...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Vizita e presidentit të Shqipërisë (Begajt) në Kosovë: dështim!

President zgjidhet një njeri që gëzon virtytin e drejtësisë në nivel të shkëlqyer; gëzon virtytin e përmbajtjes; dhe ka kontribuar në jetën e popullit të tij jo thjesht duke punuar si burokrat në institucionet e shtetit por mbi të gjitha të ketë spikatur në luftën e popullit për drejtësi me studime dhe kontribute fizike në protesta

Ylli Përmeti

17/08/2022 - 13:16

Presidenti i sapo zgjedhur i Shqipërisë, Bajram Begaj, bëri vizitën e parë në Kosovë gjatë 15 dhe 16 gushtit ku u takua me klasën politike pasi pati një ftesë nga e barasvlefshmja e tij Vjosa Osmani. Ai shkoi në prag të takimit të tretë mes Kurtit dhe Vuçiçit në Bruksel, 17 dhe 18 gusht, dhe në kohën kur tensionet mes shqiptarëve dhe serbëve janë të larta dhe kur tensionet mes superfuqive janë edhe më të larta. Begaj u zgjodh president nga qeveria “Rama” por pa kaluar nga përputhja e karakterit të tij me disa parakushte: se president zgjidhet një njeri që gëzon virtytin e drejtësisë në nivel të shkëlqyer; gëzon virtytin e përmbajtjes; dhe ka kontribuar në jetën e popullit të tij jo thjesht duke punuar si burokrat në institucionet e shtetit por mbi të gjitha të ketë spikatur në luftën e popullit për drejtësi me studime dhe kontribute fizike në protesta.

Nga këto parakushte presidenti i ri gëzon deri diku virtytin e përmbajtjes dhe kontributin e tij në institucionet shtetërore si mjek dhe ushtarak. Asgjë tjetër! 

Kandidatët profkëmëdhenj për president dhe nevoja për një shuplakë popullore

Në këto kushte, ai shkoi në Kosovë pa kuptuar rëndësinë e shkuarjes së tij atje: i papërgatitur! Thjesht takoi krerët e klasës politike atje ku përmendi disa herë të drejtën e autoritetit të Kosovës për t`u shtrirë në veri të vendit ku banorët serbë kundërshtojnë Prishtinën: sepse presidenti i republikës së Shqipërisë shkonte në Kosovë jo thjesht si president i një populli vëlla por si kryetar i një shteti që e ka fituar pavarësinë më shumë se një shekull më parë dhe është anëtar i OKB-së dhe shumë organizatave të tjera me karakter ndërkombëtar. Si i tillë, ai ka për detyrë të ndjekë zhvillimet politike dhe gjeopolitike në rajon dhe botë dhe ku ka padrejtësi lidhur me popullin e tij t`i denoncojë ato me qëllim ekspozimin e tyre në sytë e organizatave ndërkombëtare si OKB-ja dhe kërkimin e drejtësisë.

Këtë fakt e përmendi presidenti në fjalën e tij në takimin me të ngjashmen e tij, Osmanin. Por e përmendi në kontekstin e ndihmës sonë si vend për të integruar Kosovën në të njëjtët institucione (dhe në BE dhe Nato) dhe vetëm kaq dhe nuk përmendi asnjë padrejtësi të Serbisë! As padrejtësitë historike (jo thjesht luftën e fundit); as padrejtësitë aktuale në raport me Kosovën; as edhe në fund, padrejtësitë lidhur me Luginën e Preshevës!

Hamendësisht sepse nuk është studiues dhe i mungojnë si shënimet ashtu dhe gjykimet mbi fakte! Si pasojë, do të ishte e tepërt të kërkonim nga një president i tillë nevojën e njohjes së Kosovës nga Rusia me qëllim që të realizonim paqen me Serbinë. Thënia e tij se “së bashku fituam luftën, bashkë duhet të luftojmë për të ruajtur paqen”, pa treguar shkaqet e vërtetë se nga nxitet Beogradi për të nxitur tensione mes nesh, nuk ka asnjë kuptim. Për presidentin tonë, në fakt, ka kuptim: sepse si ai ashtu dhe e ngjashmja e tij shikojnë vetëm një shkak: Rusinë!            

Kjo e fundit tregon për ditë mjerimin e saj intelektual. Për shembull, në fjalinë e dytë të ligjëratës së saj drejtuar Begajt përdori togfjalshin që vijon: “zoti president mirësevini në shtetin simotër...”! Kështu e bëri fjalën “shtet” të gjinisë mashkullore, gjini femërore! Hamendësisht sepse i mungojnë parimet gjuhësore në mendje dhe nuk mund ta quante...“shtetin”...“sivëlla”. Ligjërata e saj ishte shkruajtur me probleme serioze gjuhësore (që nuk i lejohen as një nxënësi të klasës së tetë). Përmbajtja, gjithashtu, ishte e keqorientuar dhe me pretendime pa bazë shkencore. Për shembull, prirjet (“tendencat” the presidentja!) për çqendrueshmëri (“destabilizim” tha presidentja!) të Serbisë ndaj gjithë rajonit, ajo i lidhi me “interesat e Rusisë”!

Faktin se shoqëria serbe është e ndarë mes pro-perëndimorëve dhe pro-rusëve (me këta të fundit të mbizotërojnë që kur shpërtheu lufta në Ukrainë dhe kur BE-ja tregoi karakterin vasal të saj) në nivel shoqëror dhe ekonomik dhe partitë politike reflektojnë pikërisht këtë dinamikë, presidentja nuk e sheh! Lidhja e prirjeve për çqendrueshmëri rajonale nga Serbia vetëm me Rusinë, rrjedhimisht, nuk është thjesht e padrejtë dhe shtrembëron realitetin shoqëror të Serbisë, realitet i cili është shtysa kryesore e sjelljes agresive e qeverisë “Vuçiç”, pas të cilit rend Rusia, jo sepse e ka “xhan” Serbinë, por kryesisht sepse është rivale gjeopolitike e Uashingtonit prej të cilit klasa jonë politike mbushet me trimëri dhe mençuri dhe përdor retorikë armiqësore ndaj Moskës, nuk i shërben as të vërtetës as popullit: sepse i përgjigjet retorikës beogradaze thuajse me të njëjtën retorikë, duke e keqparaqitur realitetin!          

Në fund, presidenti ynë nuk arriti dot të bashkonte as klasën politike atje siç synonte: në kuvend. LDK-ja, për shembull, refuzoi të shkonte në kuvend për ta takuar, sepse e mirëpriste atë në godinën e saj. Synimi i tij për t`i takuar të gjithë krerët e partive politike në një tryezë, për të cilin ai tha se ishte “i pamundur”, pa sqaruar bindshëm se pse ishte ishte i pamundur, rrjedhimisht, dështoi. Nga kjo vizitë kuptojmë dhe të ardhmen politike të presidentit Begaj dhe kontributin e tij për të drejtat e popullit tonë në të ardhmen: ai do të jetë pa asnjë efekt!

Por u njoftua një “lajm” i mirë nga Osmani: nevoja e nënshkrimit të një traktati mes nesh “për mbrojtje të ndërsjellë” me qëllim që të mbrohemi nëse sulmohemi nga fqinjët tanë. Në këtë fazë traktati në fjalë është tejet i nevojshëm. Por ai nuk paralelizohet me një përpjekje serioze për paqe me Serbinë―domethënë, përpjekja që duhet të bëjë klasa jonë politike, në Tiranë dhe Prishtinë, për t`i “treguar vendin” Serbisë, jo duke përdorur propagandën e zezë të Uashingtonit (duke treguar Rusinë si shkaktare të tensioneve në rajon dhe jo Serbinë dhe dinamikën shoqërore atje përmes së cilës krijon bindjen se ne kërcënohemi nga Rusia dhe jo nga Serbia) por duke përdorur si institucionet ndërkombëtare (OKB etj.) dhe të drejtën ndërkombëtare ashtu dhe nevojën e njohjes së Kosovës nga Rusia. 

Lajthitja e Kurtit me Transnistrinë dhe nevoja e njohjes së Kosovës nga Rusia

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA