...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

SHBA-ja i përgjigjet me sanksione Iranit pas pretendimit për sulme kibernetike

Qeveria Rama akuzoi sot Iranin si autor të sulmit masiv kibernetik që goditi më 15 korrik sistemet e saj të teknologjisë së informacionit,

Voa

07/09/2022 - 14:25

Në Shqipëri, qeveria akuzoi sot Iranin si autor të sulmit masiv kibernetik që goditi më 15 korrik sistemet e saj të teknologjisë së informacionit, duke paralizuar për disa ditë të gjithë shërbimet online. Kryeministri Edi Rama njoftoi në mesditë vendimin për ndërprerjen “me efekt të menjëhershëm”, të marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet.

“Në bashkëpunim me agjenci të specializuara partnere të anti-terrorit digjital, të cilat sollën në Tiranë skuadrat e tyre, u arrit të zbulohej fillimisht, pa asnjë hije dyshimi, se sulmi i 15 korrikut mbi Shqipërinë nuk ishte një operacion individësh apo grupesh të pavarura në botën e krimit të organizuar kibernetik, por një agresion shtetëror”, deklaroi kryeministri Edi Rama në një dalje të posaçme publike.

Lexo analizën: “Microsoft-i” nxjerr blof vendimin e qeverisë “Rama” për prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin

Ai shpjegoi se “hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë. Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkëautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron”.

Vendimi për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin i është njoftuar me notë zyrtare ambasadës në Tiranë së cilës “i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës se Shqipërisë i te gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përshfirë edhe personelin e sigurisë”.

Operacionet e mbuluara të Iranit në Shqipëri dhe sulmi me dron

Kryeministri Rama deklaroi se “kjo masë ekstreme, aspak e dëshiruar, po krejtësisht e detyruar, është në proporcion të plotë me seriozitetin dhe rrezikshmërinë e sulmit kibernetik, i cili kërcënoi paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve dhe grabitjen e të dhënave shtetërore, vjedhjen e komunikimeve elektronike brenda sistemit qeveritar dhe nxitjen e pasigurisë e të kaosit në vend”.

Kryeministri shpjegoi gjithashtu se qeveria ka informuar “aleatët tanë strategjikë, vendet partnere të NATO-s dhe disa vende të tjera mike, me të cilat kemi ndarë edhe rezultatet e pakundërshtueshme të hetimit që provon burimin e agresionit ndaj vendit tonë”.

Edhe me herët Shqipëria ka shpallur të padëshirueshëm pjestarë të ambasadës iraniane në Tiranë, përfshirë dhe ambasadorin e saj në vitin 2018, nën dyshimet për përfshirje në “veprimtari që cënojnë sigurinë” e vendit.

SHBA dënon sulmin kibernetik të Iranit kundër Shqipërisë

Shtetet e Bashkuara dënuan sot sulmin kibernetik të Iranit kundër Shqipërisë. Zëdhënësja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, Adrienne Watson, shprehet në një deklaratë se "Shtetet e Bashkuara mbështesin thirrjen e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, që Irani të mbahet përgjegjës për sulmin e paprecedentë kibernetik".

Shtetet e Bashkuara, thuhet më tej në deklaratë, do të marrin masa të tjera ndaj Iranit për sulmin që kërcënon sigurinë e një aleati të Shteteve e të Bashkaura, si dhe për precedentin e rrezikshëm që krijon për sulmet kibernetike.

Për javë të tëra, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, Shtetet e Bashkuara kanë bashkëpunuar me partnerë të sektorit privat për të mbështetur Shqipërinë të zbusë, kapërcejë dhe hetojë sulmin kibernetik të 15 korrikut, që dëmtoi të dhënat e qeverisë dhe nxorri jashtë funksionimit shërbimet qeveritare për publikun.

Shtetet e Bashkuara, thotë deklarata, kanë arritur në përfundimin se ishte qeveria e Iranit ajo që ndërmorri këtë sulm të papërgjegjshëm. Irani, thotë Shtëpia e Bardhë, ka shkeluar normat që duhet të ndjekë një shtet i përgjegjshëm paqësor përsa i përket sigurisë kibernetike, siç është mos-dëmtimi i infrastrukturës kritike, që ofron shërbime për publikun.

"Aktivitetet keqdashëse kibernetike që dëmtojnë qëllimisht infrastrukturën mund të kenë pasoja zinxhir për vendin, rajonin dhe më gjerë dhe mund të çojnë në përshkallëzime ose konflikte", thotë Shtëpia e Bardhë.

Komplot kundër Iranit

Ndërsa në mbrëmje personeli i ambasadës iraniane në Tiranë po përgatitej për të lënë godinën, në bazë të vendimit të marrë nga qeveria shqiptare, ministria e Jashtme e Iranit i konsideroi “pretendime të pabaza” akuzat e autoriteteve shqiptare, dhe një “veprim të pamenduar dhe dritëshkurtër në marrëdhëniet ndërkombëtare”, ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Në deklaratën e ministrisë së Jashtme iraniane pretendohet se “vende të treta që mbështesin terrorizmin kanë luajtur rol kyç në vendimin e gabuar të Shqipërisë”, ndërsa shtohet me tej se sipas saj, deklaratat e shpejta të SHBA-ve dhe Izraelit në mbështetje të vendimit të Shqipërisë “tregojnë një komplot dhe fushatë të re kundër Iranit”.

SHBA dhe Nato mbështetje për Shqipërinë pas sulmit kibernetik nga Irani

Këshilltari i Presidetit Biden për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan zhvilloi një bisedë telefonike me Kryeministrin Edi Rama, për t'i shprehur mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë pas sulmit kibernetik të Iranit më 15 korrik, sipas një deklarate nga Shtëpia e Bardhë. Sipas njoftimit të dy vendet do të vazhdojnë të punojnë së bashku në përpjekjet e Shqipërisë për të forcuar masat e sigurisë kibernetike.

Zoti Sullivan shprehu po ashtu vlerësimin për pritjen nga Shqipëria të shtetasve afganë që u evakuan nga ky vend, pas tërheqjes së forcave amerikane.

NATO-ja tha se solidarizohet me Shqipërinë dhe dënon sulmin kibernetik të Iranit ndaj saj. Në një komunikatë të Këshillit të Atlantikut të Veriut, nënvizohet se “aleatët njohin deklaratat e Shqipërisë dhe aleatëve të tjerë që ia atribuojnë përgjegjësinë për sulmin kibernetik Qeverisë së Iranit. Ne dënojmë fuqishëm aktivitete të tilla keqdashëse kibernetike të krijuara për të destabilizuar dhe dëmtuar sigurinë e një aleati dhe për të prishur jetën e përditshme të qytetarëve”.

Ndërsa thuhet se “NATO dhe aleatët e mbështesin Shqipërinë në forcimin e aftësive të saj të mbrojtjes kibernetike”, deklarata thekson më tej se “ne do të vazhdojmë të rrisim mbrojtjen tonë kundër aktiviteteve të tilla keqdashëse kibernetike në të ardhmen dhe të mbështesim njëri-tjetrin për të penguar, mbrojtur dhe kundërshtuar spektrin e plotë të kërcënimeve kibernetike, duke përfshirë, marrjen në konsideratë të përgjigjeve të mundshme kolektive”.

Deklarata përfunon me një thirrje drejtuar të gjitha shteteve që “të respektojnë angazhimet e tyre ndërkombëtare për të mbështetur një qasje të bazuar në norma ndaj hapësirës kibernetike”.

SHBA, sanksione ndaj Iranit për sulme kibernetike, përfshirë atë ndaj Shqipërisë

Shtetet e Bashkuara njoftuan të premten vendosjen e sanksioneve ndaj Ministrisë iraniane të Zbulimit dhe Sigurisë dhe ministrit të saj Esmail Khatibi për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre, duke përmendur mes këtyre aktiviteteve, sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.

Në njoftimin e Departamentit amerikan të Thesarit thuhet se në korrik 2022, aktorët e sulmeve kibernetike, me mbështetje e qeverisë së Iranit dhe Ministrisë iraniane të Zbulimit dhe Sigurisë, ndërprenë sistemet kompjuterike të qeverisë shqiptare, duke e detyruar qeverinë të pezullojë shërbimet publike online për qytetarët e saj.

"Sulmi kibernetik i Iranit kundër Shqipërisë shpërfill normat e veprimeve të përgjegjshme shtetërore në kohë paqeje në hapësirën kibernetike, ku përfshihet norma për të mos dëmtuar infrastrukturën kritike që ofron shërbime për publikun," tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Zbulimin Financiar, Brian E. Nelson.

"Ne nuk do të tolerojmë aktivitetet kibernetike gjithnjë e më agresive të Iranit që vënë në shënjestër Shtetet e Bashkuara ose aleatët dhe partnerët tanë."

Në njoftimin e Departamentit të Thesarit thuhet se që nga viti 2007 kjo ministri ka kryer operacione keqdashëse kibernetike që kanë vënë në shënjestër një numër organizatash qeveritare dhe të sektorit privat në mbarë botën dhe në sektorë të ndryshëm të infrastrukturës kritike.

Si rezultat i përcaktimit të sotëm të Minisrisë dhe Ministrit, Esmail Khatibi të gjitha pronat dhe interesat në pronësi të tyre, që janë nën juridiksionin e Shteteve të Bashkuara bllokohen dhe amerikanëve u ndalohet të hyjnë në transaksione me ta.

Po ashtu, çdo biznes, që zotërohet në masën 50 për qind ose më shumë, nga personat apo entitetet e vëna nën saknsione, gjithashtu do të bllokohet.

Edhe personat jo amerikanë që angazhohen në transaksione të caktuara me këta persona mund të bëhen objekt sanksionesh dhe çdo institucion financiar i huaj që me vetëdije kryen ose lehtëson një transaksion të rëndësishëm për ose në emër të personave të caktuar, mund t'u nënshtrohet sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara.

Një ditë më pas sulmohet sistemi TIMS

Autoritetet njoftuan se Irani ka goditur sërish një prej sisteme të rëndësishme informatike, atë të regjistrimit të hyrje-daljeve nga vendi, i njohur si sistemi TIMS. “Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS”, bëri të ditur kryeministri Edi Rama në një postim në Twitter.

Burime zyrtare nga policia shqiptare i thanë Zërit të Amerikës se “bëhet fjalë për një sulm masiv, i ngjashëm me atë të 15 korrikut”, që goditi të gjithë strukturën e sistemeve qeveritare të informacionit. Të njejtat burime shpjeguan se sulmi është vënë re shpejt, dhe se autoritetet menjëherë kanë fikur sistemin për të shmangur dëmet e mundshme. “Ndërkohë, vazhdojmë të punojmë përditë pa orar me aleatët për t'i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”, shkruajti kryeministri Rama.

Aktualisht në pikat kufitare po punohet manualisht për rregjistrimin e qytetarëve dhe mjeteve që hyjnë e dalin nga vendi. Zëri i Amerikës, ka mësuar se po bëhet verifikimi i imtësishëm i sistemit dhe se shumë shpejt ai pritet të vihet në funksion, ndoshta fillimisht në aeroportin “Nënë Tereza”.

Sulmi i mbrëmshëm pason vendimin e tre ditëve më parë të qeverisë shqiptare për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, si reagim ndaj sulmit masiv kibernetik të muajit korrik, dhe njoftimin e djeshëm të Shteteve të Bashkuara, për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Ministrisë iraniane të Zbulimit dhe Sigurisë dhe ministrit të saj Esmail Khatibi për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre, duke përmendur mes këtyre aktiviteteve, sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.

Irani reagoi duke hedhur poshtë akuzat. Sipas zëdhënësit të ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanani, i cituar nga mediat vendase, “mbështetja e menjëhershme e Shteteve të Bashkuara ndaj akuzave fallso të qeverisë shqiptare dhe veprimi i nxituar i Uashingtonit, për sanksione të reja, të bazuara në akuza të paprovuara dëshmojnë qartësisht se ky skenar është hartuar nga administrata amerikane, e jo nga qeveria shqiptare. Tirana ra viktimë e skenarit që Uashingtoni sajoi kundër Republikës Islamike të Iranit”, mësohet të ketë deklaruar zëdhënësi.

Përditësuar 10/9/2022

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA