...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Udhëheqësit evropianë kundërshtojnë kërkesën e Rusisë për riorganizimin e arkitekturës së sigurisë

Udhëheqësi rus përsëriti se Moska e quan të papranueshme praninë e trupave të huaja në Ukrainë

Përpiluesja/Redaksia - SHJ (www.shqipëriajonë.org)

12/11/2026 - 18:12

Udhëheqësit evropianë kanë kundërshtuar kërkesën e Vladimir Putinit për riorganizimin e arkitekturës së sigurisë së kontinentit, si pjesë e bisedimeve për paqen në Ukrainë, ndërsa Volodymyr Zelensky paralajmëroi aleatët se Uashingtoni dhe Moska po bisedonin tashmë për këtë çështje.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Donald Trumpit, Jared Kushner, u takuan të enjten me presidentin rus në Moskë, pas bisedimeve për paqen në Ukrainë, të zhvilluara në Abu Dhabi në fillim të kësaj jave. Gjatë këtyre bisedimeve, përfaqësia ruse ngriti çështjen e rregullimeve të sigurisë në Evropë, ndërsa kundërshtoi të takohej me përfaqësuesit evropianë.

“Nuk ka nevojë të shpikim sërish rrotën. Evropa kishte një arkitekturë vepruese të sigurisë evropiane, derisa ajo u minua gradualisht dhe, përfundimisht, u shkatërrua nga pushtimi rus i Ukrainës”, deklaroi presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, i cili priti të enjten në Dublin presidentin ukrainas dhe udhëheqës të tjerë.

Zelensky tha se bisedimet SHBA–Rusi–Ukrainë në Abu Dhabi këtë javë kishin përfshirë “shumë diskutime për garancitë e sigurisë”.

“Evropa duhet t’i kushtojë vërtet vëmendje”, tha Zelensky. “Kur amerikanët dhe rusët bisedojnë për këto çështje, nuk bëhet fjalë vetëm për Ukrainën; në të vërtetë, bëhet fjalë më shumë për një lloj kuadri të ri sigurie mes Evropës dhe Rusisë. Dhe ne e shohim këtë qasje si disi të çuditshme”.

Zyrtarët rusë kanë thënë vazhdimisht se rregullimet e sigurisë në kontinent duhet të rishikohen. Kjo nënkupton ndalimin e zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s, ndalimin e stërvitjeve ushtarake pranë kufirit rus, si dhe tërheqjen e trupave dhe pajisjeve ushtarake nga krahu lindor i NATO-s. Në shumë kryeqytete evropiane, këto kërkesa janë parë si përpjekje të Kremlinit për të rikthyer sferën e tij të ndikimit dhe për të cenuar sovranitetin kombëtar të vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s.

Të enjten, Putini deklaroi se parashtrimet e Moskës për një arkitekturë të re sigurie duhet të shqyrtohen përpara se të arrihet një marrëveshje për përfundimin e luftës. “Çfarë dëgjojmë nga evropianët? Jo, vetëm pas paqes në Ukrainë. Por ata po planifikojnë të dërgojnë trupa atje pas paqes në Ukrainë. Kjo do të thotë vazhdim i luftës”, tha Putini.

Kushneri dhe Witkoff i thanë Putinit, në qëndrime të përcjella në televizion, se SHBA-ja dëshiron që evropianët të marrin pjesë në bisedimet e ardhshme për luftën me Rusinë dhe se Uashingtoni kishte nisur bisedimet me aleatët evropianë për arkitekturën e sigurisë së kontinentit.

Një njeri i njoftuar për bisedimet në Abu Dhabi pranoi se kjo çështje ishte ngritur gjatë diskutimeve. “Po, njerëzit po flasin për temën e sigurisë më të gjerë evropiane. Por jo për përmbajtjen e saj”, tha ky person. “Edhe në Abu Dhabi”.

Vladimir Medinsky, biseduesi kryesor i Rusisë, i tha televizionit shtetëror pas bisedimeve në Abu Dhabi se Rusia dëshiron të krijojë “një sistem të ri gjithëpërfshirës të sigurisë evropiane, i cili do të shërbejë si një Jaltë dhe Potsdam i ri”, duke zëvendësuar rendin botëror të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore.

Tre zyrtarë i thanë Financial Times se në kryeqytetet evropiane po rritej shqetësimi se pranimi i bisedimeve për mbrojtjen dhe sigurinë e kontinentit mund të bëhej çmimi që Evropa duhet të paguajë për të siguruar një vend në bisedimet për Ukrainën, pjesëmarrjen në të cilat udhëheqësit evropianë kishin këmbëngulur prej pesë vjetësh.

Kryeministri i Estonisë, Kristen Michal, paralajmëroi se Evropa ishte futur në “një kurth” duke biseduar arkitekturën e sigurisë së kontinentit në këmbim të një roli në bisedime. Ai tha se Putini kishte kërkuar prej vitesh të kishte fjalën e tij mbi sovranitetin e vendeve të NATO-s.

Kaja Kallas, shefja e diplomacisë së BE-së, tha se Evropa duhet të jetë e gatshme të nisë bisedimet për arkitekturën e sigurisë së kontinentit vetëm pasi Rusia të pranojë një marrëveshje paqeje.

“Tanipërtani, zhvendosja e vëmendjes drejt arkitekturës së sigurisë evropiane po e largon vëmendjen nga ajo ku duhet të përqendrohet në të vërtetë, pra tek armëpushimi dhe ndalimi i vrasjeve në Ukrainë”, tha Kallas.

Shqetësimi i udhëheqësve të kontinentit për bisedimet mbi sigurinë evropiane ka shtuar trysninë për të përfunduar rragatën e zgjatur se kush duhet ta përfaqësojë Evropën në çdo bisedim të mundshëm.

Udhëheqësit evropianë do ta shqyrtojnë këtë çështje në Dublin, me shpresën për të përcaktuar një emër brenda këtij muaji.

Ndërveprimi i Evropës me biseduesit amerikanë dhe ukrainas, si dhe përpjekjet e veçanta për të biseduar me Putinin, kanë qenë të paparashikueshme dhe, në disa raste, të paqarta e të pabashkërenduara.

Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, së bashku me BE-në, dërguan të gjitha përfaqësitë e tyre në takimet e zhvilluara në kuadër të bisedimeve në Abu Dhabi këtë javë.

“Siguria e Evropës nuk mund të bisedohet pa një zë evropian në tryezë”, shtoi Costa. “Ky zë evropian duhet të jetë një përpjekje e përbashkët e vendeve evropiane, Bashkimit Evropian dhe NATO-s”.

Putini paralajmëron përjashtimin e BE-së nga bisedimet dhe luftë të menjëhershme kundër trupave të saj në Ukrainë

MOSKË, 12 nëntor (TASS). Moska kundërshton çdo vendosje të trupave të huaja në Ukrainë pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje dhe thekson se, në këtë rast, luftimet do të duhet të rifillojnë, ndërsa këto forca do të bëhen objektiva të ligjshme për ushtrinë ruse. Kështu deklaroi presidenti rus Vladimir Putin gjatë një takimi në Kremlin me të dërguarit e posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

Kreu i shtetit rus përsëriti se Moska e quan të papranueshme praninë e trupave të huaja në Ukrainë.

«Evropianët janë në dijeni të kësaj. Dhe çfarë dëgjojmë prej tyre? Se, sapo të nënshkruhet një marrëveshje paqeje, ata do të vendosin menjëherë trupa në territorin ukrainas», tha Putini, duke përshkruar gjendjen. «Çfarë do të thotë kjo? Ne kemi folur tashmë për këtë: për ne, ata janë shënjestra të ligjshme, që do të thotë se lufta do të rifillojë menjëherë».

«Çfarë po na parashtron qeveria amerikane?», shtoi presidenti rus. «Presidenti Tramp këshillon: le të arrijmë një marrëveshje për mjete që garantojnë sigurinë në Evropë në tërësi. Dhe çfarë dëgjojmë nga evropianët? Ata thonë: “Jo – vetëm pasi të arrihet paqja në Ukrainë”. Por, sapo të arrihet paqja atje, ata synojnë të vendosin trupa. «Dhe kjo do të thotë vazhdim i luftës. Kemi ardhur përsëri në pikën e nisjes», përfundoi Putini.    

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA