Italia dhe Greqia kërkojnë nga Brukseli hapësirë veprimi për rregullat fiskale të BE-së
Mbështetja për çmimet e karburanteve dhe rritja e inflacionit ushtrojnë trysni mbi financat publike
Financial Times
03/10/2026 - 12:47
Italia dhe Greqia i kanë kërkuar Brukselit më shumë hapësirë fiskale, pasi rritja e vrullshme e çmimeve të karburanteve dhe inflacioni në rritje po shtojnë trysninë mbi buxhetet e dy vendeve më të detyruara të bllokut, përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i kanë shkruar secili Komisionit Evropian këtë javë, duke kërkuar më shumë hapësirë për manovrim në kuadër të rregullave fiskale të BE-së, të cilat synojnë ta kufizojnë deficitin vjetor të një vendi në 3 për qind të PBB-së.
Rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës, e shkaktuar nga lufta në Iran, ka rritur koston e shumë masave kombëtare për mbështetjen e çmimeve të karburanteve, duke shtuar trysninë në rritje mbi financat publike në mbarë botën.
Rregullat fiskale të BE-së u përshtatën në qershor për t’u lejuar përkohësisht vendeve të shpenzojnë deri në 0.6 për qind të PBB-së deri në vitin 2028 për investime në energji që ulin varësinë nga lëndët djegëse të importuara.
Kjo është pjesë e një përjashtimi më të gjerë që u lejon vendeve të shpenzojnë deri në 1.5 për qind të PBB-së për mbrojtjen dhe energjinë, pa bërë që këto shpenzime të sjellin masa ndëshkuese. Kërkesat e reja të bëra këtë javë shkojnë më tej.
Athina ka kërkuar leje për të përjashtuar “masat e përkohshme” nga treguesi i shpenzimeve neto, për të cilat analistët thonë se u drejtohen subvencioneve të karburanteve. Roma ka kërkuar që inflacioni të merret parasysh gjatë vlerësimit nëse buxheti i saj përputhet me kufijtë e shpenzimeve të BE-së.
Zyrtarët e BE-së paralajmërojnë privatisht se tregjet mund të kundërveprojnë keqas ndaj dhënies së një hapësire shtesë në kuadër të rregullave fiskale.
Meloni i dërgoi një letër presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen, të enjten, duke kërkuar që çështja të bisedohet në një mbledhje të ministrave të financave të BE-së javën e ardhshme. Në letrën e parë nga FT, ajo tha se Italisë duhet t’i lejohet të përdorë të ardhurat shtesë nga taksat që mbledh si pasojë e inflacionit për të kufizuar ndikimin e çmimeve më të larta mbi familjet dhe bizneset, pa shkelur rregullat fiskale.
Një pjesë e këtyre të ardhurave shtesë duhet të përdoret “për të zbutur rritjen e kostove të energjisë në mënyrë të përkohshme dhe të synuar”, shkroi ajo.
Letra i bëri gjithashtu thirrje Brukselit që ta trajtojë inflacionin si një faktor lehtësues nëse parashikimet e buxhetit italian për vitin 2027, të cilat do të bëhen publike sonte, tejkalojnë kufijtë vjetorë të shpenzimeve të BE-së.
Që kur mori pushtetin në vitin 2022, koalicioni i Melonit ka marrë vlerësime të mira nga investuesit e huasë për maturinë dhe përmbajtjen fiskale, duke e ulur deficitin fiskal të Italisë nga 8 për qind në vitin 2022 në 3.1 për qind në vitin 2025.
Megjithatë, shpresat e qeverisë për të dalë nga Procedura e Deficitit të Tepruar të BE-së u shuan muajin e kaluar, kur shifrat e deficitit për vitin 2025 rezultuan 3.1 për qind, pak mbi kufirin e lejuar prej 3 për qind.
Roma ka shpenzuar rreth 2.5 miliardë euro këtë vit për uljen e akcizës së karburanteve. Javën e kaluar, grupi energjetik shtetëror italian Eni tha se do të vendoste një kufi të përkohshëm për çmimet në pikat e karburantit për të paktën një muaj, në mbështetje të përpjekjeve të qeverisë.
Miçotaqis gjithashtu i është lutur Brukselit për më shumë epshmëri, duke kërkuar më shumë “hapësirë frymëmarrjeje” në një letër drejtuar von der Leyen të mërkurën, të parë gjithashtu nga FT.
Ai parashtroi që shtetet anëtare të lejohen të përdorin të ardhurat shtesë nga taksat e krijuara nga çmimet më të larta për të financuar masa të përkohshme mbështetëse që do t’i mbronin familjet dhe bizneset nga rritja e kostove të energjisë.
Ai kritikoi gjithashtu këshillimet e Komisionit për uljen e kërkesës për energji, duke i cilësuar ato si “politikisht të papranueshme”.
Ndërhyrja vjen ndërsa kostoja e jetesës është shndërruar në një shqetësim kryesor për qeverinë e Mitsotakisit, e cila përballet me zgjedhjet kombëtare në fund të pranverës.
Komisioni Evropian nuk pranoi të sqaronte.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 11 reads



