Gjermania rifillon Procesin e Berlinit për ‘federalizimin’ e Ballkanit Perëndimor
Shkaku kryesor i mbledhjes së ministrave të Punëve të Brendshme është përgatitja për Samitin e Procesit të Berlinit, që pritet të zhvillohet më 3 nëntor në Berlin
DW
20/10/2022 - 08:29
Çështje të sigurisë së brendshme dhe të migracionit të paligjshëm do të jenë në fokus të konferencës së parë ministrore të Ballkanit Perëndimor të enjten, më 20.10. në Berlin. Krahas ministrave të Brendshëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në konferencë do të marrin pjesë edhe përfaqësues të dhjetë vendeve të tjera pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit, si Franca, Britania e Madhe, Italia, Austria, Sllovenia, Bullgaria, Polonia, Greqia, Kroacia, si edhe Çekia, si përfaqësuese e presidencës së radhës së BE-së, bëri të ditur të mërkurën në Berlin zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme gjermane, Maximillian Kail. E ftuar në takim është edhe komisionierja e BE-së për Çështje të Brendshme, Ylva Johannson.
Më shumë presion ndaj Serbisë
Megjithëse konferenca zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit, në fokus të saj priten të jenë flukset e migracionit të paligjshëm, me të cilat përballet aktualisht Gjermania. Rreth 400 imigrantë në ditë kapen nga Policia Federale gjermane duke hyrë në mënyrë të paligjshme në Gjermani, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Kail. Sipas tij, shumica vijnë nëpërmjet Çekisë dhe Austrisë, kështu që ekspertët dyshojnë se këtu luan një rol të madh i ashtuquajturi Itinerar i Ballkanit.
Autoritetet gjermane janë të mendimit se këtu luan rol edhe politika liberale e vizave të Serbisë ndaj 25 shteteve, për qytetarët e të cilëve BE kërkon viza. Kail tha se Gjermania po kërkon që Serbia ta ndryshojë sa më shpejt politikën e vizave: "Serbia ka thënë se do ta ndryshojë këtë në fund të vitit, por për ne ka rëndësi që kjo të ndodhë sa më shpejt”, tha zëdhënësi. "Shtetasit e 25 vendeve që nuk lejohen të udhëtojnë pa vizë në BE, mund të hyjnë pa vizë në Serbi, dhe ky është një shkak për rritjen hyrjeve të paligjshme.”
Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Brendshme gjermane, shumë syresh kërkojnë azil në Gjermani, e cila vetë po përballet me një fluks të madh refugjatësh nga Ukraina: "Situata e refugjatëve në Gjermani është shumë e tensionuar. Mbi një milionë kanë ardhur nga Ukraina, prandaj edhe duam ta luftojmë fenomenin e migracionit të paligjshëm”, tha zëdhënësi i ministrisë. Sipas ministrisë gjermane të punëve të brendshme në takim do të flitet edhe për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Tre marrëveshje të reja?
Në fakt, shkaku kryesor i mbledhjes së ministrave të Punëve të Brendshme është përgatitja për Samitin e Procesit të Berlinit, që pritet të zhvillohet më 3 nëntor në Berlin. Kancelari gjerman Olaf Scholz dëshiron që t'i japë një impuls të ri nismës së kancelares Angela Merkel. Procesi i Berlinit synon të avancojë afrimin e shteteve me BE-në, duke kontribuar në përmirësimin e situatës ekonomike dhe promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Po në kuadër të Procesit të Berlinit, të premten, më 21.10. 22 do të zhvillohet, në të njëjtin format konferenca e ministrave të jashtëm. Sipas zëdhënësit të ministrisë gjermane të punëve të jashtme, Christofer Burger, takimi i ministrave të jashtëm ka të bëjë veçanërisht me marrjen e hapave konkretë për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht me synimin për krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal.” Tema të tjera përfshijnë sigurinë energjetike dhe axhendën e përbashkët të gjelbër. Dy tema këto që do të trajtohen edhe në ministerialin e tretë të ministrave të energjisë, në të njëjtin format, të hënën, më 24.10. po në Berlin.
Sipas burimeve të DW nga qarqe të ndryshme diplomatike, shpresohet që në këtë samit të arrihet progres për së paku tre prej katër marrëveshjeve të dakordësuara që në Samitin e Sofjes, në nëntor të vitit 2020: Lëvizja e lirë me karta identiteti e shtetasve të Ballkanit Perëndimor, njohja e diplomave të shkollave të larta, si edhe njohja e kualifikimeve për tri profesione, mjekët, stomatologët dhe arkitektët. Marrëveshja e katërt, e cila synon të rregullojë lëvizjen e lirë të qytetarëve nga vende të treta, por që janë rezidentë në rajon, sipas burimeve, ka nevojë ende për dakordësim.
Marrëveshja e vetme e dalë nga Procesi i Berlinit dhe që ka sjellë rezultate të dukshme, është ajo e heqjes së tarifave roaming mes vendeve të rajonit. Marrëveshjet e tjera kanë dështuar sidomos për shkak të faktit që dy vende të rajonit, Serbia dhe Bosnja-Hercegovina nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur. Paralelisht me konferencat në nivel ministror, po zhvillohen edhe një sërë aktivitetesh të tjera të shoqërisë civile.
Vendet e Ballkanit Perëndimor bien dakord për lëvizjen e lirë mes tyre
Ministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor pajtohen për udhëtimin pa viza midis tyre dhe për njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale, duke hedhur një hap drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kjo u bë e ditur nga ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalina Berbok Baerbock, gjatë takimit të ministrave të jashtëm të vendeve të përfshira në Procesin e Berlinit, e cila theksoi se këta janë hapa historikë, që ndryshojnë jetën e njerëzve.
“Kjo do të thotë që studentët nga Shqipëria mund të përdorin diplomën e tyre për të vazhduar studimet në Maqedoninë e Veriut dhe se një arkitekt nga Serbia mund të shkojë dhe të punojë në Mal të Zi. Fundja kjo është gjithçka me të cilën ka të bëjë tregu i brendshëm evropian”, tha zonja Baerbock.
Në takim u tha se përfitimin më të madh nga kjo marrëveshje do ta kenë qytetarët nga Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, të cilët nuk mund të udhëtojnë pa viza.
Dokumenti përfundimtar pritet të nënshkruhet me 3 nëntori në Berlin, ku pritet të mbahet takimi i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor dhe të dhjetë vendeve të tjera pjesëmarrëse të Procesit të Berlinit, si dhe përfaqësuesve të Këshillit dhe Komisionit Evropian.
“Duke nënshkruar të marrëveshjet në takimin e ardhshëm në nëntor, ju po bëni një hap të rëndësishëm përpara në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ju po e bëni jetën e qytetarëve tuaj më të lehtë dhe po ndihmoni kompanitë tuaja të nxisin tregtinë dhe rritjen ekonomike në të gjithë rajonin”, tha ajo.
Udhëheqësit e Kosovës kanë theksuar se procesi i Berlinit është një nismë gjithëpërfshirëse ku të gjitha shtetet janë të barabarta dhe kanë kundërshtuar cdo nismë që sipas tyre mund të shfaqet si alternative ndaj këtij procesi, përfshirë nismën Ballkani i Hapur që u hodh nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Shtetet e Bashkuara e mbështesin nismën për Ballkanin e Hapur dhe i kanë bërë thirrje Kosovës të bëhet pjesë e saj, por i dërguari për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ka theksuar se ajo është një nismë ekonomike që mund të ketë sukses vetëm nëse do të përfshijë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor si të barabarta.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla tha të premten në Berlin se “nga Procesi i Berlinit, padyshim që presim një bashkëpunim të thelluar në rajonin tonë. Ne gjithashtu presim që Procesi i Berlinit të marrë një vrull dhe dëshirojmë t'i shprehim mirënjohjen tonë qeverisë gjermane për rifillimin e procesit. Integrimi i rajonit në BE dhe integrimi evropian-atlantik është shumë i rëndësishëm”, tha ajo.
Procesi i Berlinit i cili u ringjall nga kancelari gjerman Olaf Scholz, u hodh në vitin 2014 nga ish kancelaria gjermane Angela Merkel me synim thellimin e bashkërendimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.
Durimi i disa vendeve të Ballkanit Perëndimor që janë në pritje të anëtarësimit po mbaron dhe kritikët e ritmit të ngadaltë të zgjerimit të bllokut thonë se kjo u lë hapësirë Rusisë dhe Kinës për të zgjeruar ndikimin e tyre në rajon.
Ministrja e jashtme gjermane tha është përparësi e qeverisë së saj që të përfshijë vendet e Ballkanit Perëndimor në bllok për të siguruar qëndrueshmëri dhe përparim ekonomik, ndërsa bëri thirrje për përshpejtimin e reformave në vendet e rajonit.
Ministrja Baerbock, shprehu dëshirën e saj për normalizimin e “situatës së pazgjidhur” mes Kosovës dhe Serbisë, e cila tha ajo është “shkak i vazhdueshëm i tensioneve”.
Shefja e diplomacisë gjermane i bëri thirrje Serbisë “që të rrisë harmonizimin me politikën e përbashkët dhe të sigurisë të BE-së. Kjo ka të bëjë me sanksionet kundër Rusisë në veçanti; dhe ne presim hapa konkretë të Serbisë për të harmonizuar politikën e saj të vizave. Kontrabanda e njerëzve kërcënon jetën dhe sigurinë e njerëzve dhe marrjen e masave kundër është një qëllim që na bashkon të gjithëve", tha ajo.
Përditësuar
Literature:
Krijimi i “Jugosllavisë së re” nga treshja ballkanike dhe pasojat katastrofike për Shqipërinë (dhe Kosovën)
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 109 reads



