...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Protesta kundër bisedimeve për çështjet kombëtare me Greqinë dhe perspektiva e saj

Nevojitet një protestë më masive, më e mirorganizuar dhe më e mirorientuar.

SHJ

03/02/2018 - 18:27

Ne udhëtuam nga Durrësi për t’u solidarizuar me protestën kundër bisedimeve të qeverisë sonë me qeverinë greke. Protesta u mirëparashtrua –do të ishte një protestë nga patriotët për patriotët dhe pa praninë e partive– dhe, deri diku, u mirorganizua. Fryma paqësore mbizotëroi. Filloi me këndimin e himnit dhe vazhdoi me konstatime dhe shpalosje të pjesëmarrësve.

Gjatë protestës u dëgjuan disa thirrje të kritikueshme. Për shembull, “Shqipëri etnike”. Kjo është një thirrje e kritikueshme sepse mbivendos kombin mbi qytetarin. Apo “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhëtarëve”. Kjo është një thirrje, gjithashtu e kritikueshme jo vetëm sepse historikisht është përdorur nga ballistët pjesë e të cilëve kanë qenë dhe nacionalistët shqiptarë të shekullit të kaluar, roli i të cilëve në luftën e parë dhe të dytë botërore ka qenë kolaboracionist dhe minues i pavarësisë së vendit, por vendos “shqiptarin” mbi qytetarin në kohën kur dihet se Shqipëria nuk është e përbërë vetëm nga shqiptarë dhe kur në themel të shtetit është qytetari i pari, një parim që nënkupton se shqiptarët në Shqipëri konsiderohen të barabartë me qytetarët e tjerë të kombeve të tjerë. Gjithashtu, bisedimet janë të natyrës ‘kriminale’ dhe jo thjesht të ‘turpshme’. Domethënë, krim kombëtar. Përsëritja e këtij lloj krimi është më e drejtë se sa thjesht turpi. Kishte, shkurt, disa tepëri dhe thirrje jo të mirëthemeluara. Por përgjithësisht, protesta e përçoi kumtin e saj: ajo kërkon tejdukshmëri në bisedimet me palën greke.

Sidoqoftë, është thuajse e sigurtë se qeverinë tonë nuk do ta frikësojë pjesëmarrja, e cila ishte relativisht e vogël. Për pasojë, nëse protesta tjetër nuk arrin të misivizohet, e cila do të zhvillohet në 10 shkurt, qeveria “Rama” do të miratojë kërkesat greke. Kjo është arsyeja pse protesta kërkon të marrë karakter ‘masiv’: sepse vetëm ‘masiviteti’ mund të pezullojë bisedimet me Greqinë. Mjafton të kujtojmë rastin e armëve kimike: ato u refuzuan pikërisht për shkak të masivitetit ose pjesëmarrjes masive të popullit. Gjithashtu, është e rëndësishme të kujtojmë se zgjidhja e çështjeve me Greqinë kalon nga kuptimi i diplomacisë dhe politikës së jashtme greke dhe shkaqeve sistemike, në raport me Greqinë, që kanë çuar qeveritë shqiptare të miratojnë politika anti-kombëtare. Kjo ishte arsyeja pse studiuesi Ylli Përmeti, dhe gazetar i kualifikuar pikërisht në Greqi, u mundua të bënte një hyrje të natyrës së diplomacisë greke në lidhje me ne në protestë në dijeni të plotë se kuptimi i shkaqeve kërkon kohë dhe përkushtim. Do të ishte, rrjedhimisht, mirë që përgjatë ditëve në vazhdim, shqiptarët e përfshirë në këtë përpjekje të fillojnë të lexojnë, shqyrtojnë dhe kundrojnë studimin që ka parapublikuar autori.

Shitja e Shqipërisë nga klasa politike dhe ofensiva neoliberale greke

Në protestë u dëgjuan argumente se ne mund të kërkojmë ndihmën e Amerikës apo Gjermanisë për të ushtruar trysni mbi palën greke! Këto janë qendrime naive për dy arsye kryesore: së pari, është e sigurtë se amerikanët apo gjermanët nuk do të përshihen në këto bisedime duke ushtruar trysni, sepse çështjet janë të natyrës kombëtare dhe lidhen drejtëpërdrejt me qeveritë nga këndvështrimi juridik. Nëse përfshihen, ‘cënojnë’ sovranitetin e vendeve dhe veprime të tilla janë të dënueshme nga e drejta ndërkombëtare. Mjafton të përmendim rastin e mosmarrëveshjes për emrin e ‘Maqedonisë’:  OKB-ja ndihmon në zgjidhjen e saj por nuk mund, për shembull, të ushtrojë trysni mbi njërën palë apo tjerën, për një variant apo tjetrin; së dyti, edhe nëse do të kishte mundësi Amerika të ushtronte trysni, Greqia mund të luajë diplomaci të dyfishtë me Shqipërinë. Për shembull, ndërsa pushtetit që ushtron trysni i premton se nuk do të jetë e padrejtë me ne, në marrëveshje sekrete me ndërmarrjet dhe bankat greke në Shqipëri dhe Janullatosin, të fillojë një “luftë” ekonomike duke dëmtuar së pari, oligarkinë tonë, politike dhe ekonomike, pjesë e së cilës është dhe qeveria “Rama”. Pikërisht për këto arsye, e të tjera si këto, ky variant as nuk duhet të përmendet.   

Mashtrimi i organizuar i elitës akademike dhe politike dhe pse protesta nevojitet të kundërshtojë kushtet gjeopolitike me Greqinë? 

Nevojitet, rrjedhimisht, një protestë më masive, më e mirorganizuar dhe më e mirorientuar.                   

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA