Faqeziu tregon faqezinjtë: Berishën, Metën dhe Belerin
Rama, i cili quan faqezinj Berishën, Metën dhe Belerin, madje dhe Dulen, dhe plotë të tjerë pas tyre, është më faqezi se ata, sepse ishte ai i pari që mundësoi vitin e kaluar vizitën e Miçotakit në Himarë dhe përparoi dinamikën e “helenizimit” të saj
Ylli Përmeti
10/05/2023 - 16:26
Dy ditë pasi Fredi Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” ose Berishës dhe Metës, tha për gazetën greke “Proto Thema” se “është i një rëndësie jetike për helenizmin e Himarës që të tejkalojë gjithë pengesat që e pengojnë të ketë mundësi, të ketë punë të mira, të shijojë pasuritë e tij, të cilat na i ndalojnë prej 60 vjetësh, të japë arsim në gjuhën tonë amëtare në të gjithë nivelet dhe të luajë rolin kryesor, sepse mundet dhe e meriton, në rrugën integruese të Shqipërisë, në dobinë e saj”, Rama mbajti një qendrim në emisionin e jogazetares dhe ish-deputetes së partisë “demokratike”, Grida Duma, dhe i quajti “faqja e zezë e republikës”.
Në fakt, televizioni përkatës ka raportuar qendrimin e Belerit që sapo përmenda dhe i ka dhënë kuptim tjetër: se ai “do të helenizojë” Himarën! Njësoj e kanë raportuar dhe media të tjera. Në fund të fundit, kështu është kur media kombëtare drejtohet nga njerëz të papërgjegjshëm dhe u ndryshojnë kuptimin qendrimeve.
Por ky fakt është gjysma e të vërtetës: sepse Rama, i cili quan faqezinj Berishën, Metën dhe Belerin, madje dhe Dulen, dhe plotë të tjerë pas tyre, është më faqezi se ata, sepse ishte ai i pari që mundësoi vitin e kaluar vizitën e Miçotakit në Himarë dhe përparoi dinamikën e “helenizimit” të saj.
Miçotaki zgjeron perimetrin e pakicës “greke” në Shqipëri me vizitën e tij në Himarë
Kështu jogazetarja Duma e la Ramën të tregonte vetëm kundërshtarët e tij si faqezinj dhe nuk i përmendi faqen e tij të zezë kur pa iu dridhur këmba shkoi dhe shoqëroi Miçotakin por dhe Belerin në Himarë duke krijuar një shembull (ose precendet) tejet të rrezikshëm për Himarën dhe raportet tona me Greqinë.
Si mund t`ia kujtonte, fundja, kur bën gazetaren pa qenë e tillë; kur s`ka mësuar të shkruajë asnjë raport; dhe kur pa pikë turpi diskuton çështje publike pa i hetuar ato (si mund t`i hetojë kur s`ka mësuar të hetojë) as ajo as edhe të ftuarit e saj!
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 33 reads