...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

SHBA-ja përgatitet për luftën e madhe kundër Iranit

Aeroplanmbajtësja USS Theodore Roosevelt pritet të mbërrijë në rajon deri në fund të nëntorit, thotë një zyrtar amerikan

Financial Times

02/10/2026 - 17:40

SHBA-ja po dislokon shtatë anije luftarake shtesë në Lindjen e Mesme, me të paktën 9 000 trupa në bord, ndërsa presidenti Donald Trampi po shqyrton mundësinë e rifillimit të sulmeve ndaj Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit të nëntorit.

Aeroplanmbajtësja USS Theodore Roosevelt dhe tri destrojerë shoqëruese u larguan nga porti i tyre në San Diego në fillim të kësaj jave dhe pritet të mbërrijnë në Lindjen e Mesme deri në fund të nëntorit, sipas një zyrtari amerikan.

USS Theodore Roosevelt mund të zëvendësojë njërën prej aeroplanmbajtëseve që ndodhen tashmë në rajon — USS George H. W. Bush dhe USS George Washington — ose t'u bashkohet atyre.

Edhe grupi i gatishmërisë amfibe USS Makin Island, i përbërë nga një anije luftarake amfibe dhe dy anije transportuese, po udhëton drejt rajonit, tha zyrtari. Grupi mbart gjithashtu Njësinë e 13-të Ekspedicionare të Trupave Detare amerikane.

Trampi i tha revistës Time të enjten se ishte “e mundur” që ai të shtonte sulmet pas zgjedhjeve të mesmandatit, nëse nuk arrihej një marrëveshje e kënaqshme me Teheranin.

Në tërësi, këto anije mbartin rreth 9 000 trupa. Grupet e goditjes së aeroplanmbajtëseve kanë rreth 5 000 trupa, me dhjetëra aeroplanë në bordin e aeroplanmbajtëses. Grupet e gatishmërisë amfibe kanë rreth 4 200 marinarë dhe trupa detare në bord.

SHBA-ja nuk ka njoftuar për sulme ndaj Iranit ose anijeve iraniane që transportojnë naftë prej gati një muaji.

Lufta mbetet e papëlqyer në mesin e zgjedhësve amerikanë përpara zgjedhjeve të mesmandatit të nëntorit, në të cilat Partia Republikane e Trampit do të luftojë për të ruajtur kontrollin mbi Kongresin.

Diplomatët amerikanë dhe iranianë zhvilluan bisedime në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së javën e kaluar në Nju Jork, disa orë pasi Trampi kërcënoi se do ta “asgjësonte” Republikën Islamike në një fjalim të ashpër drejtuar udhëheqësve botërorë.

Në ditët pasuese, Trampi hodhi poshtë propozimin shtatëditor të Iranit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, nëse SHBA-ja do të zbatonte një varg masash nga memorandumi i mirëkuptimit të mëparshëm të arritur midis dy vendeve në qershor.

Ndërmjetësit kanë shtuar përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje midis Uashingtonit dhe Teheranit. Palët pritej t'i paraqisnin Iranit këtë javë projektin e fundit të ndryshuar të një marrëveshjeje të përkohshme, pasi të hënën kishin zhvilluar takime të njëpasnjëshme me zyrtarë amerikanë dhe iranianë.

Sipas kushteve të marrëveshjes së parashtruar, për të cilën ndërmjetësit shpresojnë se do të mundësojë rifillimin e bisedimeve për një marrëveshje përfundimtare për t'i dhënë fund luftës, Irani do të lejonte qarkullimin e lirë të anijeve përmes ngushticës, ndërsa SHBA-ja do të hiqte bllokadën ndaj porteve iraniane.

Gjatë gjithë konfliktit me Iranin, ushtria amerikane ka mbajtur rreth 20 anije luftarake në rajon.

Marina amerikane ka zbatuar bllokadën ndaj porteve iraniane dhe ka ndihmuar anijet tregtare të cisternave të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila është shndërruar në pikën kryesore të përplasjes në konflikt.

Në rajon ndodhen më shumë se 50 000 trupa amerikane.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA