Rusia kërcënon me goditje bërthamore vendet e NATO-s për Kaliningradin
Kremlini akuzon aleancën perëndimore të mbrojtjes se po përgatitet të bllokojë enklavën ruse në Detin Baltik
Financial Times
30/09/2026 - 17:37
Rusia ka kërcënuar se do të përdorë armë bërthamore kundër vendeve të NATO-s nëse aleanca ushtarake perëndimore do të pengonte hyrjen në enklavën e saj në Detin Baltik, Kaliningradin. Në një dokument të dërguar NATO-s këtë javë, Moska e akuzoi aleancën për ndjekjen e një “kursi të rrezikshëm dhe të pamatur” ndaj Rusisë dhe enklavës së saj, sipas dy zyrtarëve të njohur me çështjen. Zyrtarët thanë se dokumenti përmbante një paralajmërim për “rreziqe të larta të shpërthimit të një konflikti të drejtpërdrejtë të armatosur”.
NATO u përgjigj duke akuzuar Moskën për “retorikë të papërgjegjshme bërthamore” dhe tha se nuk përbënte asnjë kërcënim për Rusinë. Moska pretendoi se NATO po përgatitej për operacione të mundshme ushtarake për të bllokuar Kaliningradin, enklavën ruse që kufizohet me Poloninë dhe Lituaninë, duke përmendur stërvitjet e aleancës së mbrojtjes në rajon dhe misionit Baltic Sentry për mbrojtjen e rrjetit nënujor.
“Rusia do të jetë e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe aftësive që ka në zotërim, përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur hapësirën e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin çfarëdo përpjekje që synon izolimin e Rajonit të Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit”, thuhej në dokument. Veprime të tilla mund të çonin në “goditje ruse ndaj qendrave vendimmarrëse në shtetet anëtare të aleancës që në fillim të luftës”, paralajmërohej më tej.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se ishte “krejt e natyrshme që diplomatët tanë po përpiqen t’u kujtojnë kokënxehtëve në Evropë dokumentet tona themelore për këtë çështje”, sipas Interfax.
Deklaratat ruse ishin pjesërisht një përgjigje ndaj raportimeve të fundit në mediat britanike për Kaliningradin, përfshirë një dokumentar të Sky News mbi një ushtrim të trilluar për simulimin e një lufte.
“Unë mund të vërtetoj se Rusia i ka dërguar NATO-s një shkresë jozyrtare dhe se ne kemi dërguar një përgjigje, duke theksuar se NATO është një aleancë mbrojtëse dhe se asnjë nga veprimtaritë apo stërvitjet tona nuk përbën rrezik për asnjë pjesë të Rusisë”, tha zëdhënësja e aleancës, Allison Hart.
“Ne dënojmë fuqimisht kërcënimin me përdorimin e forcës, përfshirë çdo retorikë të papërgjegjshme bërthamore.”
“Përdorimi i taktikave hibride nga Rusia është shenjë dëshpërimi. Por ne nuk do të sprapsemi nga mbështetja jonë për Ukrainën”, shtoi Hart. “Ne kemi atë që nevojitet për të mbrojtur çdo pëllëmbë të hapësirës tokësore të aleatëve dhe mbetemi të fortë, të gatshëm dhe të aftë për t’iu kundërvënë çdo kërcënimi.”
Kaliningradi ka qenë prej kohësh burim acarimesh mes Rusisë dhe NATO-s, për shkak të vendndodhjes së tij strategjike në Detin Baltik dhe mundësisë që Rusia të shkëpusë tre shtetet baltike nga pjesa tjetër e aleatëve të tyre në NATO, nëse ato do të aneksonin një korridor tokësor midis enklavës dhe aleatit ushtarak të Rusisë, Bjellorusisë.
Rusia mban një flotë të madhe detare në enklavë, si dhe një gamë të gjerë raketash të afta të godasin pjesën dërrmuese të kryeqyteteve të NATO-s, përfshirë raketat Iskander, të afta për të mbajtur koka bërthamore.
Kërcënimet bërthamore vijnë ndërsa ministri belg i mbrojtjes, Theo Francken, paralajmëroi për një “dimër të zymtë” përpara, si pasojë e fushatës së vazhdueshme të Rusisë me sulme hibride në Evropë.
“Do të ketë më shumë veprime të kërcënimit hibrid në muajt e ardhshëm. Do të jetë një dimër i zymtë për Evropën”, tha Francken të mërkurën.
“Lufta hibride nuk është diçka që Rusia e ka nisur prej dy apo tre vitesh”, shtoi ai. “Ata e kanë bërë këtë për 50 vjet. Kjo është diçka në të cilën [Presidenti Vladimir] Putin është shumë i aftë.”
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 7 reads



