Ambasadorja e Trampit në Greqi shkakton trazirë në Rumani
Ambasadorja amerikane Kimberly Gilfojël është akuzuar për ndërhyrje në politikën e vendit
Përpiluesja/Redaksia - SHJ (www.shqipëriajonë.org)
29/09/2026 - 17:50
Ambasadorja amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, ka shkaktuar një përplasje politike në Rumani, pasi Financial Times raporton se ajo kishte folur në një darkë zyrtare në ambasadën amerikane në Athinë, më 18 mars, për rrëzimin e pritshëm të qeverisë rumune. Sipas një personi të njohur me çështjen, Guilfoyle iu referua Rumanisë në ato terma gjatë darkës dhe, më vonë në mars, udhëtoi në Bukuresht, ku u takua me drejtues të Partisë Socialdemokrate (PSD), përfshirë kryetarin Sorin Grindeanu dhe ministrin e atëhershëm të energjisë, Bogdan Ivan.
Financial Times thotë se nuk është e qartë nëse ajo u këshilloi drejtuesve të PSD-së të largoheshin nga koalicioni qeverisës. Në maj, PSD-ja u largua nga koalicioni dhe votoi së bashku me opozitën e së djathtës së skajshme për rrëzimin e qeverisë së Ilie Bolojanit. Deputeti evropian Siegfried Mureşan kërkoi që takimet dhe bisedimet e PSD-së me Guilfoyle të shqyrtoheshin.
Financial Times e lidh vizitën e Guilfoyle në Bukuresht edhe me një çështje të rëndësishme energjetike: Korridorin Vertikal të gazit, i cili synon të përcjellë gaz nga Greqia, përmes Bullgarisë dhe Rumanisë, drejt Ukrainës dhe vendeve të tjera të Evropës Juglindore.
Gjatë vizitës, Guilfoyle po mbështeste këtë korridor dhe, sipas dy vetëve të njohur me bisedimet, po nxiste gjithashtu Rumaninë të blinte sasi të rëndësishme gazi natyror të lëngshëm amerikan.
Kryeministri Bolojan e mbështeste korridorin dhe zgjerimin e lidhjeve të rrjetit rumun me vendet fqinje, por nuk pranoi të blinte shumë më tepër LNG amerikan, duke thënë se Rumania ka burime të mjaftueshme të gazit të vet. Sipas burimeve të cituara nga Financial Times, mosmarrëveshja brenda koalicionit për blerjen e gazit amerikan ishte një nga arsyet që çoi në largimin e PSD-së nga qeveria.
Kryetari i PSD-së, Grindeanu, mohoi çdo bashkëpunim të fshehtë me SHBA-në, ndërsa Bolojan tha se qeveria e tij nuk kishte zhvilluar bisedime zyrtare me Guilfoyle dhe nuk kishte nënshkruar ndonjë marrëveshje për blerjen e LNG-së amerikane.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 4 reads



