Shërbimet sekrete për rusët e kapur në uzinën e Gramshit po e bëjnë “vërën” e ujit “tërkuzë”
Argumenti i shërbimeve tona për të bërë lidhjen mes zotërimit të fishekut dhe “qëllimit” të ministrisë së jashtme ruse për të “demaskuar” Shqipërinë në OKB, është qesharak për mos të thënë idiot për sa kohë që ky fakt është pranuar nga shërbimet tona ―se ne prodhojmë fishekun në fjalë― dhe rusët mund ta përdorin si fakt.
Ylli Përmeti
21/08/2022 - 14:09
Kur e lexova si fillim njoftimin se dy “agjentë” rusë dhe një ukrainas shkuan në uzinën mekanike të armëve në Gramsh për të fotografuar “sekretet” e uzinës mendova se ndoshta kanë dyshuar në Kremlin për ndonjë uzinë ushtarake që furnizonte ushtrinë e Ukrainës. Por pas kësaj ngjarje u njoftuan të dhëna të tjera: se ata vërtet fotografonin uzina të ngjashme në Bullgari, Gjeorgji, Greqi dhe Itali dhe i publikonin në blogun e tyre.
Por pas kësaj të dhëne drejtoria e anti-terrorit dhe shërbimet tona sekrete thanë se “me të gjitha gjasat kemi të bëjmë me një skuadër të shërbimit sekret ushtarak rus GRU me mision të pastër spiunazhi në vendin tonë. Të kamufluar si blogerë të tre rusët e marrë në pyetje dyshohet se janë të mirë-trajnuar për operacione zbulimi. Vendosja në fokus e uzinës të Gramshit nga GRU ruse, nuk është aspak e rastësishme”.
Për t`i dhënë karakter të vërtetë dyshimit shërbimet tona anonime thonë “se prej disa muajsh në këtë uzinë po zhvillohen teste për të prodhuar një fishek të kalibrit 5.56 mm. Ky lloj municioni përdoret për automatikët M14 në përdorim nga forca tokësore e ushtrisë shqiptare dhe disa vende të NATO-S”.
Por po të shihen se çfarë kishin fotografuar “agjentët” kuptohet se vetëm për “fishekun” e forcave tona të armatosura nuk bëhet fjalë.
Më pas u njoftua se një nga “agjentët”, Svetlana Timofeena e njohur ndryshe si Lana Sator ka një përvojë të gjatë me fotografitë e kësaj natyre shumë prej të cilave i ka realizuar dhe në Rusi ku është gjobitur për shkeljet e ligjeve meqë atje ndalohet të fotografohen objektet sekrete por ajo ka vazhduar punën e saj aq sa blogerët janë quajtur nga autoritet ruse si “minj të pacipë”.
Dyshime u ngritën për mënyrën e reagimit të njërit prej tyre brenda ndërtesës ndaj dy rojeve i cili përdori një spërkatëse (“sprej” tha ministri i mbrojtjes) lënda e së cilës u tha se i paralizoi dhe verboi por pas një vizite në spital dolën shëndosh e mirë. Dyshime të tjerë u ngritën për mjetet e sekuestruara: një dron, kaçavida dhe çelësa anglezë. Në rastin e parë dyshuesit e kanë të vështirë të kuptojnë se “agjentët” janë në dijeni se shkelin ligjet kur hyjnë në ndërtesa të tilla dhe për t`u mbrojtur nga rojet përdorin edhe mjete të rrezikshme për shëndetin e njeriut që në këtë rast nuk ishin dhe aq të rrezikshme; në rastin e dytë dyshuesit harrojnë se “agjentët” për të bërë fotografi përdorin dhe dron. Këta të fundit janë bërë të modës dhe përdoren nga çdo kreshtar...
Për ngjarjen foli presidenti duke kërkuar “zbardhjen” e saj pas të cilit rendën dhe disa deputetë duke përgëzuar përpjekjen “heroike” të rojeve të ndërtesës, të cilët kapën “agjentët”. Pas tyre foli dhe ambasadorja amerikane e cila kishte folur me ministrin e mbrojtjes për të hetuar ngjarjen. Nuk mungoi reagimi i Berishës i cili kërkoi ndalimin e dhënies së vizave për shtetasit rusë. Ndaj tij reagoi Rama duke i quajtur “gjela laramanë” që “ia marrin avazit majë plehut të interesave të tyre mezarabël”, duke përgëzuar rojet dhe duke e quajtur ngjarjen “dyshim për spiunazh”.
Prokuroria e Elbasanit regjistroi çështjen dhe ngriti tre akuza duke u bazuar në dy nene: Neni 214, sigurimi dhe dhënia e informacioneve ushtarake një shteti të huaj me qëllim cenimin e pavarësisë; dhe neni 237, goditje për shkak të detyrës dhe mbajtje e armëve të ftohta pasi mbajtja e neuropalizuesve profesionale futet tek armët e ftohta.
“Lajmin” media ndërkombëtare e vendosi të dytin pas lajmit lidhur me vrasjen e bijës së Duginit, “babain” e eurazianizmit. Këtë të fundit e paraqesin si ultranacionalist dhe ndonjëherë dhe si fashist dhe e lidhin drejtpërdrejt me Putinin: se ai ndikon në vendimet e Putinit! Qëllimi është t`i japin karakter fashist luftës së Putinit në Ukrainë.
Por e vërteta qendron ndryshe: Dugini është munduar të kontribojë në kuptimin e realitetit të botës ku jetojmë dhe ka përpunuar idenë e eurazianizmit me qëllim që ta bëjë pjesë të politikës së Moskës. Por në vendimet e Putinit vështirë të thuhet se ndikon për sa kohë që s`është këshilltar i tij. Madje thuhet se është pushuar dhe nga puna në Universitetin Shtetëror të Moskës pasi kritikët e tij e interpretuan thirrjen e tij për vrasjen e atyre që qendronin pas grushtit të shtetit në Kiev si genocid...
Aleksandër Dugin: ç`është eurazianizmi – sfiduesi i globalizmit neoliberal?
Por është e qartë se bëhet fjalë për blogerë të dashuruar pas ndërtesave të vjetra të cilët për të realizuar “dashurinë” e tyre shkelin ligjet kudo dhe bëhen dhe të rrezikshëm për shëndetin e rojeve të ndërtesave. Është e qartë, gjithashtu, se klasa jonë politike, bëri një vërë në ujë me kapjen e blogerëve dhe me sigurinë tonë kombëtare. Madje thuhet se uzina e Gramshit s`ka as energji elektrike. Lëre më të na shërbejë për sigurinë kombëtare.
Kujtoj se uzina ishte një ndër perlat e qeverisë komuniste të shekullit të kaluar e cila siguronte armë për këmbësorinë e ushtrisë shqiptare. Ajo u ndërtua me ndihmën e kinezëve dhe inxhinierët dhe specialistët shqiptarë të trajinuar për 5 vjet në Kinë. Aktualisht ndërtesa është e shkretuar dhe thuajse e braktisur tërësisht.

Tërkuza me akuzën
Një ditë pasi shërbimet tona sekrete hodhën gjasat se kemi të bëjmë me një skuadër të shërbimit sekret ushtarak rus GRU për të zbuluar se nëse në uzinë prodhohet fisheku i kalibrit 5.56 mm, i cili përdoret nga automatikët M14 të forcave tona dhe disa vende të Nato-s, u njoftua se në makinën e sekuestruar u gjet një fishek model 5.56 mm. Sipas shërbimeve tona, “agjentët” erdhën në Shqipëri që të vërtetonin se ne prodhojmë fishekun në fjalë, sepse ata janë dërguar si ndihmë ushtarake në Ukrainë prej vendeve të Nato-s.
Sipas të njëjtit shërbim për GRU-në ky vërtetim ishte “tepër me vlerë”. Ndaj dhe tentativa e tyre për të fotografuar në uzinë lidhet me “këtë lloj municioni” dhe se qëllimi final është që të përdoren më pas politikisht këto filmime nga Ministria e Punëve të Jashtme Ruse për të ngritur akuza ndaj Shqipërisë si vend furnizimi me municion të Ukrainës, të cilat “do të amplifikoheshin në Këshillin e Sigurimit nga ambasadori rus si kundërpëgjigje për qendrimet e forta e kritikuese të Shqipërisë shtatë muajt e fundit në Këshill, që prej nisjes së pushtimit rus ndaj Ukrainës”.
Po të njëjtën ditë u njoftua se një nga rusët e arrestuar pranoi se “ishte porositur për të bërë fotografi në disa vende të Shqipërisë” dhe ishte kontaktuar nga agjentë rusë për të bërë fotografi të objekteve të rëndësisë së veçantë si uzina ushtarake, porte dhe ujësjellës në vendin tonë por se nuk ka më shumë të dhëna për ta ndësa të arrestuarit gjykohen këtë javë.
Ndërsa deri tani nuk kemi parë ndonjë provë të besueshme (p.sh. ndonjë procesverbal) lidhur me pranimin e rusëve për bashkëpunim me agjentë të shërbimeve sekrete ruse dhe mundësia për bashkëpunim nuk përjashtohet, as përjashtohet sajimi i këtij “pranimi” nga shërbimet tona, argumenti i shërbimeve tona për të bërë lidhjen mes zotërimit të fishekut dhe “qëllimit” të ministrisë së jashtme ruse për të “demaskuar” Shqipërinë në OKB, është qesharak për mos të thënë idiot për sa kohë që ky fakt është pranuar nga shërbimet tona ―se ne prodhojmë fishekun në fjalë― dhe rusët mund ta përdorin si fakt.
Madje është pranuar që në qershor nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksportit të Mallrave Ushtarake në Tiranë se “Republika e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s, i ka dhënë kontributin e saj shtetit të Ukrainës, nëpërmjet dërgimit të mallrave dhe pajisjeve ushtarake. Këto mallra dhe pajisje janë dhuratë e qeverisë së Republikës së Shqipërisë për qeverinë e Ukrainës”.
Dërgimi i armëve është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Rusia s`e ndalon dot as Shqipërinë as vendet e tjerë. Nuk është e rastit që Rusia ka kritikuar muajt e fundit llojin e armëve të dërguar në Ukrainë (kryesisht armët që mund të sulmojnë në tokën ruse, raktetat me rreze të gjatë etj.) dhe jo armët në vetëvete; pikërisht sepse dërgimi i armëve në një shtet tjetër është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare; kjo e fundit ndalon vetëm tregun e paligjshëm të tyre ose tregun e zi siç njihet ndryshe dhe armët kimike dhe biologjike.
Se çfarë është për t`u shqetësuar në këtë çështje është se e drejta ndërkombëtare mbi tregun e armëve nxit shtetet të mendohen mirë për efektin e tyre mbi popujt. Nëse kjo anë e të drejtës në fjalë shfrytëzohet nga Rusia në të ardhmen ―që besoj se do të shfrytëzohet― ne, bashkë me aleatët tanë, do të akuzohemi si shtet se kemi kontribuar në vrasjen e qytetarëve rusë të papërfshirë në luftë. Akuza ruse mund të çojë në kërkimin e dëmshpërblimit...
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 185 reads



