në kontekstin sfidues të krijuar nga një status quo tashmë e gjatë e Bashkimit Europian kundrejt procesit tonë të integrimit në BE, ne mbetemi edhe më të përkushtuar në rrugën tonë të BE-së dhe në bashkëpunimin tonë rajonal.

Ne duam të shohim sa më shpejt të jetë e mundur se katër liritë e BE-së – lëvizja e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit – zbatohen në të gjithë rajonin. Dhe ne do të bëjmë gjithçka është në dorën tonë për të arritur këtë qëllim me fuqinë e shembullit tonë. Në këtë frymë, ne do të shprehim mbështetjen tonë të plotë për tregun e përbashkët rajonal në Samitin e Procesit të Berlinit të 5 korrikut.

Ne e dimë se vetëm duke punuar bashkërisht dhe duke nxitur bashkëpunimin rajonal në kuadrin e iniciativave të ndryshme rajonale –si Tregu i Përbashkët Rajonal, Shengeni Rajonal, Korsitë e Gjelbërta e më gjerë, Procesi i Berlinit – mund të sjellim rezultate të prekshme për qytetarët tanë. Si një rajon me rreth 18 milionë njerëz, ne mund të forcojmë së bashku ekonomitë tona, të rritim mirëqenien e njerëzve dhe të sjellim investime të mëdha, që përndryshe nuk do të ishin të mundshme për secilin prej nesh veç e veç.

Më 29 korrik, ne do të takohemi fizikisht në Shkup për të shqyrtuar progresin dhe për të nënshkruar mes tre vendeve tona marrëveshje që zbatojnë angazhimet e Samitit të Berlinit, si marrëveshja për bashkëpunimin dhe ndihmën në rast të katastrofave natyrore dhe ajo për lehtësimin e tregtisë, eksporteve dhe importeve në vendet tona. Ne i ftojmë dhe inkurajojmë kolegët tanë në rajon të nënshkruajnë dhe zbatojnë marrëveshje të ngjashme në mënyrë që vizioni i hapësirës së përbashkët politike dhe ekonomike në të gjithë Ballkanin Perëndimor, nëpërmjet një tregu të përbashkët, të bëhet pjesë e qenësishme e jetës së përditshme të qytetarëve tanë. Në këtë frymë, ne shpresojmë të gjallërojmë procesin e bashkëpunimit midis nesh, në të gjithë rajonin, dhe do të vazhdojmë të bëjmë më të mirën për ta realizuar këtë.

Në dritën e vështirësive të shkaktuara nga vonesat në procesin e zgjerimit, ne besojmë se mund të identifikojmë akoma rrugë dhe sektorë të rinj të bashkëpunimit dhe instrumente financiarë, si dhe të forcojmë ato ekzistuese, në mënyrë që të rrisim kontributin tonë në Europë, marrëdhëniet tona me BE-në dhe të integrojmë rajonin gradualisht në Tregun e Vetëm Europian. Kështu që ne vendosëm sot t’i kërkojmë Bashkimit Europian, që bashkë me Shtetet e Bashkuara, të hedhin një hap përpara me ne e të na mbështesin ne dhe kolegët tanë në të gjithë rajonin.

Ne synojmë të zhvillojmë projekte të shpejta në zbatim dhe që sjellin investime, me qëllim ruajtjen e mjedisit dhe rritjen e përdorimit në shkallë të gjerë të burimeve të ripërtëritshme. Kjo do të ishte pjesë e zbatimit të Planit Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së si dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Vendet tona kanë potencial të madh për rritje të qëndrueshme dhe zhvillim në këtë sektor. Po ashtu, ne kërkojmë mbështetje konkrete për të identifikuar ato projekte të cilat, në shkallë të gjerë, mund ta kthejnë rajonin tonë në një burim të energjisë së rinovueshme, në të mirë të qytetarëve tanë ashtu dhe të ardhmes së gjelbër të BE-së. Shpresojmë që të mund të raportojmë progres për projekte konkrete deri në Samitin e vjeshtës së BE-së me Ballkanin Perëndimor.

Ne e dimë dhe e ritheksojmë rëndësinë që burimet e rajonit tone kanë për tranzicionin e gjelbër të Europës. Prandaj ne kërkojmë që Bashkimi Europian, në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, të jenë pjesë e zhvillimit të atyre burimeve, duke ndihmuar kështu BE-në të arrijë objektivat e saj dhe duke tërhequr, në të njëjtën kohë, më shumë investime për të gjithë rajonin tonë e duke e bërë atë pjesë të tranzicionit të gjelbër europian.

Mirëqenia e popujve tanë dhe lidhjet ekonomike me BE-në do të forcohen, ndërsa ne integrohemi më mirë në zinxhirët europianë të prodhimit dhe furnizimit e kontribuojmë kështu në autonominë strategjike të BE. Për këtë qëllim, ne jemi gati të bëjmë pjesën tonë dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta kthyer këtë përpjekje në një forcë të përbashkët për të përballuar sfidat e së ardhmes, si një rajon i tërë i të gjashtëve.

Shqipëria është Europë. Maqedonia e Veriut është Europë. Serbia është Europë. Ballkani Perëndimor është Europë. Ne do të punojmë fort ta kthejmë këtë në një realitet të përditshëm. Topchannel

Lexo për më shumë

Federata ballkanike, avantazhet serbe në tregun e rajonit dhe diplomacia e turpshme shqiptare

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA