...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Netanjahu kërkoi nga udhëheqësi i Emirateve të mohojë se ai e kishte paralajmëruar atë për sulmin e Hamasit

Përpjekja e tij “hedh në erë” pretendimin e tij se ai po mbronte qytetarët izraelitë nga Hamasi përmes luftës

Përpiluesja/Redaksia - SHJ (www.shqipëriajonë.org)

29/09/2026 - 09:28

Benjamin Netanyahu udhëtoi fshehurazi drejt Emirateve të Bashkuara Arabe gjatë fundjavës për t’i kërkuar udhëheqësit të saj të mohonte raportimet se ai e kishte paralajmëruar kryeministrin izraelit për një kërcënim të afërt nga Hamasi përpara sulmit të grupit militant palestinez ndaj Izraelit jugor më 7 tetor 2023.

Takimi mes Netanyahut dhe sheikut Mohamed bin Zayed Al Nahyan u zhvillua të dielën, vërtetuan të hënën dy vetë të njoftuar për udhëtimin e udhëheqësit izraelit. Vajtja e fshehtë e Netanyahut në Emirate u raportua fillimisht nga televizioni izraelit Channel 12.

Kryeministri izraelit zhvilloi të dielën një takim prej rreth një ore me presidentin e Emirateve, sipas dy vetëve të njoftuar për udhëtimin. Njëri prej tyre tha se bisedimet u përqendruan tek një raport i botuar në fillim të këtij muaji nga e përditshmja izraelite Haaretz, sipas të cilit udhëheqësi e emirateve e kishte paralajmëruar Netanyahun për një sulm të afërt të Hamasit pak përpara 7 tetorit 2023.

Sipas njërit prej tyre që tha se kishte dijeni të drejtpërdrejtë për takimin, Netanyahu i kërkoi sheikut Mohamed ta mohonte këtë raport. Zyra e Netanyahut e kishte mohuar më parë raportimin e Haaretz. Njeriu, së bashku me një zyrtar rajonal të njoftuar për takimin, folën në kushte anonimiteti për shkak se vajtja ishte e fshehtë.

Zyra e Netanyahut nuk dha menjëherë sqarim.

Shërbimi i brendshëm izraelit i sigurisë, Shin Bet, paraqiti një ankesë tek kryecensori ushtarak izraelit kundër Channel 12 për atë që e quajti shkelje të rëndë të rregullave të censurës. Sipas tij, koha e publikimit të raportimit rrezikonte kryeministrin, operacionin dhe forcat në terren, si dhe shfaqte mënyrat e veprimit të Shin Bet.

Ministria e jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe nuk pranoi të sqaronte raportimet për takimin, por theksoi se mban “linja të hapura dhe të drejtpërdrejta lidhjeje” me Izraelin dhe se ndan “të gjithë të dhënat përkatëse të zbulimit”.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Emirateve, WAM, vërtetoi më vonë vizitën, duke thënë se dy udhëheqësit biseduan të dielën “marrëdhëniet dypalëshe mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit, si dhe mënyrat për forcimin dhe zhvillimin e tyre”.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA