...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Trampi përparon qëllimet vetjake ekonomike: këtë herë për të hapur një bankë

Zyra e Kontrollorit të Monedhës (OCC) i jep sipërmarrjes kryesore të familjes së Trampit në fushën e kriptomonedhave miratim të kushtëzuar për t’u shndërruar në një bankë besimi

WSJ

15/08/2026 - 15:32

World Liberty Financial, sipërmarrja kryesore e familjes së Trampit në fushën e kriptomonedhave, tha të premten se kompania e saj e besimit ka marrë miratimin paraprak me kushte nga Zyra e Kontrollorit të Monedhës (OCC) për t’u shndërruar në një bankë.

Pas miratimit përfundimtar, World Liberty Trust do të funksionojë si një bankë kombëtare besimi me statut federal. Statuti do t’i lejojë World Liberty të emetojë, të shlyejë dhe të ruajë USD1, monedhën e qëndrueshme të mbështetur nga dollari amerikan, të cilën World Liberty e nisi vitin e kaluar. Kjo monedhë e qëndrueshme, rezervat e të cilës tani ruhen nga BitGo, ka një vlerë tregu prej rreth 4 miliardë dollarësh.

Ndërmarrja tha se duhet të përmbushë një listë kushtesh dhe t’i nënshtrohet një mbikëqyrje përfundimtare nga OCC përpara se të mund të nisë veprimtarinë. OCC-ja, e drejtuar nga Jonathan Gould, ka miratuar krijimin e disa bankave të besimit të përqendruara te kriptomonedhat, duke u dhënë atyre qasje më të gjerë në sistemin financiar. Bankat e besimit ndryshojnë nga bankat e plota, pasi ato përgjithësisht nuk mund të pranojnë depozita apo të japin kredi.

Miratimi vjen në kohën kur 1.4 miliardë dollarët e të ardhurave të presidentit Tramp nga monedha e tij meme dhe sipërmarrjet e kriptomonedhave janë shndërruar në pengesën më të madhe për miratimin e një projektligji të rëndësishëm që do të krijonte një kuadër gjithëpërfshirës rregullator për pasuritë elektronike (asetet digjitale). Akti Clarity ka ngecur, pjesërisht për shkak të mosmarrëveshjeve mbi dispozitat etike që do t’u ndalonin zyrtarëve qeveritarë të përfitonin nga asetet digjitale. Projektligji është planifikuar të hidhet në një votim procedural më 15 shtator.

Presidenti Tramp dhe dy djemtë e tij ndihmuan në krijimin e World Liberty në fund të vitit 2024, si një projekt financiar i shqendërzuar, ose DeFi, që do të ofronte shërbime huamarrjeje, kreditimi dhe tregtimi. Këto veçori ende nuk janë bërë të disponueshme.

Perandoria e kriptomonedhave ka krijuar një pjesë të madhe të të ardhurave të fundit të familjes së tij. Në vitin 2025, ai fitoi më shumë se 500 milionë dollarë nga shitja e tokenit të World Liberty, WLFI, si dhe 263 milionë dollarë të tjera të lidhura me shitjen e aksioneve të World Liberty te një grup investitorësh të udhëhequr nga Sheikh Tahnoon bin Zayed al Nahyan, një anëtar i familjes mbretërore të Emirateve të Bashkuara Arabe.

World Liberty parashtroi kërkesën në janar për krijimin e një ndërmarrje besimi, me plane për të ofruar shërbime ruajtjeje të kriptomonedhave dhe shkëmbimi të monedhës së qëndrueshme, ndërsa do t’u shërbente blerësve institucionalë, përfshirë bursat e kriptomonedhave, krijuesit e tregut dhe firmat e investimeve.

Plani ka shkaktuar kundërshtime nga kritikët, të cilët kanë ngritur shqetësime për qëllime të kundërta (konfliktet e interesit). Senatorja Elizabeth Warren (demokrate nga Massachusetts) deklaroi në një njoftim se “nuk kemi parë kurrë konflikte financiare apo korrupsion të kësaj përmase.” Shtëpia e Bardhë ka thënë më parë se “as presidenti dhe as familja e tij nuk janë përfshirë ndonjëherë — dhe nuk do të përfshihen kurrë — në konflikte interesi.”

Zach Witkoff, drejtor ekzekutiv i World Liberty Financial dhe kryetar i World Liberty Trust Company, tha se kompania paraqiti “ndoshta një nga aplikimet më tërësisht të shqyrtuara në historinë e OCC-së.” “Ne iu përgjigjëm të gjitha pyetjeve të rregullatorit dhe pranuam detyrimet e rëndësishme dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme që shoqërojnë një statut kombëtar,” tha Witkoff në një intervistë. “Nëse do të kërkonim më pak mbikëqyrje, nuk do të kishim zgjedhur mbikëqyrjen federale.”

Zach Witkoff është djali i Steve Witkoff, mikut të presidentit dhe të dërguarit të tij për Lindjen e Mesme. World Liberty Trust tha se do të drejtohet nga një bord prej pesë anëtarësh, ku përfshihen Zach Witkoff; xhaxhai i tij, Robert Witkoff, i cili ka qenë bashkëdrejtor i investimeve në Chubb Corp.; dhe Scott Alper, president dhe drejtor i investimeve në kompaninë e pasurive të paluajtshme të babait të tij, Witkoff Group.

Dy anëtarët e tjerë janë Jeffrey Weiner, ish-kryetar dhe drejtor ekzekutiv i firmës së kontabilitetit dhe këshillimit Marcum LLP, dhe Erin Baskett, anëtare e bordit të guvernatorëve të Autoritetit Rregullator të Industrisë Financiare (FINRA) dhe themeluese e firmës së brokerimit Sine Qua Non Capital.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA