Rama+Kovaçi në Bruksel: shkuan për “lesh” dhe u kthyen të qethur
Lajm nuk ishte as prania e Vuçiçit as vetoja e Bullgarisë, të cilën e bëri të qartë Sofja përpara se të shkonin në Bruksel dy kryetarët e Ballkanit Perëndimor, por vërdallosja për t`u vërdallosur dhe prishur kursimet e popujve kot dhe qelbjen edhe më shumë të ekosistemit me udhëtime ajrore dhe tokësore
SHJ
23/06/2022 - 16:44
Pas më shumë se një viti, dyshja ballkanike në Bruksel u përball edhe një herë me veton e Bullgarisë pavarësisht se ndaj kësaj të fundit u ushtrua trysni nga Brukseli dhe Uashingtoni. Por këtë herë pati një “risi”: ishte i pranishëm dhe Vuçiçi!
Por lajm nuk ishte as prania e Vuçiçit as vetoja e Bullgarisë, të cilën e bëri të qartë Sofja përpara se të shkonin në Bruksel dy kryetarët e Ballkanit Perëndimor, por vërdallosja për t`u vërdallosur dhe prishur kursimet e popujve kot dhe qelbjen edhe më shumë të ekosistemit me udhëtime ajrore dhe tokësore ―pas të cilëve rendin dhjetra gazetarë― për t`ia bërë më të vështirë jetës planetare të marrë frymë! Ky është “lajm” për popujt që s`kuptojnë efektin e votës (për të gjithë ata që votojnë) dhe mospërfshirjes (për ata që nuk përfshihen) së tyre në proceset politike të vendit të tyre. Në gjuhë juridike kjo lloj vërdallosje është kriminale pikërisht sepse shpërdorohen kursimet e popujve dhe shkatërrohet ekosistemi!
Krijimi i “Jugosllavisë së re” nga treshja ballkanike dhe pasojat katastrofike për Shqipërinë (dhe Kosovën)
Nga konferenca për shtyp do të veçoja dy gënjeshtrat e Vuçiçit; e para kur tha se “Ballkani i Hapur” është ideja e treshes ballkanike kur faktet tregojnë se “ideja” erdhi nga Uashingtoni duke u bazuar në “idenë” e Sorosit, kopjuar nga filozofi gjerman Karl Poper, “Shoqëria e Hapur dhe armiqtë e saj”, dhe lëndëzuar në BE dhe mes blloqesh të tjerë ekonomikë përmes politikave neoliberale tre dekadat e fundit; dhe e dyta lidhur me praninë e tij në Bruksel pasi u pyet nga kolegia e Klanit kur tha se ishte për t`u kujdesur për fqinjët e tij dhe nuk e kishte detyrim; sepse do të ishte më i sinqertë (ky lloj sinqeriteti do të shkaktonte reaksion në Shqipëri dhe do të sulmohësh më shumë Rama për tradhëti kombëtare nga idiotët e të djathtës shqiptare me në krye Berishën, dhe sigurisht, do të dijësonte popullin shqiptar që dijen e pret nga goja e udhëheqësve të huaj dhe jo nga studiuesit e ndershëm) po të thoshte se Ballkani i Hapur e kthen Serbinë hegjemone pa u munduar fare pikërisht për avantazhet që gëzon ose ka krijuar dy dekadat e fundit kur kolegët e tij të tipit “rama” dhe “berisha” i binin fyellit.
Do të veçoja dhe qendrimin e Ramës kundrejt BE-së dhe Bullgarisë; për të parën tha se ajo ishte pushtuar nga fryma e deformuar e cila ka kaluar në pengmarrje ndërsa për të dytën se ajo është një turp. Qendrimet e qendrave përkatëse i lidhi më tej me Putinin, se ai po merr fuqi nga qendrimi i Bullgarisë. Njësoj e quajti dhe përpjekjen e Prishtinës për heqjen e vizave: pengamarrje nga BE-ja. Sipas tij, kjo është çmenduri, e turpshme dhe duhet të marrë fund.
Rama, në fjalë të tjera, kërkon nga BE-ja të ushtrojë presion më të madh ndaj Bullgarisë për qendrimin e saj ndaj bullgarëve të Maqedonisë së V. të maqedonizuar ndërsa nga Bullgaria kërkon të heqë dorë nga qëllimet e saj të karakterit kombëtar për hir të anëtarësimit të Shqipërisë në BE! Nëse e shohim qendrimin e Ramës me sytë e Brukselit, ky i fundit me siguri ka thënë se “të korruptuarit si ti vështirë t`i anëtarësojmë” dhe nëse e shohim karakterizimin e Ramës ndaj Bullgarisë me sytë e Sofjes, me siguri kjo e fundit do të ketë thënë se “turp je ti që kërkon nga një shtet tjetër të braktisë historinë e tij për hir të qëllimit tend”.
Bullgaria nuk ndryshon qëndrim ndaj Maqedonisë së Veriut
Raporti sipas Voa-s:
Në Bruksel, vendet anëtare të Bashkimit Europian nuk arritën as sot të zyrtarizojnë nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për shkak të vetos së Bullgarisë ndaj Shkupit. Kryeministri Edi Rama deklaroi se fryma e zgjerimit është deformuar duke lejuar marrjen peng të procesit nga shtetet individuale. Ndërsa kryeministri maqedonas shprehu gatishmërinë për të biseduar për propozimin francez të zgjidhjes së ngërçit, duke saktësuar se në formën e paraqitur është i papranueshëm për Maqeoninë e Veriut.
Udhëheqësit e Ballkanit perëndimor ishin ftuar sot në Bruksel për t’u ulur në një tryezë me krerët e vendeve të Bashkimit Europian, si një përpjekje e BE-së për t’i dhënë energji të reja procesit të integrimit dhe për të dëshmuar afërsinë me rajonin.
Por të paktën për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, e sotmja nuk ishte një ditë e mirë. Për ta kishte më shumë vend për zhgënjim, ndërsa udhëheqësit europianë, ishin të detyruar t’i nënshtroheshin vetos së Sofies ndaj Shkupit, pa mundur që në takimin e mëpasshëm mes tyre të jepnin dritën jeshile për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me dy vendet ballkanike.
Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi pas takimit se sipas tij “arsyeja nuk është thjesht Bullgaria. Bullgaria është një fatkeqësi, por nuk është vetëm Bullgaria, por është fryma e deformuar e zgjerimit, një frymë tërësisht e deformuar dhe Bullgaria është shprehja më e dukshme e saj”, tha ai duke shtuar se “fryma e zgjerimit ka kaluar nga vizioni i përbashkët i një komuniteti tek marrja peng nga shtetet individuale dhe ne e kemi parë. Sa herë që ka diçka që ndodh në një shtet anëtar, menjëherë ky mjet bllokimi vihet në lëvizje”.
Zoti Rama e quajti një turp faktin që “një vend i NATO-s që merr peng dy vende të tjera të NATO-s, ndërkohë që në oborr të Europës ka një luftë, dhe po ashtu nën sytë e 26 vendeve që janë krejt të pafuqishme së bashku”. Ai shtoi më tej se “agresioni rus kundër Ukrainës po merr kështu një ndihmë mjaft bujare dhe të pa kërkuar nga një vend i NATO-s, Bullgaria, për të destabilizuar një vend tjetër të NATO-s, Maqedoninë e Veriut dhe për të fryrë më tej mllefin, pakënaqësinë në një fqinjësi si e jona, që është një hallkë e dobët në gjithë këtë situatë”.
Për kryeministrin maqedonas Dimitar Kovaçevski “kjo që po ndodh është një problem serioz dhe goditje serioze ndaj besueshmërisë së BE-së. Po humbasim kohë të çmueshme të cilën realisht nuk e kemi në dispozicion”, tha ai duke kujtuar se “Maqedonia e Veriut njihet si vend që arriti të zgjidhë probleme të vështira dhe të hidhura, si një vend që është i përkushtuar për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme dhe të mbështetura mbi vlerat evropiane dhe dinjitetin e qytetarëve. Me po këtë ide ne hymë edhe në procesin e bisedimeve me Bullgarinë”.
Për zgjidhjen e ngërçit me Bullgarinë, Franca e cila ka presidencën e radhës së Bashkimit Europian, deri në fund të muajit, ka ofruar një zgjidhje. Propozimi është pranuar dhe nga opozita bullgare, por ai duhet të kalojë më parë në parlament, ndërkohë që një ditë më parë qeveria e kryeministrit Kiril Petkov u rrëzua gjatë një mocioni votbesimi.
Për kryeministrin maqedonas. në formën siç ështe paraqitur, “propozimi është i papranueshëm”. Ai shtoi se “nëse gjatë presidencës franceze arrihet mirëkuptim për qëndrimet tona, ne jemi të gatshëm të përfshihemi në bisedime. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut – theksoi ai - duhet të jenë të qetë; në kemi në plan të parë interesat strategjike dhe synimet e shtetit. Askush nuk mund të na imponojë cfarëdo zgjidhje pa pëlqimin tonë. Ne bëmë gjithshka, tani BE-ja e ka radhën”, deklaroi kryeministri Kovaçevski.
Të dy kryeministrat u shfaqën në konferencë shtypi së bashku me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, si tre nxitësit e projektit Ballkani i Hapur, për të cilin ata ritheksuan se do të çojë përpara vendet e tyre, ndërkohë që procesi i integrimit vijon me zigzaget e tij.
Kryeministri Rama deklaroi se në takimin me krerët e vendeve të BE-së, kishte folur dhe për atë që e quajti "një pengmarrje tjetër, pengmarrjen e qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk lejohen të lëvizin lirisht në Europë”, duke qenë se marrëveshja me Kosovën është ende pezull.
Ai po ashtu i kishte dalë në krah presidentit serb, i kritikuar dhe në takimin e sotëm, pse nuk u është bashkuar sanskioneve ndaj Rusisë. Sipas tij “Serbia thjeshtë nuk është në pozicion për të realizuar kaq shumë, kaq shpejt dhe çuarja deri në kufij, do t’i japë efektin e kundërt dhe pastaj ajo çfarë do të ketë kosto, është agjenda europiane e Serbisë, për çka do të jetë kosto për popullin e rajonit, u shpreh kryeministri Rama.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 102 reads



