...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Udhëheqësit evropianë përgatisin publikun për ‘kërcënimin e shtuar’ rus

Megjithatë, NATO nuk sheh rrezik për një “sulm të afërt”, pavarësisht paralajmërimeve të reja nga vende si Polonia, Lituania, Franca dhe Holanda

Politico

30/09/2026 - 08:11

BRUKSEL — Zyrtarët e lartë evropianë janë gjithnjë e më të alarmuar se Rusia mund të ndërmarrë sulme me dronë ose raketa kundër vendeve të NATO-s, ndërsa Moska shton fushatën e saj hibride në të gjithë kontinentin.

Gjermania po përgatit spitalet për një konflikt të mundshëm, Lituania ka përditësuar planet e largimit, ndërsa trupat e NATO-s po zhvillojnë stërvitje në rajonin e Baltikut. Ndërkohë, forcat bjelloruse kanë zhvilluar manovra të mëdha pranë Lituanisë.

Më 17 shtator, kryeministri polak Donald Tusk paralajmëroi se Moska mund të dërgojë dronë ose raketa në territorin e vendeve të NATO-s që mbështesin Ukrainën “në muajt e ardhshëm”.

Paralajmërimet pasqyrojnë një ndjenjë në rritje shqetësimi në Evropë, mes ndodhive gjithnjë e më të shumta të shkeljes së hapësirës ajrore dhe përpjekjeve për sabotim gjatë muajve të fundit. Aleatët e NATO-s kanë thënë vazhdimisht se i shohin këto sulme si trysni nga Kremlini për të ulur mbështetjen ndaj Ukrainës, por kanë treguar përmbajtje në reagimet e tyre nga frika e përshkallëzimit.

Presidenti francez Emmanuel Macron thirri drejtuesit e partive politike dhe kandidatët për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027 në një takim të jashtëzakonshëm, për të diskutuar Ukrainën, Iranin dhe krizën në rritje të energjisë.

Ai i cilësoi paralajmërimet e Tuskut si “të bazuara dhe të dokumentuara mirë”, ndërsa njoftoi një plan të ri për mbrojtjen e rrjetit jetik, duke shtuar: “Në javët e fundit … kërcënimi hibrid rus ndaj evropianëve dhe Francës është shtuar.”

Ndërkohë pretendimin tjetër se CIA kishte paralajmëruar vendet evropiane për një sulm me dronë, Evropën Jugore, Makroni dhe Italia e mohuan se nuk ishin paralajmëruar nga CIA. 

Guillaume Lacroix, drejtues i Partisë Radikale të së Majtës, u largua nga takimi duke thënë: “Në moshën 50-vjeçare, rrallëherë kam ndier një tronditje të tillë.” “Nuk është rastësi që kryeministri polak po flet kaq fuqishëm”, tha të premten kryeministri holandez Rob Jetten. “Duhet ta marrim shumë seriozisht këtë paralajmërim … duhet të tregojmë vazhdimisht se nuk e pranojmë këtë dhe se do të veprojmë nëse është e nevojshme.”

Më 17 shtator, presidenti finlandez Alexander Stubb u tha bashkëqytetarëve të tij se “ia vlen të përgatiten mendërisht që të ndodhë diçka”, duke përfshirë sabotime dhe dronë rusë.

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov paralajmëroi këtë javë Evropën se ajo do të përballej me një luftë “shumë të shkurtër” nëse aleatët e NATO-s do të përpiqeshin të sulmonin Rusinë.

“Rusia ka rritur ritmin e veprimtarisë së saj — duhet të mbetemi vigjilentë”, tha një zyrtar i lartë evropian i mbrojtjes, të cilit iu dha anonimati për të folur lirshëm. “Kjo mund të shihet si shfaqje e një prirjeje më të gjerë ... i kemi parë paralajmërime të ngjashme më parë dhe mund të ketë edhe të tjera.”

Deri tani, ndodhitë e fundit nuk kanë sjellë ndonjë kundërveprim të ri shumëpalësh, tha një zyrtar i dytë i lartë evropian i mbrojtjes. Por, shtoi ai, “po i vëzhgojmë nga afër”.

Ruajtja e kursit

Më 18 shtator, forcat gjermane dhe suedeze zhvilluan stërvitje të përbashkëta pranë ishullit strategjik suedez Gotland, vetëm disa javë pasi aleatët e NATO-s zhvilluan stërvitje të paparalajmëruara pranë enklavës ruse të Kaliningradit.

Gjatë javëve të fundit, avionët e NATO-s rrëzuan një dron rus mbi Lituani, një anije ruse lëshoi flakadanë kundër një helikopteri ushtarak danez, ndërsa Gjermania ia mveshi një përpjekje për sulm me dron në aeroportin e Lajpcigut një personi të dyshuar si spiun rus.

Raportet e inteligjencës amerikane në gusht paralajmëruan se Moska po planifikonte një sulm të kufizuar ndaj një vendi të NATO-s në vitet e ardhshme. Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, paralajmëroi zyrtarët rusë në Moskë në fund të muajit të kaluar që të mos e përshkallëzonin luftën me aleatët e NATO-s, veçanërisht me Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse paralajmërimet e fundit bazohen në të dhëna të reja të inteligjencës.

Më 18 shtator, ministri i Jashtëm i Lituanisë, Kęstutis Budrys, tha se Vilniusi kishte “të njëjtin njoftim të inteligjencës” si Tusk për një “operacion të mundshëm me flamur të huaj”, por la të kuptohej se ky njoftim datonte që nga korriku.

“Unë i shoh deklaratat publike të politikanëve për këtë çështje si pjesë të një fushate të bashkërenduar për ta paralajmëruar Rusinë që të mos marrë vendime të pamatura dhe të mos përpiqet të bëjë diçka duke menduar se kjo nuk do të arrijë deri te neni 5 i mbrojtjes së përbashkët të NATO-s dhe nuk do të ketë pasoja”, tha ai.

Sipas dy diplomatëve të aleancës, aleatët nuk janë njoftuar zyrtarisht brenda NATO-s për ndonjë të dhënë të re të inteligjencës dhe NATO deri tani nuk e ka ndryshuar vlerësimin e saj për kërcënimin.

“Për momentin, ne nuk shohim ndonjë kërcënim të afërt për sulm”, tha një zyrtar i NATO-s në emër të organizatës, duke shtuar: “Por nuk mund të jemi naivë apo të vetëkënaqur dhe duhet të sigurohemi që NATO të mbetet e fortë në vitet që vijnë.”

Ed Arnold, ish-zyrtar i NATO-s dhe këshilltar në kompaninë D Group, tha se paralajmërimet mund të kenë për qëllim edhe rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për kërcënimet dhe parandalimin paraprak të rrëfenjave të rreme për sulme me flamur të huaj, përpara se ato të ndodhin.

Një zyrtar i lartë ushtarak i NATO-s tha se Rusia mund të jetë duke kundërvepruar në mënyrë agresive për shkak të vështirësive të saj për të mposhtur Ukrainën. “Prandaj mund të përkapim gabimisht se e vetmja rrugëdalje është shtimi i fushatës së saj hibride — kjo është një rrugë që të çon drejt humbjes, sepse ne jemi të gatshëm të kundërveprojmë.”

Midis janarit dhe gushtit, në Evropë pati 100 ndodhi hibride të pranuara zyrtarisht, krahasuar me 60 gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, sipas organizatës kërkimore me bazë në Ukrainë, Sahaidachnyi Security Center — me një rritje veçanërisht të fortë të shkeljeve të hapësirës ajrore.

Një zyrtar i lartë i NATO-s tha se numri real ishte “lehtësisht mbi 200”, pa përfshirë sulmet kibernetike — të cilat janë “mijëra” çdo muaj vetëm kundër selisë së aleancës ushtarake në Bruksel.

“Numrat janë rritur, ashpërsia është rritur, oreksi i Rusisë për të marrë rreziqe është rritur”, tha ai.   

Ky raport i Politico është ndrequr. 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA