...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Studiuesit amerikanë: Koronavirusi qendron për disa orë në ajër

Provat treguan se virusi që ndodhet në këto pikëza të përcjella përmes kollës apo teshtimës, mbetet aktiv dhe i aftë të infektojë individë të tjerë për të paktën tre orë në ajrin e infektuar.

Voa

18/03/2020 - 17:04

Koronavirusi, një patogjen shumë ngjitës që ka shkaktuar një pandemi globale, mund të ruajë aftësitë ngjitëse në pikëza sekrecionesh që pluskojnë në ajër për orë të tëra; gjithashtu virusi mbetet aktiv në sipërfaqe të ngurta për ditë me radhë, sipas një studimi të ri që paralajmëron se duhen forcuar masat e vetë-distancimit fizik për të shmangur infektimin me këtë virus që shkakton sëmundjen COVID-19.

Për më shumë, lexoni studimin: Koronavirusi (Covid: 2019) dhe pandemitë botërore: shkaqet dhe rreziqet për Shqipërinë

Shkencëtarët në Institutin e Sëmundjeve Alergjike dhe Infektive, pjesë e sistemit të Instituteve Amerikane të Shëndetit, janë përpjekur të ndjekin reagimin e virusit të marrë nga një person i infektuar dhe të vendosur në sipërfaqe të ndryshme objektesh në banesë dhe në mjedise spitalore.

Shkencëtarët përdorën një mjet që spërkat pikëza të lëngshme që përmbajnë virusin, të ngjashme me sekrecionet që lëshon një person në ajër kur kollitet apo teshtin.

Provat treguan se virusi që ndodhet në këto pikëza të përcjella përmes kollës apo teshtimës, mbetet aktiv dhe i aftë të infektojë individë të tjerë për të paktën tre orë në ajrin e infektuar.

Në sipërfaqe plastike dhe çeliku, virusi diktohet deri në tri ditë pas infektimit të sipërfaqes. Në sipërfaqe kartoni nuk mbijeton pas 24 orësh. Në sipërfaqe bakri, virusi mbijeton deri në katër orë.

Shkencëtarët thonë se duhen 66 minuta për virusin që të humbasë funksionimin e gjysmës së përbërësve të tij nëse ndodhet në gjendje pluskuese në ajër.

Kjo nënkupton se pas një ore e gjashtë minutash, fillon çaktivizimi i pjesësave përbërëse të virusit, megjithatë 25% e tij mbetet aktive për më shumë kohë. Tre orë pas përhapjes së virusit përmes sekrecioneve në ajër, 12.5% e tij mbetet ende aktive, shpjegon Neeltje van Doremalen me Laboratoret e Maleve Shkëmbore, pjesë e Institutit të Sëmundjeve Alergjike e Infektive.

Në një shtresë çeliku duhen 5 orë e 38 minuta që gjysma e përbërësve të virusit të çaktivizohen. Në sipërfaqe plastike duhen gjashtë orë e 49 minuta, ndërsa në karton duhen tre orë e gjysmë.

Rezultoi se në bakër virusi ka jetëgjatësinë më të shkurtër, pasi gjysma e elementëve përbërës të tij çaktivizohen brenda 46 minutash.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA