...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

NATO synon t'i japë përparësi luftës kundër Rusisë dhe të pakësojë forcat jashtë hapësirës (shqiptarët në ballë)

Vendet anëtare të aleancës po shqyrtojnë heqjen e detyrimit për të siguruar trupa shtesë për operacionet e drejtimit të krizave, ndërsa përqendrojnë burimet te përballja me Rusinë

Politico

12/11/2026 - 06:57

Bruksel – Vendet anëtare të NATO-s po shqyrtojnë rishikimin më të madh të planifikimit të saj ushtarak në të paktën dy dekada, duke i dhënë përparësi përballjes ushtarake me Rusinë, në vend të angazhimit të trupave shtesë në vende si Iraku dhe Afganistani.

Të 32 vendet anëtare kanë nisur bisedimet për përcaktimin e synimeve të ardhshëm të aftësive ushtarake të aleancës, të cilat përcaktojnë forcat dhe armatimet që secili vend duhet të vërë në gadishmëri në rast lufte, si dhe mënyrën se si do të përballohen shpenzimet.

Sipas projekt-shkresës së planifikimit, vendet anëtare nuk do të detyrohen më të sigurojnë njëkohësisht forcat e nevojshme për një luftë të gjerë në Evropë dhe për disa operacione më të vogla të drejtimit të krizave. Në vend të kësaj, ato do të planifikojnë të përmbushin kërkesat për njërin ose tjetrin skenar, sipas katër diplomatëve të NATO-s të njohur me dokumentin.

Parashtrimi pasqyron një kuptim të qartë se, pavarësisht rrethanave, një përplasje e madhe në Evropë do të marrë përparësi ndaj çdo angazhimi apo ngjarjeje tjetër për NATO-n, tha Camille Grand, ish-ndihmëssekretar i përgjithshëm i aleancës për investimet në mbrojtje.

Kjo përputhet me trysninë amerikane për ta rikthyer aleancën te misioni i saj themelor, mbrojtja e Evropës, një projekt që Uashingtoni e quan NATO 3.0. Bisedimet përqendrohen tek një dokument i njohur si Udhëzimi politik, pjesë e një procesi katërvjeçar që do të përfundojë në vitin 2029, kur vendet anëtare pritet të miratojnë kërkesat e reja për aftësitë ushtarake. Marrëveshja pritet të përmbyllet deri në shkurt.

Në shqyrtim është se çfarë armatimesh dhe pajisjesh do të kenë vendet në gatishmëri dhe sa e besueshme do të jetë aftësia parandaluese e aleancës përballë Moskës. Zyrtarët evropianë kanë paralajmëruar vazhdimisht për mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake ruse në territorin e NATO-s deri në vitin 2029.

Kufizimet në rritje të buxheteve të mbrojtjes pritet ta vështirësojnë më tej këtë proces.

Dy fjalë, pasoja të mëdha

Vendet anëtare përballen me një zgjedhje të vështirë: të heqin apo jo kërkesën e kahershme për të siguruar forca të mjaftueshme si për një përplasje të madhe në Evropë, ashtu edhe për disa veprimtari të drejtimit të krizave jashtë hapësirës së NATO-s.

Projekti parashikon zëvendësimin e fjalës "dhe" me fjalën "ose", duke kërkuar që vendet të sigurojnë forcat për njërin skenar ose për tjetrin, në vend që të përmbushin të dyja kërkesat njëkohësisht.

Diplomatët e NATO-s thonë se dokumenti deri tani anon nga përdorimi i fjalës "ose", megjithëse bisedimet janë ende në fazë fillestare. "Ka rëndësi të madhe nëse zgjedh 'dhe' apo 'ose'", tha një diplomat i lartë i aleancës.

Një zyrtar i lartë i NATO-s shtoi se kjo nuk do të thotë se aleanca po heq dorë nga aftësia për të zhvilluar veprimtari ushtarake në përgjigje të krizave. Në fund të fundit, vendimi se ku do të dërgohen trupat mbetet politik.

Ndryshimi nuk do të ndikojë automatikisht në veprimet ushtarake që NATO zhvillon tani jashtë hapësirës së saj, si misionet në Kosovë dhe Irak. Megjithatë, rragata ka pasoja të rëndësishme për aleancën, pasi detyrimi për të përmbushur të dyja kërkesat daton të paktën 20 vjet më parë.

Pas Luftës së Ftohtë, NATO e zhvendosi vëmendjen kryesisht drejt dërgimeve ushtarake jashtë hapësirës së saj, si në Kosovë, Irak dhe Afganistan. Por pushtimi (ose çlirimi, sipas Rusisë) i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 e detyroi aleancën t'i rikthejë përparësinë mbrojtjes së Evropës.

"NATO ka bërë një rreth të plotë", tha Oana Lungescu, ish-zëdhënëse e aleancës dhe tani studiuese në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara në Londër. Sipas saj, është e arsyeshme që përpjekja kryesore e një aleance mbrojtëse të jetë frenimi i një Rusie agresive dhe garantimi i sigurisë së Evropës, veçanërisht ndërsa SHBA-ja po pakëson angazhimin e saj.

Historikisht, vendet e Evropës Jugore kanë mbështetur më shumë bashkëpunimet e NATO-s dhe drejtimin e krizave, ndërsa SHBA-ja, vendet nordike dhe shtetet në vijën e parë të përballjes me Rusinë kanë qenë më të prirura për t'i dhënë përparësi mbrojtjes kundër Moskës.

Që nga viti 2010, NATO i ka përcaktuar zyrtarisht tri detyrat e saj themelore: mbrojtjen kolektive, bashkëpunimet me vendet e treta dhe sigurinë bashkëpunuese e drejtimin e krizave.

Mbështetësit e ruajtjes së të dyja kërkesave mendojnë se kjo është e rëndësishme për të treguar se NATO nuk po braktis detyrat e tjera themelore. Ndërsa ata që kërkojnë ndryshimin thonë se buxhetet e kufizuara të mbrojtjes, nevoja për të frenuar Rusinë dhe përqendrimi i burimeve ushtarake e bëjnë të domosdoshëm rishikimin.

Uashingtoni u ka bërë trysni aleatëve që të heqin dorë nga dërgimet ushtarake jashtë hapësirës së NATO-s, si dërgesa këshillimore në Irak. Në vend të tyre, kërkon që evropianët të paguajnë më shumë për mbrojtjen e tyre dhe të përqendrohen te mbrojtja e hapësirës së aleancës. Pentagoni pritet të paraqesë muajin e ardhshëm një rishikim të pranisë ushtarake amerikane në Evropë, i cili mund të përfshijë tërheqjen e një pjese të trupave.   

Shqipëroi dhe përgatiti për botim Ylli Përmeti ndërsa titullit i është shtuar përmasa e përfshirjes së shqiptarëve në frontin e luftës

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA