Brukseli përgatitet për rrënimin e ardhshëm bankar mes paqartësive
Komisioni Evropian po përpiqet të gjejë një zgjidhje për pyetjen thelbësore: kush do të sigurojë paratë kur një bankë e shpëtuar duhet të rifitojë besimin e tregut
Politico
18/06/2026 - 15:24
Zyrtarët e Bashkimit Evropian po hartojnë një plan për të mbajtur gjallë një bankë pas një krize bankare, tre vjet pasi autoritetet zvicerane u përpoqën me ngut të ndalonin shembjen e Credit Suisse.
Ky mbetet një shqetësim që BE-ja ende nuk e ka zgjidhur plotësisht, pothuajse dy dekada pas krizës financiare të vitit 2008, edhe pse atëherë u ngrit një rrjet i tërë rregullash që synonin të siguronin se humbjet e një banke në falimentim do të mbuloheshin nga aksionarët dhe kreditorët, jo nga taksapaguesit.
Megjithatë, zbrazëtitë mbeten. Kjo lë ende të hapur rrezikun që arka publike të detyrohet të mbajë në këmbë banka gjigante kur të godasë kriza e ardhshme — një skenar i rëndë për qeveritë evropiane, të cilat tashmë po përpiqen të rimëkëmben nga një varg krizash të njëpasnjëshme.
Blloku evropian përballet tashmë me një faturë vjetore prej 1 trilion eurosh për të përtërirë ekonomitë e tij dhe për të forcuar mbrojtjen, ndërkohë që lufton me çmime të larta të lëndëve djegëse dhe rritje të plogësht ekonomike. Ngjarja e fundit që i duhet tani Evropës do të ishte shembja e një banke me përmasat e Deutsche Bank, UniCredit apo BNP Paribas. Për këtë arsye, në vend që të presë për krizën e ardhshme financiare, Komisioni Evropian ka nisur punën mbi një plan të ri, sipas një dokumenti të fshehtë që ka parë POLITICO.
Qëllimi është të zgjidhet ajo që quhet “shqetësimi i të hënës në mëngjes”: kur një bankë e shpëtuar mund të dalë nga fundjava teknikisht e aftë për të mbijetuar në letër, por sërish të mbetet pa para nëse depozituesit tërheqin kursimet dhe investitorët refuzojnë t’i japin hua.
Rasti i Credit Suisse mbetet një kujtesë e freskët për shumën gjigante që nevojitet për të mbajtur gjallë një bankë të madhe të shpëtuar sapo besimi i tregut avullohet. Kriza e vitit 2023 erdhi menjëherë pas rrëzimit të Silicon Valley Bank, që tregoi sa shpejt kursimtarët mund të zbrazin depozitat e tyre vetëm me një klikim.
Autoritetet zvicerane ngritën një paketë shpëtimi prej rreth 260 miliardë frangash, afërsisht një e treta e prodhimit ekonomik të Zvicrës në atë kohë, gjatë një fundjave të ethshme prej 48 orësh, për të mbajtur në këmbë Credit Suisse derisa rivali i saj, UBS, ta përpinte bankën në vështirësi. Berna ishte madje e gatshme të vinte në rrezik para publike për të shmangur një rrëzim që do të trondiste gjithë rrjetin financiar botëror.
Bashkimi Evropian nuk mund të ndjekë të njëjtin model zviceran, sepse nuk ka një arkë të vetme të përbashkët që mund të ndërhyjë menjëherë. Për më tepër, Brukseli ka ngritur qindra faqe rregullash pikërisht për të shmangur që taksapaguesit të paguajnë faturën e një shpëtimi bankar.
Këto rregulla kërkojnë që bankat të hartojnë të ashtuquajturat “testamente jetese” dhe të mbledhin rezerva për përthithjen e humbjeve, të cilat autoritetet mund t’i përdorin për të stabilizuar një bankë që po rrëzohet gjatë një fundjave — një proces që quhet zgjidhje e mbikëqyrur (resolution).
Single Resolution Board, institucioni që merret me bankat në falimentim, mbikëqyr edhe një rrjet sigurie prej 81 miliardë eurosh, të financuar nga vetë industria bankare, që mund të ndihmojë një bankë të shpëtuar nëse rezervat e saj nuk mjaftojnë. Por asnjë nga këto nuk ka vlerë nëse banka e shpëtuar nuk arrin të gjejë para të freskëta për të vazhduar punën të hënën në mëngjes.
Ndërkohë, Banka Qendrore Evropiane nuk mund të shtypë thjesht para për të mbuluar humbje që i takojnë një qeverie apo një banke të dështuar. Për të zgjidhur këto nyje, Komisioni Evropian ka kërkuar mendime teknike nga institucionet më të mëdha financiare të BE-së: Banka Qendrore Evropiane, Bordi i Vetëm i Zgjidhjes dhe fondi i shpëtimit të eurozonës, i njohur si Mjet Evropian Qendrueshmërie (European Stability Mechanism).
Bisedimet janë ende në një fazë thjesht teknike, sipas tre zyrtarëve të Bashkimit Evropian që janë vënë në dijeni të dokumentit, çka do të thotë se kjo çështje nuk ka gjasa të arrijë tek ministrat e financave brenda këtij viti. Megjithatë, zëvendësministrat e financave e kanë diskutuar tashmë temën, e njohur mes specialistëve si “shlyerja në zgjidhje” (liquidity in resolution), dhe ajo është një nga përparësitë e presidencës së tanishme amerikane të G20.
Sipas të njëjtëve zyrtarë, tema pritet të rikthehet në vjeshtë, pasi Komisioni Evropian të paraqesë qëndrimin e saj politik mbi mënyrën se si bankat evropiane mund të bëhen më konkurruese në skenën botërore. Brukseli nuk po pret shpërthimin e krizës tjetër bankare; ai po përpiqet të ndërtojë që tani një mekanizëm që të sigurojë para të menjëhershme për një bankë të shpëtuar, në mënyrë që ajo të mos rrëzohet sërish sapo të hapen tregjet.
“Ndjekja e ujëvarave”
(Kështu quhet metaforikisht skema që po mendon Brukseli)
KE-ja po përfytyron një plan që funksionon si një ujëvarë përgjegjësish, ku barra kalon hap pas hapi nga një hallkë tek tjetra. Në hapin e parë, BQE-ja do t’i japë bankës në krizë një vijë shpëtimi shlyese. Si garanci, banka do të lëshojë një obligacion të posaçëm, të garantuar nga Bordi i vetëm i shpëtimit (Single Resolution Board/SRB). Nëse banka dështon dhe obligacionet humbin vlerën, atëherë SRB do të përdorë fondin e saj prej 81 miliardë eurosh për t’i kthyer paratë Bankës Qendrore Evropiane.
Nëse nevojiten më shumë para, SRB mund të marrë hua nga vetë sektori bankar ose, në mungesë të kësaj mundësie, t’i drejtohet Mjetit Evropiane të Qendrueshmërisë (European Stability Mechanism) — me kusht që Italia të ratifikojë traktatin e ri të këtij mekanizmi, që do ta lejonte të shërbejë si rrjet sigurie për fondin e SRB-së. Nëse as kjo nuk mjafton, barra bie mbi qeverinë që qëndron pas shpëtimit të bankës. Dhe nëse vetë qeveria nuk ka para të mjaftueshme, mund të kërkojë një linjë kredie nga ESM. Pasi Banka Qendrore Evropiane të marrë mbrapsht paratë e saj, fatura përfundimtare kalon tek vetë sektori bankar — duke mbrojtur kështu taksapaguesit, të paktën në afat të gjatë. Komisioni Evropian, BQE-ja, SRB-ja dhe ESM-ja kanë refuzuar të komentojnë mbi dokumentin e rrjedhur.
Megjithatë, një zëdhënës i Komisionit Evropian pranoi se:
“Nuk është sekret që shërbimet e Komisionit po shqyrtojnë çështjen e shlyerjes në zgjidhje, në kuadër të punës sonë për Raportin mbi Konkurrueshmërinë Bankare, që pritet të botohet në korrik. Është një debat i vjetër dhe i rëndësishëm, si pjesë e përpjekjes për të siguruar një Bashkim Bankar plotësisht funksional.”
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 14 reads



