Ndahet nga jeta Brzezinski: minuesi i bllokut socialist dhe arkitekti i kaosit botëror
SHJ
27/05/2017 - 15:41
Ish këshilltari i sigurisë kombëtare amerikane Zbigniew Brzezinski vdiq në moshën 89 vjeçare.
Brzezinski ishte ekspert për komunizmin dhe shërbeu si këshilltar i presidentit John Kennedy. Ai shërbeu gjithashtu në administratat e presidentëve Lyndon Johnson dhe Jimmy Carter. Të tre presidentët ishin demokratë.
Ai ishte një faktor i rëndësishëm në përcaktimin e dallimeve mes udhëheqësit egjiptian Anvar Sadat dhe udhëheqësit izraelit Menachem Begin, që çoi në marrëveshjet e nënshkruara në Camp David.
Brzezinski ishte gjithashtu një forcë drejtuese në përpjekjen e dështuar amerikane për shpëtuar pengjet amerikane në Iran. Pas dështimit, sekretari i Shtetit Cyrus Vance dha dorëheqjen dhe Carter humbi garën për t’u rizgjedhur atë vit kundër presidentit Ronald Reagan.
Media amerikane thotë se zoti Brzezinski nuk ishte mbështetës për zgjedhjen e presidentit Donald Trump dhe e kritikoi politikën e tij të jashtme si të paqartë.
Në vitin 2011, Brzezinski shkroi në librin e tij Vizioni Strategjik: Amerika dhe Kriza e Fuqisë Globale se forca e Shteteve të Bashkuara jashtë vendit është vendimtare për stabilitetin global, por se do të varet nga aftësia e Amerikës për të kapërcyer pabarazinë e të ardhurave dhe gjithashtu për të patur një përgjigje kuptimplotë ndaj ndryshimeve klimatike.
Brzezinski ishte djali i një diplomati polka dhe u shkollua në Kanada, Francë dhe Gjermani. Ai mori një doktoraturë për studimet qeveritare nga universiteti i Harvardit.
Vajza e tij, gazetarja e rrjetit MSNBC, Mika Brzezinski, tha në median sociale se ai ishte “njeriu më frymëzues, më i dashur dhe babai më i devotshëm që mund të ketë një vajzë”. Voa
Për më shumë, po citojmë një pjesë të vogël nga studimi i Ylli Përmetit, me titull, 'Pushteti i kaosit dhe globalizmi neoliberal':
Pas krizës ekonomike që shpërtheu në fund të vitit 2007-të dhe fillim-vitit 2008-të, u shfaq një doktrinë e re për hegjemonizmin amerikan në veçanti dhe elitën mbikombëtare në përgjithësi: “doktrina e krijimit të kaosit botëror” arkitekti i së cilës është Zbigniew Brzezinski, një polako-amerikan, gjeo-strategjist dhe këshilltar i Presidentit Jimmy Carter (1977-1981) për marrëdhëniet me jashtë. Dhe ishte i njëjti këshilltar që kurthoi rusët në “kurthin afgan” të vitit 1980-të, duke bindur presidentin Karter për të dërguar ndihmë sekrete për kundërshtarët e regjimit pro-sovjet në Kabul.[1]
Tashmë ai këshillon elitën mbikombëtare e cila duhet të veprojë duke kombinuar doktrinën “teknetronike”. Sipas tij, elita amerikane duhet të synojë mbajtjen nën mbikëqyrje dhe nën kontroll sjelljen e masës, dhe se i takon asaj ta ushtrojë këtë teknikë. Pajisjet teknologjike për elitat janë pjesë e kësaj strategjie, e cila di se si zgjidhen problemet konkrete me metodologji “shkencore”. Në fjalët e tij: e vetmja alternativë për një rol amerikan konstruktiv është krijimi i kaosit botëror![2]
Ai ka vizituar Shqipërinë dhe ka krijuar celulat dhe shkollarët e tij. Për disa ai përbën frymëzim, sidomos lidhur me nofkën e ‘arkitektit të rënies së Rusisë’, për të cilën ai dhe shumë si ai, krenohet, i cili, pasi kritikon për lakmi të tepërt sistemin amerikan, u thur lavde bankierëve botëror (Rockefeller etj.).[3] Lavdet nuk mungojnë as tek “akademikët” tanë: Moikom Zeqo, për shembull, citon se Brzezinski konsiderohet si ‘realist, profet dhe proponent i vlerave demokratike’![4]
Sidoqoftë, për të ruajtur hegjemoninë e saj SHBA-ja duhet të zbatojë, sipas Brzezinski-t, katër hapa ose faza strategjike: bashkim, shtrirje, angazhim dhe paqe:
· Bashkimi lidhet me përpjekjen e rithemelimit të një sensi qëllim-plotë të ndarë midis Amerikës dhe Europës...e vetmja zgjidhje praktike është të kultivosh një dialog të matur midis SHBA-së dhe tre vendeve europiane që kanë një orientim global: Britani, Franca dhe Gjermania. Siç do të shohim më poshtë, kjo strategji përputhet ekzaktësisht me strategjinë që kanë thurur kryetarët e korporatave europiane vite më parë.
· Të shtrish, sipas tij, ka lidhje me një përpjekje të matur për të ushqyer një koalicion më të gjerë të lidhur me principet e ndërvarjes dhe përgatitje për të luajtur një rol duke promovuar një drejtim më efektiv global. Në këtë mënyrë, disa formula për këshillime të shpeshta, me qëllim radhitjen e një kompozicioni nga G-14 në G-16 duhet të ndahet për të sjellë bashkë vendet me influencë gjeopolitike, por edhe me peshë ekonomike.
· Të angazhosh do të thotë, sipas tij, kultivimin e zyrtarëve të lartë përmes bisedave jozyrtare midis pushteteve kyç, sidomos SHBA-ja, triada europiane, Kina, Japonia, Rusia dhe mundësisht India.
· Të paqëtosh, kërkon një përpjekje të matur nga SHBA-ja për t’iu shmangur moçalimit në hapësirën midis Suezit dhe Indisë. Me këto politika të ravijëzuara, Brzezinki arrin në përfundimin se Obama me dhuntitë e tij intelektuale dhe retorike mund të promovojë hegjemonizmin Amerikan.[5]
[1]In the Foreign Policy shodow of Dr. Brzezinski: Obama, Islamic fundamentalism and Russia, Part I, Bruno Adrie, Global Reaserch, October 31, 2015.
[2]The global political awakening, Zbigniew Brzezinski, New York Times,December 16, 2008.
[3]Brzezinski shpjegon ekuilibrat botërorë: Putinizmi është fenomen i rrezikshëm, por afatshkurtër, Bisedoi: Janusz Bugajski, Albanian Screen.
[4]ZBIGNIEV BRZEZINSKI, RIZGJIMI POLITIK GLOBAL, Moikom Zeqo, Shqip, 2011-02-26.
[5]The global political awakening, Zbigniew Brzezinski, New York Times, December 16, 2008.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 219 reads



