Ndërmarrja shtetërore saudite e naftës Aramco do të tregtojë aksione në bursën e Riadit
Kompania prodhon 10 milionë fuçi naftë të papërpunuar në ditë dhe siguron rreth 10 për qind të kërkesës botërore.
Voa
04/11/2019 - 13:11
Gjigandi shtetëror i naftës i Arabisë Saudite “Aramco” njoftoi zyrtarisht planet për t’u tregtuar në bursën e Riad-it, në atë që mund të jetë oferta fillestare më e madhe publike në botë. Princi MohamedBin Salman shpreson që vlerësimi për kompaninë të jetë rreth 2 trilionë dollarë, një vlerësim që shihet si tejet optimist. Shqetësimet ekonomike, lufta tregtare Kinë-SHBA si dhe rritja e prodhimit të naftës së papërpunuar nga Shtetet e Bashkuara kanë ndikuar në uljen e çmimit të naftës.
Arabia Saudite njoftoi zyrtarisht të dielën ofertën e saj fillestare të parashikuar prej kohësh, të gjigantit të saj të naftës “Aramco”, sipas së cilës një pjesë e kompanisë do të ofrohet në bursën lokale, me shpresën për të siguruar miliarda dollarë për mbretërinë.
Një njoftim i Autoritetit të Tregut të Kapitalit të mbretërisë që bënte të ditur miratimin për shitjen e aksioneve shërbeu si shtysë për një ofertë fillestare publike të premtuar nga Princi i Kurorës Mohamed bin Salman që prej vitit 2016.
Aksionet e firmës do të tregtohen në bursën e Riadit tha Amin H Nasser, presidenti ekzekutiv i “Aramco-s”.
“Duhet të shpjegonim shumë gjëra në lidhje me strategjinë tonë. Në ç’fazë ndodhet investimi ynë si dhe t'i përgjigjeshim shumë pyetjeve në lidhje me planet tona dhe situatën financiare. Mendoj se kemi ndarë shumë informacione lidhur me punën tonë kur bëhet fjala për teknologjinë, intensitetin e emetimit të karbonit asaj ç’ka ne po bëjmë në drejtim të trajtimit të ndryshimeve klimatike dhe se në çfarë situate ndodhet kompania në krahasim me shumë të tjera”, tha ai.
Sipas planeve kompania do të tregtojë në të ardhmen të tjera aksione në një bursë të huaj.
Princi Mohamed shpreson të vlerësohet rreth 2 trilionë dollarë, një vlerësim ky tejet optimist. Kompania prodhon 10 milionë fuçi naftë të papërpunuar në ditë dhe siguron rreth 10 për qind të kërkesës botërore.
Kjo do t’i siguronte mbretërisë 100 miliardë dollarët që i duhen për planet e reja dhe ambicioze të zhvillimit për një Arabi Saudite me vende të reja pune, në një kohë kur papunësia llogaritet në mbi 10 për qind.
Por shqetësimet ekonomike, lufta tregtare Kinë-SHBA dhe rritja e prodhimit të naftës së papërpunuar nga Shtetet e Bashkuara kanë ndikuar në uljen e çmimit të naftës. Sulmi i 14 shtatorit në zemër të kompanisë “Aramco” ka frikësuar disa investitorë. Një nga drejtuesit e Aramco-s Yasir Al-Rumayyan tha se nuk është vetëm Arabia Saudite që duhet të kujdeset për sigurinë e këtij rajoni dhe kësaj kompanie por e gjithë bota.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 15 reads