Më shumë se 1 miliardë e njerëzve në botë vuajnë nga çrregullimet mendore
Rreth 40% e burrave dhe 58% e grave në Shqipëri kishin përjetuar të paktën një shenjë të lidhur me shëndetin mendor gjatë vitit 2023
Ylli Përmeti
23/05/2026 - 18:23
Një studim i botuar në Lancet, tregon përqindjet e çrregullimeve mendore në 204 vende përgjatë viteve 1990–2023. Sipas tij, çrregullimet mendore janë shndërruar në një nga barrët shëndetësore me rritjen më të shpejtë në botë, duke prekur rreth 1.17 miliardë njerëz në vitin 2023.
Ato tashmë renditen si shkaku i pestë më i madh i barrës botërore shëndetësore dhe shkaku kryesor i viteve të jetuara me paaftësi, ndërsa ankthi dhe depresioni mbeten gjendjet më të përhapura.
Sa i përket Shqipërisë, ende nuk është bërë publik gjithë studimi, por të dhëna dhe raporte të tjera ndërkombëtare tregojnë se vendi ynë përballet me një barrë të rëndë të shëndetit mendor. Një raport i cituar më herët vlerësonte se rreth 40% e burrave dhe 58% e grave në Shqipëri kishin përjetuar të paktën një shenjë të lidhur me shëndetin mendor gjatë vitit 2023.
Në shkallë evropiane, të dhënat tregojnë se çrregullimet mendore prekin afërsisht një në gjashtë evropianë. Megjithatë, dallimet mes vendeve ndikohen edhe nga shkalla e diagnostikimit, paragjykimet shoqërore dhe qasja tek shërbimet e shëndetit mendor.
Vendet me rrjete shëndetësore më të zhvilluara shpesh raportojnë nivele më të larta, sepse rastet diagnostikohen dhe regjistrohen më shpesh. Studimi gjeti se Holanda shënoi ndër normat më të larta të barrës së çrregullimeve mendore në Evropë, ndërsa shifrat më të ulëta në disa vende të Ballkanit dhe Evropës Lindore mund të lidhen pjesërisht me nën-diagnostikimin dhe mungesën e sistemeve mjekësore në diagnostikim, dhe jo domosdoshmërisht me një gjendje më të mirë të shëndetit mendor.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 16 reads



