Zvicra rishkon në referendum mes prirjeve për braktisjen e asnjanësisë
Votuesit do të vendosin nëse vendet që blejnë armë zvicerane mund t'ua rishesin ato vendeve të tjera pa marrë automatikisht miratimin e Bernës, si dhe nëse Zvicra duhet të lejojë eksportin e armëve drejt një numri më të madh shtetesh partnere
Përpiluesja/Redaksia - SHJ (www.shqipëriajonë.org)
24/11/2026 - 07:59
Zvicra do të votojë më 29 nëntor nëse duhet të lehtësojë rregullat për eksportin e armëve, në një referendum të ri që vë në provë asnjanësinë e saj, të njohur prej më shumë se dy shekujsh. Votuesit do të vendosin nëse vendet që blejnë armë zvicerane mund t'ua rishesin ato vendeve të tjera pa marrë automatikisht miratimin e Bernës, si dhe nëse Zvicra duhet të lejojë eksportin e armëve drejt një numri më të madh shtetesh partnere.
Qeveria zvicerane, Këshilli Federal, mbështet ndryshimet e parashtruara nga parlamenti. Por një bashkim partish të majta i ka kundërshtuar ato dhe ka kërkuar referendum. Pas fillimit të luftës në Ukrainë nga Rusia, Berna kishte refuzuar kërkesat e Gjermanisë, Danimarkës dhe Spanjës për të dërguar në Ukrainë armë të prodhuara në Zvicër.
«Kjo shkaktoi disa përplasje mes Zvicrës dhe këtyre vendeve», tha për POLITICO Markus Mäder, sekretari i shtetit për politikën e sigurisë. Sipas tij, rregullat e eksportit ishin hartuar në mënyrë tepër kufizuese përpara pushtimit rus të Ukrainës. Nëse ndryshimet miratohen, disa vende që blejnë armë zvicerane do të mund t'i dërgojnë ato më lehtë në Ukrainë, në raste të caktuara.
Mäder tha se qeveria ka zgjeruar gjithashtu listën e vendeve partnere që mund të marrin drejtpërdrejt armë zvicerane edhe kur janë të përfshira në konflikte të armatosura, për shembull në luftën kundër grupeve të armatosura brenda ose jashtë hapësirës së tyre. Megjithatë, vendet që janë në luftë me një shtet tjetër do të vazhdojnë të përjashtohen, në përputhje me rregullat e asnjanësisë. Lista përfshin të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, vendet e Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë. Shumica e tyre i japin ndihmë ushtarake Ukrainës, ndërsa vetë Ukraina nuk përfshihet në këtë listë.
Që nga viti 2022, Berna ka kërkuar të thellojë lidhjet e mbrojtjes me BE-në dhe NATO-n. Mäder i tha POLITICO-s se Zvicra dëshiron tashmë të ndajë me aleancën edhe të dhëna të klasifikuara ushtarake për gjendjen e hapësirës ajrore. Në shtator, votuesit zviceranë rrëzuan një nismë që synonte të vendoste në Kushtetutë një përkufizim më të rreptë të asnjanësisë, i cili do të pengonte vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe afrimin me NATO-n.
Asnjanësia e Zvicrës njihet nga e drejta ndërkombëtare, por Berna ruan hapësirë vendimmarrjeje për mënyrën se si e zbaton atë. Referendumi i këtij muaji do të tregojë deri në çfarë mase vendi është i gatshëm të afrohet me organet evropiane të sigurisë.
Lehtësimi i rregullave për eksportin e armëve
Zvicra eksporton municione, automjete të blinduara, pjesë për avionë luftarakë, lëndë plasëse ushtarake, karburante dhe lëndë shtytëse.
Blerësit kryesorë të armëve zvicerane janë Gjermania, SHBA-ja, Hungaria, Italia dhe Luksemburgu. Megjithatë, në mars, Berna ndaloi dhënien e lejeve të reja për eksportin e armëve drejt Uashingtonit, për shkak të luftës së këtij të fundit me Iranin.
Në vitet e para të luftës në Ukrainë, Zvicra pengoi vende si Gjermania, Holanda dhe Spanja të dërgonin në Ukrainë pajisje ushtarake të prodhuara ose të zotëruara prej saj. Mes tyre ishin tanket Leopard 1 A5, municionet dhe armët kundërajrore. Si kundërpërgjigje, disa kryeqytete evropiane, përfshirë Berlinin dhe Hagën, kufizuan blerjet e armëve zvicerane.
Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), gjatë periudhës 2021–2025, Zvicra renditej e 20-ta në botë për eksportin e armëve kryesore, nga vendi i 14-të që mbante në periudhën 2016–2020.
Kjo gjendje e shtyu parlamentin zviceran të lehtësonte vitin e kaluar ligjin për prodhimet e luftës. Por partitë e majta kërkuan referendum kundër ndryshimeve, duke arsyetuar se armët zvicerane mund të përfundonin në duart e diktaturave ose në zona lufte.
«Ne duam t'ua lehtësojmë eksportin vendeve partnere dhe shteteve përgjegjëse, por duam të ruajmë ende kufizime të mjaftueshme që armët të mos përfundojnë në duar të gabuara», theksoi Mäder.
Afrimi edhe më i madh me BE-në dhe NATO-n
Referendumi zhvillohet në kohën kur mënyra se si Zvicra e zbaton asnjanësinë ka ndryshuar vitet e fundit. «Gjatë 200 viteve të fundit, që nga Kongresi i Vjenës, kur asnjanësia zvicerana u pranua nga fuqitë e mëdha evropiane, ajo është përshtatur gjithmonë me rrethanat ndërkombëtare. Nuk ka qenë kurrë një mjet dogmatik dhe i pandryshueshëm», tha Mäder.
Megjithatë, ka ende kufij të prerë: Zvicra nuk mund të mbështesë ushtarakisht njërën palë në një konflikt të armatosur ndërkombëtar dhe as të bëhet pjesë e një bashkësie ushtarake. Pavarësisht kësaj, vendi kërkon të afrohet më shumë me BE-në dhe NATO-n.
Një shembull është synimi për të zgjeruar shkëmbimin e të dhënave për gjendjen e hapësirës ajrore me NATO-n, duke përfshirë edhe të dhëna ushtarake të klasifikuara. «Kjo është thelbësore për mbrojtjen ajrore. Ne ia kemi bërë të ditur tashmë këtë synim NATO-s dhe bisedimet do të nisin në një çast të caktuar», tha sekretari zviceran i shtetit.
Ashtu si fqinjët e saj evropianë, Zvicra po rrit gjithashtu armatimin. Në shtator, Këshilli Federal publikoi një strategji të re të politikës së sigurisë, e cila parashikon shqyrtimin e blerjes së sistemeve me rreze të gjatë veprimi dhe shtimin e rezervave të municioneve.
Pas disa dekadash mbështetjeje tek armatimet amerikane, Zvicra po kërkon t'u japë përparësi prodhuesve evropianë të armëve. «Përparësi i japim, natyrisht, industrisë sonë kombëtare të mbrojtjes. Megjithatë, ajo nuk ofron të gjitha llojet e aftësive që na nevojiten. Përparësia e dytë është Evropa», shpjegoi Mäder.
Berna nuk po largohet nga Uashingtoni, por vonesat prej disa vitesh në furnizimin me sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore Patriot po e detyrojnë të kërkojë rrugë të tjera.
«Kemi të bëjmë me mungesë furnizimesh në tregun e industrisë së mbrojtjes, një gjendje që, ashtu si shumë të tjerë, nuk e kishim parashikuar. Prandaj është mirë të kemi burime të ndryshme furnizimi. Kjo nuk do të thotë se nuk e shqyrtojmë më SHBA-në si një bashkëpunëtore të mirë», tha ai.
Një nga provat e para të politikës zvicerane «Blini evropiane» do të jetë vendimi për blerjen e një sistemi të ri të mbrojtjes ajrore. Berna po zgjedh mes sistemit franko-italian SAMP/T NG dhe sistemit izraelit Barak MX.
«Ne përpiqemi të jemi pjesë e bashkësisë, pa qenë anëtare formale e NATO-s dhe pa qenë anëtare e Bashkimit Evropian. Por e ndiejmë veten pjesë të sigurisë evropiane në tërësi», përfundoi Mäder.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 18 reads



