...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Elitat evropiane alarmohen përballë kërcënimit rus ndërsa kreu i NATO-s përpiqet të nxisë prodhimin

Zhvillimet e fundit janë parë në Evropë si një tjetër “këmbanë alarmi” për nevojën e zgjerimit të menjëhershëm të prodhimit dhe aftësive ushtarake

Financial Times

18/05/2026 - 08:35

NATO po shtyn ndërmarrjet evropiane të armëve të rrisin investimet dhe prodhimin, teksa aleanca kërkon të forcojë fuqinë ushtarake të kontinentit dhe njëkohësisht të qetësojë kërkesat e Donald Trampit.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pritet të takohet këtë javë në Brussels me drejtuesit e ndërmarrjeve kryesore të mbrojtjes në Evropë, për t’u kërkuar atyre të lëvizin shpejt drejt zgjerimit të prodhimit dhe përgatitjes së njoftimeve të rëndësishme për mbledhjen vjetore të NATO-s në Ankara në korrik.

Sipas vetëve në dijeni të bisedimeve, ndërmarrjeve u është kërkuar të japin hollësi mbi investimet madhore dhe aftësinë e tyre për të shtuar prodhimin, sidomos në fusha si mbrojtja ajrore dhe raketat me rreze të gjatë.

Rutte takohet shpesh me drejtuesit kryesorë të prodhimit të armëve në Evropë, por mbledhja e kaq shumë ndërmarrjeve në një takim të vetëm shihet si e pazakontë. Kjo tregon edhe ngutjen brenda NATO-s për të dëshmuar zgjerimin e prodhimit ushtarak para mbledhjes së udhëheqësve në Turqi.

Në takim pritet të marrin pjesë përfaqësues nga ndërmarrje si Rheinmetall, Safran, Airbus, Saab, MBDA dhe Leonardo.

NATO kërkon që prodhimi evropian i armëve të ndihmojë në përmbushjen e kërkesave të Trampit për më shumë shpenzime ushtarake, ndërsa Evropa përpiqet të përballet me zemërimin e tij lidhur me atë që Uashingtoni e quan mungesë mbështetjeje të aleatëve për luftën amerikane kundër Iranit.

Një tjetër synim është pakësimi i varësisë së Evropës nga SHBA-të, mes shqetësimeve në rritje mbi përkushtimin amerikan ndaj mbrojtjes së kontinentit.

Në mbledhjen e kaluar të NATO-s në Hagë, vendet anëtare pranuan kërkesën e Trampit për ta çuar shpenzimin ushtarak tek 5 për qind e prodhimit të brendshëm bruto. Përqendrimi i mbledhjes së Ankarasë tek marrëveshjet e armëve do t’i lejonte Trampit ta paraqiste këtë si një fitore të tij politike.

“Bëhet fjalë për ta bërë rritjen e shpenzimeve ushtarake të duket më e vërtetë”, tha një zyrtar i njoftuar mbi përgatitjet. Rutte po u kërkon ndërmarrjeve evropiane të mbrojtjes të investojnë me shpejtësi edhe pa pritur porosi të mëdha të reja nga qeveritë.

Në vitet e fundit ka pasur përplasje mes qeverive evropiane dhe zejëtarisë së armëve mbi arsyet e mungesës së prodhimit ushtarak në kontinent. Ndërmarrjet kanë akuzuar shtetet se nuk po nënshkruajnë marrëveshje afatgjata furnizimi, ndërsa qeveritë kanë thënë se sektori nuk po zgjeron mjaftueshëm shpejt aftësitë prodhuese.

Një nga mangësitë më të mëdha të Evropës mbeten raketat me rreze të gjatë. Berlini po përpiqet të blejë raketa amerikane Tomahawk për t’u mbrojtur nga Rusia, sidomos pasi Pentagoni hoqi dorë nga planet për vendosjen e pajisjeve të veta në Evropë.

Në fillim të majit, Pentagoni njoftoi tërheqjen e 5 mijë trupave nga Gjermania, mes përplasjes mes Trampit dhe kancelarit Friedrich Merz mbi luftën me Iranin. Lufta ka shpenzuar gjithashtu “vite” rezervash amerikane të municioneve të rëndësishme. Sipas vetëve në dijeni, këto zhvillime janë parë në Evropë si një tjetër “këmbanë alarmi” për nevojën e zgjerimit të menjëhershëm të prodhimit dhe aftësive ushtarake.

Nëse aleatët evropianë të NATO-s arrijnë objektivin prej 5 për qind të PBB-së për mbrojtjen, kjo do të sillte një rritje prej rreth 1 trilion dollarësh në vit të shpenzimeve ushtarake deri në vitin 2035, krahasuar me vitin 2024.

Zyrtarët e NATO-s kërkojnë marrëveshje madhore sidomos në fushat ku ushtritë evropiane varen shumë nga SHBA-të: mbrojtja ajrore, raketat me rreze të gjatë, si dhe aftësitë e vrojtimit dhe mbledhjes së të dhënave, përfshirë satelitët hapësinorë.

Disa nga ndërmarrjet pritet të paraqesin plane për më shumë fabrika, më shumë fuqi punëtore, sigurimin e lëndëve të para dhe forcimin e hallkave të furnizimit. Gjithashtu do të bisedohet mënyra për të pakësuar varësinë nga pjesët kineze dhe tajvaneze.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA