Udhëheqësit e BE-së ende të përçarë se kush duhet të përfaqësojë Evropën në bisedimet për Ukrainën
Çështja se kush do të flasë në emër të Evropës nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme, por BE-ja ende nuk ka një përgjigje
Përpiluesja/Redaksia - SHJ (www.shqipëriajonë.org)
12/11/2026 - 18:12
Raport i përditësuar
DUBLIN – Udhëheqësit e BE-së, që mblidhen të premten në Dublin, do të vazhdojnë të bisedojnë se kush duhet t'i përfaqësojë në bisedimet për të ardhmen e Ukrainës, pas një dite veprimtarie të dendur diplomatike.
Ndërsa qeveria e Donald Trumpit po shton përpjekjet për t'i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe Evropa mund të ketë siguruar një vend në tryezën e bisedimeve, mosmarrëveshjet se kush do të flasë në emër të bllokut rrezikojnë të lënë në hije takimin në kryeqytetin irlandez, i cili, në fakt, as që ishte parashikuar të përqendrohej te Ukraina.
«Mund të bësh madje edhe një emision televiziv për këtë çështje», u shpreh me shaka kryeministri estonez Kristen Michal në një intervistë për POLITICO-n të enjten, duke treguar se sa të thella janë bërë përçarjet mes udhëheqësve. «Por pjesën më të mirë po e ruajmë për nesër».
Pushtimi (ose çlirimi sipas Rusisë dhe vendasve) i Ukrainës nga Rusia, në shkallë të gjerë, filloi në shkurt të vitit 2022. Ndërsa gatishmëria e Trumpit për të ndërmjetësuar paqen është luhatur herë pas here, BE-ja është gjendur gjithnjë e më shumë jashtë procesit, pavarësisht se po merr përsipër një pjesë gjithnjë e më të madhe të barrës financiare.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili të enjten u takua me rreth 50 udhëheqës të vendeve të BE-së dhe vendeve të tjera, paralajmëroi se Rusia po përpiqet të rikrijojë ngrehinën e sigurisë së Evropës dhe këmbënguli se qeveritë evropiane duhet të kenë zërin e tyre në bisedimet për zgjidhjen e përplasjes. Kjo ndodhi pas dy ditësh bisedimesh mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së në Abu Dhabi, ku BE-ja mbeti kryesisht jashtë procesit.
Të dërguarit e Trumpit, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, e biseduan këtë çështje me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë më herët të enjten, përpara se të mbërrinin në Dublin në mbrëmje për t'i përcjellë Zelenskyyt pikëpamjet e tyre.
BE-ja është e bashkuar për nevojën që, si mbështetësja kryesore e Ukrainës, të ketë një vend në tryezën e bisedimeve, por jo për atë se kë duhet të dërgojë. Diplomatë dhe zyrtarë i thanë POLITICO-s se blloku është ndarë në të paktën tri grupe.
Në njërin prej tyre po rritet mbështetja për presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, të cilin vetë shërbimi i e bën kandidatin më të natyrshëm për të përfaqësuar bllokun. Në grupin tjetër bëjnë pjesë Franca dhe Gjermania, të cilat ngurrojnë të heqin dorë nga vendet e tyre në tryezën e bisedimeve në dobi të Brukselit.
Ndërsa grupi i tretë është më i vetmuari: mbështetësit e Kaja Kallasit. Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme do të ishte zgjedhja më e dukshme, nëse qëndrimi i saj i ashpër ndaj Rusisë nuk do të përbënte pengesë. Disa diplomatë thonë se ky qëndrim mund ta largojë Kremlinin dhe ta bëjë atë një zgjedhje të papërshtatshme për këtë rol.
Costa ka mandatin dhe mban përgjegjësi
Kur bëhet fjalë për të folur në emër të Evropës, është një njeri që e ka tashmë këtë detyrë të përcaktuar në funksionin e tij. Costa po shfaqet si kandidati më i pranueshëm për shumicën e kryeqyteteve të BE-së. Shërbimi i tij i jep mandatin për të përfaqësuar udhëheqësit e bllokut në arenën ndërkombëtare, ndërsa pozita dhe përvoja e tij si ish-kryeministër i Portugalisë i japin njëfarë paanshmërie, sipas një diplomati evropian, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së bisedimeve.
Kryeministri estonez Michal ishte udhëheqësi i parë që shprehu hapur mbështetjen për Kostën, duke i thënë POLITICO-s se «mandati i tij vjen drejtpërdrejt nga Këshilli Evropian» dhe e bën atë «përgjegjës» përpara vendeve anëtare të BE-së.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila kërkoi që çështja të përfshihej në rendin e ditës së bisedimeve të së premtes, tha se nuk do të kishte kundërshtim ndaj Kostës. Mbështetje për të shprehën gjithashtu udhëheqësit e Luksemburgut dhe Polonisë në qëndrimet e tyre për gazetarët të enjten.
Edhe vetë Kosta e ka bërë të qartë se BE-ja përfaqësohet ndërkombëtarisht nga institucionet e saj, që do të thotë edhe nga ai vetë. Kallas, megjithatë, është një kandidate shumë më përçarëse. Disa diplomatë e shohin ish-kryeministren estoneze, për të cilën një zyrtar i BE-së kishte thënë dikur se i «ha rusët për mëngjes», si një bashkëbiseduese të papranueshme për Kremlinin.
«Kjo është rrengë, apo jo?», tha një tjetër diplomat evropian lidhur me mundësinë që Kallas të përfaqësojë BE-në në këto bisedime me rëndësi të jashtëzakonshme, duke e cilësuar atë si «ndoshta personin më të papërshtatshëm që mund të zgjidhnit».
Por të tjerë argumentojnë se pikërisht ky qëndrim i saj i ashpër ndaj Rusisë e bën njeriun e duhur për këtë detyrë. «Do të kishte shumë më tepër kuptim», tha për POLITICO-n një diplomat i dytë i lartë evropian. «Pikërisht këtë do të bënte Putini. Ai do të zgjidhte atë me të cilin ju nuk dëshironi të bisedoni».
Michal argumentoi se funksioni i Kallasit e bën atë një zgjedhje të natyrshme si zëvendësuese të Kostës dhe se të dy, me gjasë, do të qëndrojnë në detyrat e tyre deri në përfundimin e mandateve në vitin 2029, çka i bën më të besueshëm se një udhëheqës kombëtar. «Putinit nuk ka pse t'i pëlqejë kjo», shtoi ai.
Parisi dhe Berlini nuk janë aq të gatshëm
Pengesa më e madhe për zgjedhjen e një përfaqësuesi në bisedime, megjithatë, mund të mos jetë Putini, por dy kryeqytetet më të fuqishme të BE-së. Franca dhe Gjermania nuk kanë gjasa të mirëpresin një marrëveshje që i jep Brukselit monopolin e përfaqësimit të Evropës në bisedime, u thanë POLITICO-s dy diplomatë evropianë dhe një zyrtar i BE-së.
Kancelari gjerman Friedrich Merz e bëri të qartë kundërshtimin e tij të enjten, duke e cilësuar pjesëmarrjen e vendeve të E3-shit në bisedimet për Ukrainën si «një mënyrë veprimi të përforcuar prej kohësh».
«Ne po bashkëpunojmë gjithashtu për këtë detyrë me pesë përfaqësues: nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia dhe Polonia. Nuk shoh absolutisht asnjë problem që të vazhdojmë në këtë mënyrë», tha ai.
Edhe Parisi ka pak arsye të heqë dorë nga vendi i tij në tryezën e bisedimeve. Franca është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe zotëron të vetmin arsenal bërthamor të Evropës, duke pasur kështu një ndikim diplomatik dhe ushtarak që asnjë organ i BE-së nuk mund ta zëvendësojë.
Këtë qëndrim e shprehu për POLITICO-n eurodeputeti francez Fabrice Leggeri, i Tubimit Kombëtar, duke shtuar se «mezi mund ta imagjinonte» Kostën apo Kallasin të flisnin në emër të Parisit.
«Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar», pra vendet e E3-shit, «do të mbeten gjithmonë Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar», argumentoi Michal, duke shtuar se asgjë nuk i pengon ato të zhvillojnë bisedime dypalëshe me Moskën.
Por, kur bëhet fjalë për vendimmarrjen që prek të gjithë kontinentin, ato duhet të përfshihen në një politikë të bazuar në mirëkuptim.
«Kjo është vetë Bashkimi Evropian», tha ai. «Ky është themeli i politikës së bazuar në mirëkuptim dhe i mbajtjes së të gjithëve të bashkuar, në të njëjtën linjë, kundër Rusisë».
Udhëheqësit e BE-së nuk kanë gjasa të emërojnë zyrtarisht një përfaqësues në takimin e së premtes, por diskutimet mund të sjellin një «mirëkuptim» më të gjerë mbi mënyrën se si duhet të përfaqësohet Evropa, tha një zyrtar i lartë i BE-së.
Ministrja e Jashtme irlandeze Helen McEntee i tha POLITICO-s se në bisedimet e së premtes udhëheqësit do të duhet ta «shqyrtojnë edhe pak më tej» këtë çështje.
Megjithatë, mund të mos kenë shumë kohë në zotërim. Këtë javë, Zelenski i kërkoi BE-së të nxitojë dhe të zgjedhë dikë, cilindo qoftë, për ta përfaqësuar në bisedime.
«Mendoj se në nëntor, jo më vonë, duhet të vendosim se kush do ta përfaqësojë Evropën në bisedime», tha ai.
Udhëheqësit evropianë kundërshtojnë kërkesën e Rusisë për riorganizimin e arkitekturës së sigurisë
Udhëheqësit evropianë kanë kundërshtuar kërkesën e Vladimir Putinit për riorganizimin e arkitekturës së sigurisë së kontinentit, si pjesë e bisedimeve për paqen në Ukrainë, ndërsa Volodymyr Zelensky paralajmëroi aleatët se Uashingtoni dhe Moska po bisedonin tashmë për këtë çështje.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Donald Trumpit, Jared Kushner, u takuan të enjten me presidentin rus në Moskë, pas bisedimeve për paqen në Ukrainë, të zhvilluara në Abu Dhabi në fillim të kësaj jave. Gjatë këtyre bisedimeve, përfaqësia ruse ngriti çështjen e rregullimeve të sigurisë në Evropë, ndërsa kundërshtoi të takohej me përfaqësuesit evropianë.
“Nuk ka nevojë të shpikim sërish rrotën. Evropa kishte një arkitekturë vepruese të sigurisë evropiane, derisa ajo u minua gradualisht dhe, përfundimisht, u shkatërrua nga pushtimi rus i Ukrainës”, deklaroi presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, i cili priti të enjten në Dublin presidentin ukrainas dhe udhëheqës të tjerë.
Zelensky tha se bisedimet SHBA–Rusi–Ukrainë në Abu Dhabi këtë javë kishin përfshirë “shumë diskutime për garancitë e sigurisë”.
“Evropa duhet t’i kushtojë vërtet vëmendje”, tha Zelensky. “Kur amerikanët dhe rusët bisedojnë për këto çështje, nuk bëhet fjalë vetëm për Ukrainën; në të vërtetë, bëhet fjalë më shumë për një lloj kuadri të ri sigurie mes Evropës dhe Rusisë. Dhe ne e shohim këtë qasje si disi të çuditshme”.
Zyrtarët rusë kanë thënë vazhdimisht se rregullimet e sigurisë në kontinent duhet të rishikohen. Kjo nënkupton ndalimin e zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s, ndalimin e stërvitjeve ushtarake pranë kufirit rus, si dhe tërheqjen e trupave dhe pajisjeve ushtarake nga krahu lindor i NATO-s. Në shumë kryeqytete evropiane, këto kërkesa janë parë si përpjekje të Kremlinit për të rikthyer sferën e tij të ndikimit dhe për të cenuar sovranitetin kombëtar të vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s.
Të enjten, Putini deklaroi se parashtrimet e Moskës për një arkitekturë të re sigurie duhet të shqyrtohen përpara se të arrihet një marrëveshje për përfundimin e luftës. “Çfarë dëgjojmë nga evropianët? Jo, vetëm pas paqes në Ukrainë. Por ata po planifikojnë të dërgojnë trupa atje pas paqes në Ukrainë. Kjo do të thotë vazhdim i luftës”, tha Putini.
Kushneri dhe Witkoff i thanë Putinit, në qëndrime të përcjella në televizion, se SHBA-ja dëshiron që evropianët të marrin pjesë në bisedimet e ardhshme për luftën me Rusinë dhe se Uashingtoni kishte nisur bisedimet me aleatët evropianë për arkitekturën e sigurisë së kontinentit.
Një njeri i njoftuar për bisedimet në Abu Dhabi pranoi se kjo çështje ishte ngritur gjatë diskutimeve. “Po, njerëzit po flasin për temën e sigurisë më të gjerë evropiane. Por jo për përmbajtjen e saj”, tha ky person. “Edhe në Abu Dhabi”.
Vladimir Medinsky, biseduesi kryesor i Rusisë, i tha televizionit shtetëror pas bisedimeve në Abu Dhabi se Rusia dëshiron të krijojë “një sistem të ri gjithëpërfshirës të sigurisë evropiane, i cili do të shërbejë si një Jaltë dhe Potsdam i ri”, duke zëvendësuar rendin botëror të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore.
Tre zyrtarë i thanë Financial Times se në kryeqytetet evropiane po rritej shqetësimi se pranimi i bisedimeve për mbrojtjen dhe sigurinë e kontinentit mund të bëhej çmimi që Evropa duhet të paguajë për të siguruar një vend në bisedimet për Ukrainën, pjesëmarrjen në të cilat udhëheqësit evropianë kishin këmbëngulur prej pesë vjetësh.
Kryeministri i Estonisë, Kristen Michal, paralajmëroi se Evropa ishte futur në “një kurth” duke biseduar arkitekturën e sigurisë së kontinentit në këmbim të një roli në bisedime. Ai tha se Putini kishte kërkuar prej vitesh të kishte fjalën e tij mbi sovranitetin e vendeve të NATO-s.
Kaja Kallas, shefja e diplomacisë së BE-së, tha se Evropa duhet të jetë e gatshme të nisë bisedimet për arkitekturën e sigurisë së kontinentit vetëm pasi Rusia të pranojë një marrëveshje paqeje.
“Tanipërtani, zhvendosja e vëmendjes drejt arkitekturës së sigurisë evropiane po e largon vëmendjen nga ajo ku duhet të përqendrohet në të vërtetë, pra tek armëpushimi dhe ndalimi i vrasjeve në Ukrainë”, tha Kallas.
Shqetësimi i udhëheqësve të kontinentit për bisedimet mbi sigurinë evropiane ka shtuar trysninë për të përfunduar rragatën e zgjatur se kush duhet ta përfaqësojë Evropën në çdo bisedim të mundshëm.
Udhëheqësit evropianë do ta shqyrtojnë këtë çështje në Dublin, me shpresën për të përcaktuar një emër brenda këtij muaji.
Ndërveprimi i Evropës me biseduesit amerikanë dhe ukrainas, si dhe përpjekjet e veçanta për të biseduar me Putinin, kanë qenë të paparashikueshme dhe, në disa raste, të paqarta e të pabashkërenduara.
Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, së bashku me BE-në, dërguan të gjitha përfaqësitë e tyre në takimet e zhvilluara në kuadër të bisedimeve në Abu Dhabi këtë javë.
“Siguria e Evropës nuk mund të bisedohet pa një zë evropian në tryezë”, shtoi Costa. “Ky zë evropian duhet të jetë një përpjekje e përbashkët e vendeve evropiane, Bashkimit Evropian dhe NATO-s”.
Putini paralajmëron përjashtimin e BE-së nga bisedimet dhe luftë të menjëhershme kundër trupave të saj në Ukrainë
MOSKË, 12 nëntor (TASS). Moska kundërshton çdo vendosje të trupave të huaja në Ukrainë pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje dhe thekson se, në këtë rast, luftimet do të duhet të rifillojnë, ndërsa këto forca do të bëhen objektiva të ligjshme për ushtrinë ruse. Kështu deklaroi presidenti rus Vladimir Putin gjatë një takimi në Kremlin me të dërguarit e posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Kreu i shtetit rus përsëriti se Moska e quan të papranueshme praninë e trupave të huaja në Ukrainë.
«Evropianët janë në dijeni të kësaj. Dhe çfarë dëgjojmë prej tyre? Se, sapo të nënshkruhet një marrëveshje paqeje, ata do të vendosin menjëherë trupa në territorin ukrainas», tha Putini, duke përshkruar gjendjen. «Çfarë do të thotë kjo? Ne kemi folur tashmë për këtë: për ne, ata janë shënjestra të ligjshme, që do të thotë se lufta do të rifillojë menjëherë».
«Çfarë po na parashtron qeveria amerikane?», shtoi presidenti rus. «Presidenti Tramp këshillon: le të arrijmë një marrëveshje për mjete që garantojnë sigurinë në Evropë në tërësi. Dhe çfarë dëgjojmë nga evropianët? Ata thonë: “Jo – vetëm pasi të arrihet paqja në Ukrainë”. Por, sapo të arrihet paqja atje, ata synojnë të vendosin trupa. «Dhe kjo do të thotë vazhdim i luftës. Kemi ardhur përsëri në pikën e nisjes», përfundoi Putini.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 39 reads



