...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Gënjeshtrat e turpshme të presidentit grek mbi përkatësinë kombëtare të Paramithisë dhe vrasjen e 49 partizanëve

Njëra lidhet me pretendimin e Athinës se Paramithia ka patur përkatësi kombëtare “greke” në vitin 1943 ndërsa tjetra se 49 partizanët e vrarë ishin “grekë” të vrarë nga gjermanët në bashkëpunim me shqiptarët/çamët

Ylli Përmeti

02/10/2026 - 16:46

Gjatë vajtjes në Paramithi, në përkujtimin e 49 viktimave të vrara në vitin 1943, presidenti i Greqisë, Konstantinos Tasoulas, tha se ata u arrestuan nga trupat pushtuese gjermane dhe “çamët myslimanë, bashkëpunëtorët e tyre”, ndërsa në fjalimin e tij i cilësoi 49 viktimat si të rënë nga “mizoria e gjermanëve dhe e çamëve myslimanë” dhe tha se këta të fundit, në bashkëpunim me forcat pushtuese gjermane dhe italiane, kishin synime hapësinore ndaj Thesprotisë në shërbim të “Shqipërisë së Madhe”, për të cilën, sipas tij, Hitleri ua kishte premtuar. Lidhur me atë ngjarje ai pretendoi se “Paramithia vuajti një çmim të rëndë për të ruajtur lirinë dhe karakterin e saj grek”. 

ERT e paraqiti pretendimin e tij si pjesë të kumtit të tij për “nderimin e historisë”, ndërsa në qëndrimin e tij zyrtar presidenti grek theksoi se “paraqitja e drejtë, njohja e drejtë dhe pranimi i drejtë i historisë” lidhen me arsyen përse një vend kërkon të hyjë në Evropë, duke shtuar: “Nuk mund të kërkosh të hysh në Evropë dhe të mohosh dënimin dhe të vërtetën historike të atyre që shkaktuan një dhimbje të tillë.”

Por pretendimet e tij janë, në të vërtetë, të pavërteta. Së pari, Paramithia në atë kohë nuk ishte e banuar nga grekët por nga shqiptarë e “grekë”. Në vitin 1856, rreth 30 vjet pasi kishte rënë Ali pashë Tepelena dhe ishte themeluar shteti modern grek, Aravadinos jepte për Paramithinë 180 dhe 98 shtëpi dhe përbri shënonte “Αλ. καὶ Ἑλλ.” — shqip dhe greqisht (Τόμος Β΄, f. 351).

Por ne e dimë që një pakicë e shqiptarëve të kohës, nën pashallëkun e Ali pashait, flisnin dhe greqisht, pikërisht sepse ai përdori dhe greqishten si gjuhë zyrtare. Një arsye tjetër se pse ata që paraqiten si grekë sepse ishin greqishtfolës ishin shqiptar kuptohet nga mbiemrat e tyre, shumë prej të cilëve i ka përmendur Aravandinos (shih tabelën).

Në 1878, Zotos raportonte 300 shtëpi të krishtera greke dhe 600 shtëpi të “turko-shqiptarëve”, duke shtuar se të gjithë banorët flisnin shqip në shtëpitë e tyre (V. Zotos, Dromologion, 1878, f. 37, 55–56). Në 1880, Kokidis regjistronte 1.050 të krishterë dhe 1.100 myslimanë (Kokidis, Tabela e vitit 1880, f. 77). Në 1895, Kokolakis jepte 2.009 banorë në 469 shtëpi (Kokolakis, Statistika e vitit 1895, f. 268). Më pas, numërimi ushtarak grek i vitit 1913 regjistroi 2.372 banorë (Chouliarakis, Numërimi i vitit 1913, f. 101), ndërsa regjistrimi grek i vitit 1920 dha 2.128 banorë (Fjalori statistikor, regjistrimi i vitit 1920, f. 90) dhe ai i vitit 1928, 2.300 banorë (Regjistrimi i vitit 1928, f. 154). Në fund, statistika e vitit 1940, e përmbledhur nga Chariton Lambrou, regjistronte 509 myslimanë në bashkësinë e Paramithisë (Lambrou, Οι Τσάμηδες και η Τσαμουριά, Athinë, 1949).

Çfarë tregojnë këto të dhëna o president i Greqisë?

Gënjeshtra tjetër e presidentin grek lidhet me vrasjen e 49 partizanëve të Paramithisë, e cila ndodhi në kuadër të përplasjes mes forcave pushtuese gjermane dhe forcave partizane në atë zonë. Më 28 shtator 1943, pranë fshatit Eleftherohori të Paramithisë, u zhvillua një luftë me një repart gjerman; sipas një raporti të kohës, ushtria gjermane në shenjë hakmarrjeje, e ndihmuar nga disa shqiptarë të armatosur që nuk luftonin kundër gjermanëve por bashkëpunonin me ta, arrestoi 49 prej tyre dhe i vrau pa gjyq më 30 shtator (shih për më shumë Spyros Tsoutsoumpis). Burimi bashkëkohor nuk i përcakton 49 viktimat si “grekë”, por thjesht si “49 njerëz të spikatur të Paramithisë”.

Më e dhimbshmja është se presidenti…na fton tërthorazi që të njohim vrasjet përkatëse si shtet si kusht për t`u anëtarësuar në BE!

Me president të tillë kombi ynë s`shkon as në hale! 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA