...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kuvendi Kombëtar: vatër vendimarrëse për mbrojtjen e Atdheut dhe kurorëzim i përpjekjes heroike të popullit gjatë protestave maj-qershor 2026

Për të siguruar vazhdimësinë, ruajtjen dhe fuqizimin e dëshirës së ndërgjegjshme të kombit të shprehur në Protestatat Kombëtare të Maj-Qershorit 2026, parashtrohet ngritja dhe zhvillimi i Kuvendit Kombëtar, i cili do të shërbejë si vatra kryesore e vendim-marrjes së tij

Ylli Përmeti

28/06/2026 - 19:53

Kuvendi Kombëtar nuk është një trup që zëvendëson shtetin, por një vatër shoqërore që buron nga vetë populli. Ai ngrihet për të penguar shpërdorimin e pushtetit, për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve dhe për të mbajtur nën mbikëqyrje qeverisjen, kur ajo largohet nga e mira e përbashkët.

Kuvendi përfaqëson Mbledhjen e Përgjithshme të Popullit dhe ka të drejtë dhe detyrë ta thërrasë atë sa herë vendi ynë përballet me padrejtësi të rënda, cënim të lirive, apo rrezik ndaj Atdheut. Ai mblidhet të paktën një herë në vit dhe sa herë që rrethanat e kërkojnë.

Përbërja

Kuvendi përbëhet nga njerëz të spikatur për ndershmëri, urtësi, veprimtari atdhetare dhe përkushtim ndaj së mirës së përbashkët. Përbërja e tij duhet të përfshijë të gjitha krahinat, shtresat dhe rrymat shoqërore të Shqipërisë. Në raste të veçanta, Kuvendi mund të zgjerohet me pjesëmarrjen e shqiptarëve nga mërgata dhe trojet e tjera shqiptare.

Kushtet për anëtarësi

Anëtarët duhet:

• të jenë atdhetarë të dëshmuar;

• të mbështesin bashkimin dhe fuqizimin e shqiptarëve;

• të zbatojnë vendimet e Kuvendit;

• të mbrojnë dëshirën e popullit pa shmangie;

• të kenë jetë të ndershme dhe të drejtë;

• të mos kenë qenë pjesë e shtyllave kryesore të rendit të vjetër;

• të mos kenë lidhje me grupe antishqiptare ose kundër dobisë së vendit.

Anëtarët duhet të jenë të urtë, të zotë, të ndershëm, bashkues dhe të gatshëm të ndreqin vetveten kur gabojnë.

Mënyra e vendimarrjes

Vendimet merren me pajtimin e të paktën dy të tretave të anëtarëve. Kuvendi vepron mbi rregulla të qarta ku përfshihen shqyrtimi, arsyetimi dhe votimi. Kush shkel vazhdimisht këto rregulla humbet të drejtën e pjesëmarrjes.

Qëllimi i çdo vendimi është:

• mirëqenia e popullit;

• fuqizimi i kombit;

• zhvillimi i vendit;

• ruajtja e drejtësisë dhe e lirisë.

Këshilli i zbatimit

Nga gjiri i vet, Kuvendi zgjedh një Këshill Zbatues që ndjek punët e përditshme dhe vë në jetë vendimet. Ky këshill mbikëqyret vazhdimisht nga vetë Kuvendi dhe mund të ndryshohet kur është e nevojshme.

Marrëdhënia me shtetin

Kuvendi Kombëtar nuk zëvendëson qeverinë, parlamentin apo gjykatat. Ai është vatër mbikëqyrëse dhe thirrëse e kombit/popullit, që ngrihet kur pushteti shmanget rëndë nga drejtësia dhe nga vendimet popullore.

Kur shteti bie në padrejtësi të rënda, Kuvendi ka të drejtë të thërrasë popullin në qëndresë paqësore deri në kthimin e së drejtës.

Krijimi i Kuvendit Kombëtar nuk është mbyllje e protestës, por vazhdim dhe fuqizim i saj.   

*Kjo është një përmbledhje e një qasjeje të një prej nxitësve të protestave maj-qershor 2026 dhe nuk është përfundimtare

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA