...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Paralele mes opozitës ruse dhe shqiptare dhe pse nuk dënohet klasa jonë politike për tradhti kombëtare

Vërtet klasa jonë politike betohet kur merr detyrën për të drejtuar shtetin por nuk ka asnjë ligj që ta dënojë atë për tradhti ndaj betimit përveç ligjit kundër korrupsionit

Ylli Përmeti

24/02/2024 - 07:44

Ka disa ngjashmëri mes zhvillimeve politike në Rusi dhe zhvillimeve politike në Shqipëri njëzetë e ca vitet e fundit por me disa ndryshime të rëndësishme, sidomos lidhur me mungesën e ligjit që dënon tradhtarët ndaj atdheut, sepse vërtet klasa jonë politike betohet kur merr detyrën për të drejtuar shtetin por nuk ka asnjë ligj që ta dënojë atë për tradhti ndaj betimit përveç ligjit kundër korrupsionit.

Protestat, për shembull, kanë karakter ‘simptomatik’. Domethënë, protestohet kundër simptomave të sistemit (korrupsion etj.) dhe jo kundër shkaqeve që shkakton sistemi. Protestat e vitit 2017 në Rusi, për shembull, u nxitën nga Mihail Kodorovki, një ish-oligark i syrgjynosur dhe tre grupe jo-qeveritare të lidhura me të: “Fondacioni i Rusisë së Hapur”, “Instituti i Rusisë Moderne” dhe lëvizja e “Rusisë së Hapur”, të cilët u deklaruan nga autoritetet ruse si të padëshirueshme një muaj pas protestave masive përgjatë më shumë se 80 qyteteve. “Të treja këto organizata përparojnë programe dhe projekte në territorin e Federatës ruse që synojnë të diskretitojnë rezultatet e zgjedhjeve në Rusi dhe t’i deklarojnë ato të paligjshme. Organizatat në fjalë kanë frymëzuar protestat dhe shqendrueshmërinë e gjendjes së brendshme politike, dhe kërcënojnë themelet e rendit kushtetues të Federatës Ruse dhe sigurinë e shtetit”, citoi prokurori rus.

Praktikisht, protestat u nxitën nga Aleksej Navalni, kryetari i opozitës, i cili qarkulloi një video në internet ku akuzoi Dmitri Medvedevin, kryeministrin rus, për përqendrim korruptues të “dahave” (shtëpi ruse fshati) luksoze dhe vreshtarive — pretendime që u hodhën poshtë nga Medvedevi dhe të tjerë që implikohen në video. Madje, grupet përkatëse kërkuan nga Putini —me një letër— të mos kandidonte në zgjedhjet presidenciale.

Kodorovski dhe fondacionet përkatëse kanë bashkëpunuar ngushtë dhe me Sorosin. Ky i fundit, nuk ngurroi të merrte pjesë në një konferencë të përbashkët me Klubin e “Rusisë së Hapur” dhe “Shoqërisë së Hapur” dhe të tregonte bashkëpunimin e tij me Kodorovskin dhe përfshirjen e tij në “demokratizimin” e Rusisë.

Qartësisht, kërkohet të minohet rezistenca ruse (e Putinit) kundrejt rendit botëror të globalizmit neoliberal me protesta që luftojnë simptomat e sistemit dhe jo shkaqet që shkakton sistemi! Kufizimi i veprimtarisë politike të opozitës, rrjedhimisht, nga Putini, lidhet me rolin e opozitës për të minuar orientimin tërësor politiko-ekonomik të Rusisë dhe me ligjet në fuqi: sepse ligjet në fuqi lejojnë vetëm protesta me leje dhe ‘jo të dhunshme’.

Ky fakt vërtetohet dhe nga veprimet ligjore të Putinit për të kufizuar veprimtarinë e “opozitës” ruse ose të asaj “opozite” që është më e fuqishme se partitë e tjera opozitare në Rusi: “opozitën Navalni”. Ky i fundit la frymën e fundit në burg në shkurt të vitit 2024. Si pasojë perëndimi shpërtheu në akuza ndaj Putinit dhe nuk munguan sanksionet e reja amerikane pas pak ditësh (më 23 shkurt).

Një arsye se pse elitat perëndimore (neoliberale) reaguan ashpër pas vdekjes së tij, është lufta e tyre për të luftuar regjimet “autokratike” për t`i zëvendësuar ata me regjime “demokratike”, siç e kuptojnë ato “demokracinë”: si demokraci përfaqësuese. Kjo qasje kundërshtohet nga Trampi dhe shumë të tjerë, të djathtë e të majtë, në perëndim, sepse nuk përputhet me të drejtën ndërkombëtare, se asnjë shtet s`ka të drejtë të ndërhyjë në punët e brendshme të një shteti tjetër, përjashto rastet kur ushtrohet luftë gjenocidale (kjo e drejtë u themelua nga lufta jonë kundër shovinizmit serb me doktrinën e Blerit).

Por arsyeja e vërtetë lidhet me investimin perëndimor në “figurën” e quajtur “Navalni” dhe shpresën e tij se ai mund të mposhtte Putinin ose të paktën ta “sfidonte” atë. Vetëm se nuk i bënë mirë llogaritë, sepse Rusia ka ligje dhe kush i shkel dënohet, aq më tepër kur zhvillon “betejë” politike me milionat e të huajve ose me milionat e atyre që Rusia filloi një luftë që në vitin 2014 pas grushtit të shtetit në Kiev.

Kjo është arsyja se pse Navalni u dënua si fillim për shkak të shkeljeve ligjore lidhur me protestat dhe më pas për tradhti ndaj atdheut: sepse ligji parashikon se kushdo që zhvillon betejë politike me pará të huaja, shpallet tradhtar. Në fjalët e ligjit: tradhtia “përfshin ndihmën financiare, teknike dhe këshillimore ose ndihmë tjetër ndaj një shteti të huaj ose organizatë ndërkombëtare…që dëmton drejtpërdrejt sigurinë e Rusisë, duke përfshirë rendin e saj kushtetues, sovranitetin, dhe tërësinë territoriale”.

Ky ligj u miratua që në vitin 2012, dy vjet përpara grushtit të shtetit në Kiev, dhe ndaj tij vendet perëndimore përfshirë dhe Këshillin Evropian shprehën shqetësime, sepse mund të mos përputhësh me të drejtat e njeriut. Në vitin 2023, gjatë luftës në Ukrainë, Rusia rriti dënimet për tradhtinë kombëtare, nga njëzetë vjet në burgim të përjetshëm. Për këtë ligj ishte në dijeni dhe Navalni por ai e shpërnjohu atë përsa kohë që kishte mbështetjen perëndimore.

Tradhtinë ndaj atdheut e dënon dhe SHBA-ja mes shumë vendesh të tjerë; madje atje parashikohet dhe dënimi me vdekje. Gjatë socializmit në vendin tonë tradhtia ndaj atdheut ishte krimi më i rëndë (neni 62: Kushtetuta 1977) dhe Kodi Penal (neni 47) e dënonte ose me heqje të lirisë (jo më pak se dhjetë vjet) ose me vdekje.

Kushtetuta e re dhe Kodi i ri Penal (1995) tradhtinë kombëtare e hoqi si kategori ligjore! Arsyeja kryesore lidhet me të dënuarit politikë, sepse shumë prej tyre u dënuan për tradhti kombëtare gjatë socializmit dhe me regjimin e ri kërkuan dëmshpërblim. Një arsye tjetër lidhësh me “dezertorët” e ushtrisë së socializmit. Por bashkë me ta përfituan dhe tradhtarët e rinj: elita jonë politike, e cila vepron që nga ajo kohë në shthurje të plotë dhe nuk dënohet për tradhti ndaj atdheut!

Një nga tradhtitë e saj kombëtare është fakti se ajo ka pranuar dhe kërkuar të financohet dhe të mbështetet politikisht nga elitat e huaja për të fituar pushtetin politik, duke minuar kështu sovranitetin dhe pavarësinë e atdheut. Madje, mungesa e këtij ligji ka krijuar kushtet që pinjollët e “rinj” të partive politike në pushtet, si lëvizja Shthurje me Shabanin dhe Lapajan në krye, të vazhdojnë traditën e tradhtisë kombëtare që në hapat e parë të karrierës së tyre politike.

Fushata politike ka filluar dhe bashkë me të “rrëfenja e madhe”

Në fund, shqetësues është dhe fakti se një kundërshtare (opozitë) tjetër e klasës politike në Shqipëri, Lëvizja Bashkë, jo vetëm që zhvillon protesta “kundër korrupsionit” (kundër simptomave dhe jo kundër shkaqeve) por është e hapur të bashkëpunojë me “kundërshtarët” e tipit “Lapaj” apo “Shabani”, kur ajo vet s`është “përlyer” me paratë e elitave të huaja!     

Çani, Arlindi dhe pedagogët e partive: kodra pas bregut për çështjet (gjeo)politike dhe shoqërore

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA