Si ta kuptojmë sulmin e Berishës ndaj Devollit dhe ABCnews?
Unë u gëzova kur dëgjova se televizionin në fjalë e bleu një shqiptar nga Kosova, jo sepse do të mbyllte një altoparlant të Berishës, i cili e kishte mbushur kupën, por sepse mirë është që media jonë të ketë dhe pronar shqiptar dhe jo të huaj: sepse kështu rrisim përqindjen e pavarësisë.
Ylli Përmeti
16/02/2023 - 12:19
Berisha sulmoi pronarin e ri të televizionit ABCnews dy ditë më parë: ndërmarrjen “Devolli” nga Kosova. Ai tha se ai ka korruptuar qeverinë “Rama” lidhur me akcizën e birrës ndërsa përmendi dhe Sokol Ballën, drejtorin e përkohshëm dhe jozyrtar të programacionit të televizionit përkatës.
Sulmin e Berishës shumë e morën si të vërtetë dhe filluan ta barazojnë “Devollin” me oligarkët e anëve tona duke e paraqitur atë si keqdashës dhe Berishën si dashamirë apo si mbrojtës të zërit të popullit!
Së pari, akuza e Berishës lidhet tërësisht me humbjen e televizionit përkatës, sepse si televizion, kishte vite që ishte altoparlanti i tij.
Së dyti, akciza e birrës lidhet me natyrën e taksës (progresive) të qeverisë “Rama” dhe me qasjen e saj për të zhvilluar ekonominë: të unifikojë tarifat me vendet fqinje. Për birrën e prodhuar nga malto për prodhuesit vendas dhe të huaj, për shembull, ajo i ndan në dy kategori prodhuesit: të vegjël dhe të mëdhenj. Sipas propozimit të ministrisë së financave, të mëdhenj janë ata që prodhojnë mbi 200,000 HL ndërsa të vegjël janë ata që prodhojnë poshtë sasisë në fjalë. Në bazë të kësaj sasie ajo propozon akcisë të ndryshme, sipas qasjes së saj mbi taksat: progresive. Këtë lloj unifikimi e kundërshtojnë disa nga prodhuesit vendas sepse është e qartë se ata do të dëmtohen.
Nuk është, në fjalë të tjera, “Devolli” që e nxit këtë ndryshim në akcizën e birrës, por qasja e qeverisë “Rama”.
Së treti, Berisha ka pjesërisht të drejtë për natyrën e programacionit në fjalë: ai është kthyer në një “geto” mbështetësish të qeverisë “Rama” dhe nuk zbaton as ligjin mbi mediat as deontologjinë gazetareske: polifoninë. Por për këtë fakt jo detyrimisht është përgjegjës “Devolli”: sepse dihet se Sokol Balla është mbështetës i qeverisë “Rama” dhe ai jo detyrimisht diktohet nga pronari i ri. Pronarët e rinj të mediave kur blejnë një media jo detyrimisht i njohin parimet e gazetarisë. Në nevojë ata do të përdorin gazetarët e mirënjohur për të vazhduar veprimtarinë e medias. Kjo është arsyeja që unë e kam përmendur televizionin përkatës në një shqyrtesë dhe kam thënë se ai është në fazë “ngjizjeje”.
Shkelja e ligjit nga mediat dhe gazetarët dhe nevoja e mbështetjes së drejtësisë
Në fund, Berisha e kërcënoi “Devollin” se “opozita do të përgjigjësh”! Hamendësisht duke filluar ndonjë fushatë shpifëse ndaj ndërmarrjes “Devolli” apo duke ndërmarrë ndonjë aksion për të dëmtuar televizionin përkatës. Për të dy këta veprime Berisha është i aftë, jo vetëm sepse e filloi sulmin e tij ndaj Devollit duke shpifur, por ai e ka treguar në të kaluarën se ai mund të përdorë besnikët e tij për ta dëmtuar atë.
Ndërsa për shpifjet e tij nuk e besojnë shumë njerëz, si në të kaluarën, ai mund të veprojë kundër televizionit me akte të dhunshme; ndaj mirë do të ishte që telelvizioni përkatës ta denonconte sulmin e tij me qëllim që të njoftonte dhe shtonte vigjilencën e policisë së shtetit me qëllim të mëtejshëm që të marrë masa për mbrojtjen e televizionit dhe gazetarëve ndërsa vetë televizioni merr masa për t`i shërbyer ligjit mbi mediat dhe misionit të gazetarisë.
Po shtoj se unë u gëzova kur dëgjova se televizionin në fjalë e bleu një shqiptar nga Kosova, jo sepse do të mbyllte një altoparlant të Berishës, i cili e kishte mbushur kupën, por sepse mirë është që media jonë të ketë dhe pronar shqiptar dhe jo të huaj: sepse kështu rrisim përqindjen e pavarësisë. Në rastin konkret, rrisim dhe ndërveprimet me vëllezërit tanë në Kosovë dhe kështu fuqizohemi më shumë me qëllim që sfidat e të ardhmes t`i përballojmë më lehtë.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 125 reads



